Në secilin zhvillim të 20 vjetëve, ndër më dramatikët dhe dinamikët në historinë e re të shqiptarëve, emri i Sali Berishës është i paevitueshëm. Ai mbetet ndër liderët maksimal që prodhuan shqiptarët
Â
Nga Ilir Mirena
Â
Rrugës së mundimshme dhe të rrezikshme Kukës-Tiranë, nga Kosova shpesh i shmangemi duke zgjedhur rrugët e Maqedonisë. Në këtë pjesë, rrugët janë të mira, por jo edhe pikat kufitare. Në disponimin e doganierëve të megashtetit të fuqishëm të Maqedonisë, varen edhe orët e udhëtimit. Kontrollet dhe vonesat, të lënë pa mend. Thuajse jeni duke hyrë në Koren e Veriut, e jo në një shtet (me ‘sh' të vogël pëshpëruese), si Maqedonia. Kështu do të jetë edhe pak muaj. Në qershor të këtij viti, ne mund të shmangim doganierët maqedonas, duke përdorur rrugën e re, Morinë-Durrës. Punimet janë në fazën finale. Krahas Pavarësisë së Kosovës, edhe-pak-ditë anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, autostrada Morinë-Durrës finalizon ndër projektet më të mëdha që shqiptarët i mbërritën në 20 vjetët e fundit. Rrotat e kerreve tona mbi këtë autostradë shënojnë fundin e pengesave, që paralelisht me politikën, edhe natyra kishte krijuar mes shqiptarëve. Në secilin zhvillim të 20 vjetëve, ndër më dramatikët dhe dinamikët në historinë e re të shqiptarëve, emri i Sali Berishës është i paevitueshëm. Nëse në pavarësia e Kosovës dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, është kontribut i secilit shqiptar në mënyrën e vet, në autostradën e Kukësit dora e Berishës ka qenë shtysa vendimtare që ky projekt kaq i madh të mbërrinte deri këtu. Ishte përfolur, ishte projektuar, bile edhe ishte filluar segmenti i parë i ndërtimit. Por, vetëm nën përkujdesën e Qeverisë Berisha, projekti gjigant i integrimit të shqiptarëve po i afrohet realizimit. Kujtojeni taksën Majko! E nisur me një qëllim mirë, në fund ajo kishte përfunduar në plotësimin e deficitit të buxhetit shqiptar. "Nuk dua të hyj në histori, dua të hyj në Zonën e Kanalit të Panamasë", është një fjali e njohur e Omar Torrijos, ish-liderit të Panamasë, në kohën kur mbaheshin negociata me ShBA për rikthimin e Kanalit të Panamasë, nën sovranitetin e Panamasë gjatë viteve ‘70. Berisha ka hyrë edhe në histori, edhe në rrugën Kukës-Durrës. Mbetja e tij në skenën politike është mbresëlënëse. Një luftëtar politik i pashembullt arriti të mbijetojë Ramiz Alinë, të pensionojë para kohe Fatos Nanon, e nëse nuk e braktis ora biologjike - nuk është në rrugë të keqe për të tejkaluar edhe Edi Ramën. Ndërsa, fraksionet politike që i dilnin kohë pas kohë brenda partisë së tij, i margjinalizonte deri në përjashtim nga partia. Sigurisht që mbijetesa e tij ka edhe njollat e zeza - të pashmangshme në rrugën e çdonjërit politikan. Disa nga gjynahet e politikanit Berisha, pa dyshim, janë monumentale. Arrestimi i liderit socialist Fatos Nano, ngulfatja e mediave gjate presidencës së tij, lejimi i skemave piramidale, që sollën deri te rënia tragjike e shtetit shqiptar e vitit 1997, një tentim i riprodhimit të 97'tës në shtator të vitit ‘98, do të mbesin në CV'në e gabimeve të rrezikshme të Berishës. Por, shikuar nga distanca e sotme, fajësinë për rrokullimën e viteve '90, do duhej ndarë në tre milionë pjesë, për secilin shqiptar veç e veç. Sidoqoftë, të gjithë këto mbesin brenda skenës politike të Tiranës, që ia përsërisin kundërshtarët politikë gjatë gjithë vitit, e shumë më rrëmbyeshëm në prag fushatash elektorale. Disa nga politikanët e gjeneratës së tij, në vendet ballkanike, moti janë harruar, ndërsa Berisha arriti të rimarrë vetveten politikisht, dhe sërish të mbesë një ndër protagonistët kryesorë politikë. Të mbijetosh në skenën politike të Tiranës, i rrethuar mes ujqish politikë, është marifet që vetëm Berisha e di se si e ka menaxhuar. (Merreni me mend skenën politike të Kosovës brenda së cilës është modeli Berisha. Ose, një debat në ndonjërin prej televizioneve tona, ku mes fytyrave kryesore politike të Kosovës, të ishte edhe Sali Berisha? Krahasuar me retorikën e ngathët të shumicës së politikanëve kosovarë, Berisha mbetet një përbindësh oratorie.) Në raport me Kosovën, angazhimi i Berishës mbetet i shkëlqyeshëm. Jo rastësisht, ai gëzon një reputacion të pakontestueshëm në Kosovë. Si shpërblim në përpjekjet të tij të mëdha politike, ndoshta edhe fati i ka rezervuar që të jetë ai që do të nënshkruajë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe të presë shiritin e projektit më të madh integruese të shqiptarëve, rrugës Kukës-Durrës. Pas përfundimit të autostradës, secila ankesë e jona për mungesën e përkushtimit të shtetit shqiptar ndaj Kosovës, fundoset përfundimisht. Dihen dobitë e mëdha ekonomike që do të sjellë autostrada e Berishës. Por, ngazëlluese mbetet një mision tjetër të cilin do ta fusë në binarë rruga e re. Rruga i fut një shkelm përfundimtar zhurmaxhinjve të identiteteve të ndara shqiptare. Për ta, është lajm i keq dhe minim i projekteve në kokat e tyre. Do të shohim rënie drastike të numrit të tyre. Edhe fal Berishës. Iain Dale, njëri ndër komentatorët më të respektueshëm politikë në Britani, duke cituar Tony Blerin, se duhet pasur dhjetë veçori për t'u bërë Kryeministër i mirë, spekulon dhe krijon listën e tij personale për disa nga kualitetet që duhet të ketë një Kryeministër i mirë. Mes tyre, ai fut vendosmërinë, besimin në bindjet e tij, të kuptuarit e motivacioneve të Anglisë së Mesme (në rastin tonë Kosovës), të jetë negociator i mirë, të jetë një paqësues i mire, të ketë paraqitje të mirë në TV, të jetë një performues i mirë parlamentar, të ketë një lëkurë shumë të trashë, etj etj…. Lista pa ndonjë ndryshim mund të përdoret edhe në rastin Berisha. Secili mund të bëjë listën e tij. Unë do t'i shtoja edhe një: të ndërtojë një autostradë. Kur ndonjëherë të bëhet një vlerësim gjakftohtë, pa mëdyshje, Sali Berisha do të futet në listën e liderëve maksimalë që kanë mundur të prodhojnë shqiptarët. Ndër të rrallët.