Nga Vetëvendosje
Afërsisht 300 milionë euro është borxhi i përgjithshëm që qytetarët ia kanë borxh KEK-ut. Kjo është rryma elektrike e shfrytëzuar, faturuar dhe e papaguar, e shprehur në vlerë monetare. Prandaj na thonë se nuk kemi rrymë. Sipas zyrtarëve të KEK-ut por edhe sipas zyrtarëve qeveritarë të kaluar e të tashëm, po të paguhej ky borxh në Kosovë nuk do të kishte reduktime.
Të gjithë që e kanë paguar rregullisht faturën e tyre të KEK-ut e dinë se kjo nuk është e vërtetë. Ata kanë qenë të privilegjuar duke pasur më shumë furnizim se të tjerët (plani ABC), por kjo nuk ka ndodhur gjatë tërë kohës. Kur nuk ka pasur prodhim të mjaftueshëm e as import, edhe joborxhlinjtë kanë pasur reduktime.
Edhe ata që nuk e kanë paguar faturën e dinë se kjo nuk është e vërtetë. Për shembull enklavat serbe. Shumica prej tyre nuk kanë paguar kurrë rrymën elektrike. Mirëpo furnizim me rrymë kanë pasur rregullisht, madje në shumë raste edhe më shumë se sa pjesa tjetër e vendit. Sipas raporteve të medieve, 120 milionë nga borxhi i përgjithshëm është borxh i enklavave. 5% të popullsisë e kanë 40% të borxhit. Në këtë borxh hyjnë edhe ndërmarrjet e Serbisë të cilat operojnë lirshëm në Kosovë, siç është ajo e Genexit nga Beogradi, e cila ilegalisht operon me resurset turistike të Brezovicës.
Deri vonë enklavat serbe nuk janë prekur kurrë për këtë mospranim të hapur të legjitimitetit të KEK-ut si furnizues publik i energjisë elektrike. Intervenimi me shkyqje ndaj tyre është konsideruar si çështje politike nga UNMIK-u. Kështu të paktën arsyetohej KEK-u. UNMIK-u nuk bëzante duke e pohuar në heshtje. Kohëve të fundit kemi parë një ndryshim të vogël në këtë drejtim: enklavave nuk po iu rregullohen trafot e prishura pa e paguar borxhin. Kjo nuk është përherë e vërtetë. Prilluzhës i është kthyer furnizimi me energji pas protestave përkundër mospranimit të banorëve atje që të nënshkruajnë kontrata me KEK-un (kushti kryesor) vetëm me premtime të vagullta se do ta paguajnë borxhin. Ndërkohë që enklavave në Anamoravë nuk iu është rregulluar ende trafoja njësoj për shkak të borxhit që e kanë.
Ky borxh i enklavave serbe nuk është i rastësishëm dhe nuk ka të bëjë fare me pamundësinë e tyre për ta paguar rrymën (natyrisht se këtu mund të ketë raste sociale, siç ka në tërë territorin e Kosovës, mirëpo kjo është tjetër gjë). Serbët nuk e paguajnë rrymën për shkak se nuk lejohen ta bëjnë një gjë të tillë nga strukturat paralele. Janë udhëheqësit e këtyre strukturave ata që i organizojnë protestat e serbëve, dhe të cilët negociojnë në emër të tyre. Protestat në Shillovë i ka organizuar Dragan Nikoliqi i cili nga pushteti në Serbi konsiderohet si udhëheqës i Qarkut të Anamoravës. Të gjitha deklarimet mediatike për rrymën për sa i përket Anamoravës deri tash i ka bërë po ky person. Strukturave paralele u intereson t'i mbajnë serbët e Kosovës jashtë çfarëdo lloj integrimi në jetën publike në Kosovë, për shkak se sa më të integruar serbët, aq më e pamundur ndarja e Kosovës.
Rasti i Shillovës e pasqyron më së miri këtë strategji. Këtij fshati të banuar me serbë u është prishur trafoja elektrike. KEK-u refuzon t'ua riparojë atë për shkak të mospagesës së borxhit dhe mosnënshkrimit të kontratës me KEK-un. Strukturat paralele organizojnë protesta kundër mosfurnizimit me energji elektrike. Pengohen nga policia për shkak se dëshirojnë ta bllokojnë rrugën kryesore që lidh Gjilanin me Dardanën. Akuzojnë policinë se i kanë rrahur (ta paraqesin veten si viktima të dyfishta). Në asnjë mënyrë nuk pranojnë kontratat me KEK-un. Trafoja nuk u riparohet. Pas tërë kësaj ofrojnë zgjidhjen: kërkojnë një ofrues tjetër të energjisë elektrike për enklavat e tyre. Cilin ofrues? Elektroekonominë e Serbisë (EPS), natyrisht. Kërkojnë ndarjen dhe integrimin me Serbinë për sa i përket furnizimit me energji elektrike. Elektroekonomia e Serbisë funksionon në Kosovë tash e sa kohë. Në pjesën veriore të Kosovës tërë rrjetin e kontrollon EPS-ja, e po ashtu edhe në Shtërpcë. Edhe pse këto pjesë të Kosovës furnizohen me rrymë elektrike nga KEK-u, ato nuk paguajnë asnjë cent, dhe madje as që lejohen t'i lexojnë njehësorët në këto pjesë. Kështu janë bërë 120 milionë euro borxh. Kështu ky do të vazhdojë të rritet. Sa të jenë strukturat paralele këtu nuk mund të presim pranim të Kosovës nga serbët në Kosovë. KEK-u po preket drejtpërdrejt nga këto struktura. Kosova po preket drejtpërdrejt nga këto struktura. Mirëpo asnjë nga këta nuk kanë paraqitur kallëzimin penal në prokurori!