English

Ndoshta unë jam paksa i njëanshëm, por...

Ndoshta unë jam paksa i njëanshëm, por do të thoja që seancat e Senatit mbi emërimet gjyqësore janë ndoshta më të hapurat dhe më transparentet se kudo në botë. Dhe, si amerikan, për mua, është e vështirë t’i kuptoj referencat ndaj procedurave të Senatit të Sh.B.A. për të mbrojtur atë që ndodhi në parlament në rastin e z. Kosta

Nga Xhon L. Uidhers*

Ambasador i SHBA në Shqipëri

President Moisiu, President Meidani, kolegë diplomatë, Gjykatës Kondi, dhe të gjithë të shquarit që janë këtu sot.

Dua t’ju falënderoj që më keni ftuar të marr pjesë në këtë forum shumë të rëndësishëm. Temat, jo vetëm të këtij forumi por edhe të atyre të mëparshëm, kanë qenë me interes të lartë dhe thelbësor për ndërtimin e themeleve të demokracisë në Shqipëri. Jam veçanërisht i nderuar dhe veçanërisht mirënjohës që dy ish-presidentët mbeten kaq të përkushtuar ndaj mirëqenies dhe përparimit të vendit të tyre.

Në pothuaj tre vitet e mia në Shqipëri, unë kam mbajtur shumë fjalime, aq shumë sa nuk mund t’i numëroj. Kanë qenë mbi pothuajse çdo temë, por me siguri, tema më e rëndësishme që jam përpjekur të theksoj, dhe këtë e kam bërë në mënyrë të përsëritur, si një masë e rëndësisë që populli dhe qeveria amerikane i kushtojnë, është pavarësia e institucioneve demokratike, në radhë të parë e mbi të gjitha ndër to, gjyqësorit.

Jemi mbledhur të gjithë sot këtu sepse besoj se ndajmë një shqetësim të përbashkët lidhur me emërimet për anëtarët e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Mes shumë institucioneve që përbëjnë gjyqësorin dhe pavarësinë e të cilave duhet ta garantojmë, nuk ka më të rëndësishme se sa këto dy organe. Ato janë institucione jetësore dhe nëse ato nuk funksionojnë në mënyrën e pavarur dhe autonome që duhet, në një shoqëri të qeverisur nga sundimi i ligjit, demokracia themelore bëhet e vështirë.

Pavarësisht mbledhjeve tona të shumta, përfshi ato të sponsorizuara nga dy zotërinjtë pranë meje, të gjithë jemi të shqetësuar, të gjithë jemi të trazuar nga rrëzimi prej parlamentit i një kandidati shumë të shquar dhe shumë të kualifikuar, z. Vangjel Kosta.

Mënyra dhe mungesa e transparencës në rrugën se si u arrit ky vendim është befasues. Ai duket sikur është shqyrtuar në bazë të kritereve të përvijuara në një projektligj lustracioni, i cili u hodh poshtë si nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ashtu edhe nga një opinion këshillues i Komisionit të Venecias.

Kjo nuk është transparencë dhe ngre imazhin e llojit të ndikimit politik mbi gjykatat që nuk duhet të ndodhë në një shoqëri demokratike.

Në mbrojtje të këtij vendimi, një zëdhënës i parlamentit paraqiti një argument që mendoj se ne amerikanët duhet t’i përgjigjemi dhe që mund të shërbejë si një lloj shembulli apo shtegu që mund të jetë i dobishëm për parlamentin, madje në fakt edhe institucione të tjera qeverisëse, për t’u ndjekur tani e tutje.

Zotëria iu referua Senatit të Sh.B.A. dhe faktit që me raste, gjatë shqyrtimit të gjykatësve për në Gjykatën e Lartë, Senati refuzon gjykatës. Ky është një shembull i pavend dhe që lë një përshtypje tërësisht të gabuar.

Senati, në ndryshim nga veprimet e parlamentit shqiptar për sa i përket z. Kosta, organizon seanca dëgjimore që janë të hapura për publikun gjatë gjithë kohës. Këto seanca janë tërësore, për to bëhet punë e madhe kërkimore dhe mund të vazhdojnë për një numër ditësh derisa të mund të arrihet një gjykim i kënaqshëm i të emëruarit. Ata pasqyrohen drejtpërdrejt nga media kombëtare, përfshi edhe nga stacionet kryesore televizive. Çdo amerikan në vend mund të zgjedhë të ndjekë të gjithë procedurat e Senatit nga çasti i parë deri tek i fundit.

Kandidati është i pranishëm për t’iu përgjigjur çfarëdo pyetjeje që senatorët mund të duan të paraqesin. Ai/ajo ka lirinë të shpjegojë vendimet të marra në të kaluarën, filozofinë gjyqësore, çështje të historikut, si dhe tema të përqasjeve ligjore ndaj çështjeve kryesore. Ai/ajo është i/e lirë të paraqesë fakte në mbrojtje të tij/saj; ai/ajo mund të ofrojë dëshmitarë që mund të konfirmojnë karakterin dhe historinë e shkuar të të emëruarit.

Do të doja të shtoja edhe diçka tjetër. Pyetjet dhe opinionet e senatorëve janë të gjitha të regjistruara. Votat e Senatit janë publike ashtu si edhe shpjegimet e tyre për ato vota. Në këtë mënyrë, populli amerikan e di saktësisht çfarë po ndodh, saktësisht cilët janë kandidatët, dhe saktësisht pse një person duhet të zgjidhet apo jo.

Ndoshta unë jam paksa i njëanshëm, por do të thoja që seancat e Senatit mbi emërimet gjyqësore janë ndoshta më të hapurat dhe më transparentet se kudo në botë. Dhe, si amerikan, për mua, është e vështirë t’i kuptoj referencat ndaj procedurave të Senatit të Sh.B.A. për të mbrojtur atë që ndodhi në parlament në rastin e Z. Kosta.

Shpresoj sinqerisht që gjatë kohës kur shqyrtohen të emëruar të tjerë, si për Gjykatën Kushtetuese ashtu edhe për Gjykatën e Lartë, do të tregohet shumë më tepër konsideratë për kualifikimin e kandidatëve, për të drejtën e popullit shqiptar për informim mbi procedurat, si dhe për aftësinë e vetë kandidatit/kandidates për të përftuar një seancë dëgjimore të hapur dhe më të ndershme.

Me pak fjalë, shumë më tepër transparencë, ashtu siç është në shembullin e Senatit, të cituar nga zëdhënësi.

(*) Fjala e mbajtur sot në Forumin mbi “Gjykatat në Demokraci”

KOMENTE