English

Dorezohet qeveria, ul drastikisht çmimin e letërnjoftimeve të reja

Tiranë, 29 mars 15:02 NOA - Qeveria Shqiptare është "dorëzuar" në lidhje me kërkesën për të ulur çmimin e kartave të reja të identitetit, pasi sot, doli me një vendim krejt të papritur ku shpalli uljen drastike të tarifave.

Për kategoritë që përfitojnë nga ulja, konfirmohet se do të përfitojnë jo vetëm ata që aplikojnë nga sot e tutje, por edhe ata që kanë aplikuar më parë. Kjo do të thotë se aplikuesve të deridjeshëm do t'u rikthehen shumat e paguara pa hyrë në fuqi vendimi i sotëm.

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani doli sot në mesditë para gazetarëve ku lajmëroi vendimet e marra, që lidhen edhe me masa shtrënguese për aplikuesit.

Nishani konfirmoi se "për të gjithë personat para dhe tetra-plegjikë si dhe për personat e verbër, letërnjoftimet do të jepen falas".

Sakaq, "për të gjithë ata që deri më datë 28 Qershor 2009 mbushin 18 vjeç dhe votojnë për herë të parë, të cilët kanë aplikuar deri më tani apo do të aplikojnë deri më datën 1 Maj 2009, çmimi i kartës do të jetë 200 lekë.

E njëjta vlerë, pra 200 lekë, do të paguhet edhe nga të gjithë studentët. Po 200 lekë do të jetë tarifa dhe për të gjithë ata që përfitojnë ndihmë ekonomike për shkak të papunësisë.

Ministri i Brendshëm lajmëroi se për të gjithë pensionistët që kanë pensionet minimale në qytet dhe të gjithë pensionistët në fshat, të cilët kanë aplikuar deri më tani apo do të aplikojnë deri me datën 1 Maj 2009, çmimi i letërnjoftimit do të jetë 300 lekë.

Duke argumentuar këtë ulje të rëndësishme të tarifës për kartat, Nishani tha se kjo bëhet "për të ndihmuar më tej procesin e pajisjes me letërnjoftimet elektronike të qytetarëve që nuk disponojnë pasaportën për udhëtim jashtë vendit".

Ndaj, duke filluar nga data 1 Prill 2009 deri më datën 1 Maj 2009, personat që e kanë pasaportën për udhëtim jashtë vendit, nuk do të lejohen të aplikojnë për letërnjoftimin elektronik.

Nishani shtoi edhe se për të gjitha ato komuna ku ende nuk ka filluar procesi i aplikimit, ky vendim do të jetë në fuqi deri më datën 1 Qershor 2009.

e.l/NOA

KOMENTE