Tiranë, 31 mars NOA - Gazetari i njohur Agron Bala, pedagog në UT dhe drejtues i emisionit "7 x 7" në TVSH, në një intervistë lidhur me promovimin e romanit të tij, "Jetë në dy kohë", zbulon të vërtetët e librit që është i pari, por sikundër thekson nuk do të jetë i fundit. Bala flet edhe për kohën e diktaturës komuniste, duke thënë se ajo është një kohë e tmerrshme për ne shqiptarët, duke evidentuar dhe faktin se ishte "një kohë e artë, për letërsinë që i kushtohet asaj".
Ju njiheni si gazetar dhe publicist, por jo si shkrimtar. Përse u kujtuat kaq "vonë" për të shkruar letërsi? Në fakt, nisur nga botimi i romanit "Jetë në dy Kohë", ju keni të drejtë ta shtroni këtë pyetje. Por, unë kam filluar të shkruaj dhe të botoj tregime përpara se të isha gazetar, pra qëkur isha student i Letërsisë. Në këtë kuptim, marrëdhëniet e mija me letërsinë kanë qenë të përhershme. Në vitin e fundit të fakultetit, pata grumbulluar tregimet e mija në një libër, i cili nuk e pa dritën e botimit, sepse njeri nga recensentët pati vlerësuar "gabime të theksuara ideologjike" në atë vëllim. Meqë nuk kisha asnjë dëshirë të përfundoja në "burgun e vogël të burgut të madh", siç shprehet një personazh i romanit tim, unë mendova se ishte më mirë të mos merresha fare me letërsi. Por ndërkohë që mendoja unë ta lija letërsinë, nuk më la letërsia mua. Gjetëm së bashku kompromisin : vazhdova të shkruaj, por jo të botoj. Por në përgjithësi kurrë nuk është vonë për të shkruar, nëse ke diçka për të thënë, për të kumtuar! Për më tepër, kur bëhet fjalë për prozën, mendoj se shkrimtari duhet të ketë një akumulim të madh, një eksperiencë po aq të madhe përpara se të kapë lapsin në dorë. Ndaj mund ta quaj moshën time saktësisht moshë të prozës! Romani "Jetë në dy kohë" është shkruar mbi bazën e ndonjë ngjarjeje të vërtetë apo është produkt tërësisht i fantazisë? Dhe për më tepër, ky roman është shkruar në vite apo kohët e fundit? Në lidhje me pjesën e dytë të pyetjes, më duhet t'ju sqaroj se romani "Jetë në dy Kohë" nuk është marrë nga "arkivi" i krijimtarisë sime, por është shkruar brenda një muaji, në fundvitin e kaluar. Sa i përket romanit, ai është një gërshetim i të dyjave, pra ngjarjeve reale por edhe fantazisë. Personazhi kryesor i romanit, Martini, i ngjason besoj disa bashkëstudentëve të mi, bij të udhëheqësve më të lartë të kohës që përfunduan si "armiq" dhe morën me vetë në fatkeqësi edhe bijtë e tyre. Me këto "ngjarje" është mbarsur edhe romani. Por gjithçka tjetër është fantazi. Mendoj se letërsia është shumë më e madhe se një ngjarje apo një personazh. Ndaj, një ngjarje sado e madhe të jetë, në vetvete, nuk mund të përbëjë letërsi, pa fantazinë që i jep asaj dimensionin e veprës letrare. Përse i keni vendosur ngjarjet mes dy periudhave krejt të ndryshme, diktaturës dhe demokracisë? Thuhet se nëse do të zbulosh karakteret e njerëzve vendosi ata në situata të vështira, në momente përmbysjesh apo luftërash. Ndryshimi i sistemeve në Shqipëri ka përcaktuar shume fate njerëzish, ka vendosur raporte të reja shoqërore, politike, ekonomike etj. Ngjarjet në roman ndodhin diku nga fillimi i viteve '80 dhe epilogu i tyre është fillimi i vitit 1991. Duke qenë një kohë e vështirë, plot konflikte dhe ndryshime, koha i ka dhënë personazheve të tij edhe mundësinë të zbulohen përpara lexuesve. Duke lexuar romanin, shohim se keni dy personazhe kryesorë tek "Jetë në dy kohë", Martinin dhe Diellën. Çfarë keni dashur që ata përfaqësojnë ata në veprën tuaj? Jua thashë pak më sipër se Martini, personazhi kryesor, ka marre disa nga karakteristikat e brezit që i përket, por edhe të disa personazheve reale të kohës. Ndërsa Diella është një gardiane burgu, e cila megjithëse është në qendër të së keqes, shpërndan dashuri. Janë dy botë krejtësisht të largëta nga njëra-tjetra, por që jeta i ka bashkuar për të bërë një copë rrugë në jetë. Koha që kemi kaluar ka qenë e programuar që në lindje të njeriut e deri në vdekjen e tij. Por nganjëherë "rastësitë" i kanë devijuar fatet e njerëzve dhe i kanë detyruar ata të ecin jashtë skenarit të kohës. Pa zbuluar ndonjë të fshehtë të romanit, mund t'ju them se historia e tyre është shumë tragjike. Me të dy jeta është treguar e pamëshirshme. Nëse do të shihni me vëmendje kopertinën e librit, të punuar mrekullisht bukur nga Gëzim Tafa, që është edhe botuesi i tij (Ombra gvg), fytyra dhe trupi i personazhit është e mbuluar me një cohë (maskë) të kuqe dhe gri. Pra të tjerë njerëz kemi qenë dhe të tjerë jemi shfaqur. Romani lot pikërisht në këtë raport jetë/maskë. Është dashur shumë kohë për të ndarë njeriun nga maska e tij, e cila vazhdon të shfaqet edhe sot e gjithë ditën në jetën e shqiptarëve. Ju bëni një përshkrim goxha mbresëlënës të romanit. Ndaj mund të shtrohet pyetja: A mund të bashkëjetojë gazetari me shkrimtarin? Unë mendoj se gazetari mund të bashkëjetojë fare mirë me shkrimtarin. Përvoja botërore flet për shumë raste ku gazetarë të shquar janë njëkohësisht edhe shkrimtarë të shquar. Janë dy profesione që janë afër njeri-tjetrit dhe ndihmojnë njeri-tjetrin. Të dy kanë në qendër njeriun dhe botën e tij. Në këtë kuptim ato bashkëjetojnë shumë mirë. Për sa më përket mua, preferoj shprehjen "edhe… edhe" dhe jo atë "ose… ose". Kjo do të thotë se do të vazhdoj të bëj gazetari dhe të shkruaj letërsi. Uroj që shumë kolegë të mi ta marrin guximin për të shkruar letërsi. Gazetarët i sjellin letërsisë jetën, personazhet, problemet, pra "bukën", me të cilën merret ajo. Një pyetje të fundit. Shumë kritikë, thonë se letërsia shqipe nuk ka pasur vepra të denja pas viteve '90, në lidhje me vitet e errëta pas Luftës së Dytë Botërore. Cili është mendimi juaj, pse ndodh kjo? Letërsia nuk është gazetari. Gazetaria i përgjigjet flakë për flakë kohës. Kemi pasur monografi, dokumentarë, portrete, etj., që i janë kushtuar asaj kohe, që e kanë ndriçuar nga kjo pikëpamje atë sistem. Ndërkohë që letërsia kërkon një distancë më të gjatë kohore për t'iu kushtuar asaj periudhe. Por duhet të shtoj menjëherë që edhe letërsia ka filluar të zgjohet dhe të vendosë në qendër të saj atë epokë me konfliktet e saj. Nuk duhet ngatërruar proza e memuareve me letërsinë. E them këtë sepse shumë njerëz po marrin kurajën të shkruajnë. Mendoj se ajo është një kohë e tmerrshme për ne shqiptarët, por një kohë e artë, për letërsinë që i kushtohet asaj. FUND