English

PS: Shkelet ligji, në 2 muaj deficiti 35 milionë USD

Tiranë, 31 mars NOA - Partia Socialiste (PS), akuzoi sot se po shkelet ligji i buxhetit të shtetit, duke konstatuar se vetëm në dy muaj deficiti ka arritur në 35 milionë USD.

Deputeti socialist Andis Harasani në një dalje për mediat mesditën e sotme tha se vetëm dy ditë pasi u bë publik buxheti faktik i dymujorit të 2009 ku në zërin e të ardhurave, ligji i Buxhetit është shkelur, duke treguar vetëm në 2 muaj, një deficit prej 35 mln USD.

Më tej ai u ndal në disa shifra:

1. TVSH në 2 muaj ka një mosrealizim me 10 mln USD ose 93% 3

2. Tatim fitimi në 2 muaj ka një mosrealizim me 4 mln USD ose 85%

3. Tatimi mbi pasurinë në 2 muaj ka një mosrealizim me 4.3 mln USD ose 27.9%

4. Taksat lokale në 2 muaj kanë një mosrealizim me 7.3 mln USD ose 58.3%

5. Të ardhurat nga Institucionet Buxhetore në 2 muaj kanë një mosrealizim me 15 mln USD.

"Jemi para jush sot, jo thjesht për t'i kujtuar shtypit dhe gjithë shqiptarëve sesi Berisha dhe Berishët çirreshin para 2005 duke akuzuar këdo për gjithçka në lidhje me kazinotë, por për të ngritur me shqetësim zërin tonë për vendimin e pastër klientelist të ndërmarrë nga qeveria në datën 25 mars 2009, ku vetëm tre muaj pas hyrjes në fuqi, rishikohet ligji "Për taksat kombëtare", por duke prekur vetëm tarifat që duhet të paguajnë subjektet të cilat operojnë në fushën e lojërave të fatit, si për sa u përket licencave, ashtu edhe detyrimeve vjetore ndaj Buxhetit të Shtetit", - deklaroi Harasani.

Deputeti i PS theksoi edhe se është e papranueshme të mendosh se ky ish kampion i luftës kundër kazinove, njeriu që premtoi që do hiqte dhe kazinonë në qendër të kryeqytetit, sot, vetëm 4 vite më vonë, u fal pa asnjë përgjegjësi 28 milionë dollarë pronarëve të ardhshëm të këtyre kazinove në bregdet, pronare të cilët shumë shpejt do bëhet e njohur për publikun që janë shumë pranë familjes biologjike të kryeministrit.

Horasani tha se me kaq para mund të paguheshin 2.8 milionë karta identiteti për ata shqiptarë të cilët kjo politikë e vjetër i ka lënë në gjendje të mjerueshme.

e.l/NOA

KOMENTE