Për agjencinë e lajmeve NOA
Nga Bardhyl Selimi (Mezini)
*- ish skëndërbegas
Â
Çdo 28 mars, ish skëndërbegasit takohen në Qendrën Kulturore të Ushtrisë në Tiranë për të përkujtuar ditën e themelimit të shkollës së tyre (28 mars 1945). Vitet e para të shkollës vijuan ish partizanë 14-15 vjeçarë, një pjesë e të cilëve sot rreth 80 vjeç ende tubohen në këto takime dhe ruajnë freskinë dhe gjallërinë e mëparëshme.
Sivjet festohej 64-vjetori. Gjatë viteve të ekzistencës së saj kjo shkollë e madhe kombëtare ka nxjerrë me mijëra maturantë që kryesisht kanë ndjekur më pas shkolla të larta ushtarake dhe civile brenda dhe jashtë vendit. Shumë syresh janë shquar në specialitetin e tyre, kanë mbërritur grada të larta ushtarake dhe shkencore, por edhe e kanë pësuar si i tërë populli nga "ndëshkimet" e diktaturës totalitariste enveriste, në kuadër të "spastrimeve " edhe në ushtri.
Ne biseda me kolegë u vërejt se ringritja e kësaj shkolle mbase në përmasa më të vogla do të ishte e dobishme jo vetëm për rritjen e cilësisë së përgatitjes ushtarake, por në radhë të parë për eduklimin me frymë kombëtare të oficerëve dhe specialistëve të ardhëshëm të ushtrisë sonë , pjesë e NATO-s. Sepse shkolla të tilla i kanë pothuaj të gjithë shtetet anëtare të NATO-s.
Skëndërbegasit kanë prej kohësh shoqatën e tyre. Takimin e drejtoi Mikado Shakohoxha i cili foli shkurt dhe rrjedhshëm duke evokuar rrugën e lavdishme të bashkënxënësve të tij. Këtë vit - theksoi ai- ne nderojmë posaçërisht kujtimin e dy deshmorëve të shkollës, Çlirim Pulës dhe Luto Sadikut. Për ta folën veçan Myslym Pasha dhe Petrit Bebeçi, përkatësisht kolegë topogjeodezist dhe aviator. Edhe unë kam qenë në një klasë me të sipërpërmëndurit dhe ruaj sidomos për Çlirimin kujtime shumë të ëmbla, pasi kishim një shoqëri të veçantë. Çlirimi ra në krye të detyrës, bashkë me 11 të tjerë, gjatë një stërvitje dimërore në Feken të Bizës në shkurt 1981, ndërsa Luto Sadiku, po ashtu, ra në krye të detyrës, sikurse 37 aviatorë deshmorë, ndërsa uli avionin e dëmtuar në një zonë të pabanuar në vitin prill 1982.Â
Përshëndeti edhe kryetari i shoqatës për përkujtimin e dëshmorëve të atdheut, Kadri Shameti. Foli edhe Kostaq Karoli, ish gjeneral major, tani prof. doktor në institutet ushtarake. Përshendetje të shkurtra plot ndjenja dhe me figura artistike dhanë edhe poetë, gazetarë ish skëndërbegas si, fjala vjen, Flamur Berdëllima etj.
Ne fund u organizua një koktejl dhe u bënë fotografi kolektive sipas brezave.
Si një ish skënderbegas, ruaj edhe unë kujtime shumë të bukura. Duke shfletuar ditarin tim shkruar vite më pas, lexoj:
 "Ishte 15 gushti i vitit 1959.Ndërsa po luaja në oborrin e shtëpisë troket porta . E hap dhe shoh dy ushtarë që kishin ardhë me një triçikël nga dega ushtarake e qytetit. Ata më dorëzuan një fletë-thirje për tu paraqitur në atë Degë të nesërmen. E dija se përse bëhej fjalë sepse i kisha dhënë fjalën babait se pranoja të vijoja studimet në gjimnazin ushtarak "Skënderbej". Si fëmijë 14 vjeç kjo ishte joshëse për atë kohë, mbasi unë nuk kisha as përvojën më të vogël se si mund të ishte jeta ushtarake. Mbaja mend vetëm veshjet si të gjeneralit që skënderbegasit përdornin kur dilnin në qytet, dhe vetëm kaq.
Të nesërmen u paraqita në Degë ku gjeta shumë djem të tjerë ardhur nga Tirana dhe nga rrethet. Na hypën në një kamion dhe na çuan në Shkollën e Bashkuar të Oficerave, që ishte ngjitur me shkollën Skënderbej. Kjo përbëhej nga disa ndërtesa të bukura tre katëshe të ngritura gjatë luftës nga italianët dhe disa sheshe të gjëra të asfaltuara ose të shtruara me pllaka guri. Kudo binte në sy rregulli. Na qethën zero dhe pastaj na futën të bënim dush, nga ku na dhanë nga një palë ndërresa (këmishë e benevrekë ushtari) e kostum të lehtë (pantallona e gjimnastorkë) si dhe një palë këpucë të rënda ushtari me kambiale e peceta këmbësh. U befasuam rëndëshëm nga ky ndryshim i papritur i veshjes dhe i regjimit tonë. Mbaj mënd se disa orë vërtitesha përqark sheshit të madh dhe shikoja veten në pasqyrat vertikale të vendosura aty këtu ndanë tij, ku ushtarët kontrollonin uniformën e tyre. Gati nuk e njihja veten time. Ndërkohë vura re pranë portës kryesore shumë civilë, me siguri prindër dhe të afërm të rekrutëve të rinj skënderbegas. Ishte edhe nëna me babain. Dallova menjëherë shprehjen e keqardhjes së thellë në fytyrën e nënës, por ajo që u bë u bë. Babai, sigurisht, kishte menduar se kështu mund të lehtësonte disi barrën e familjes me pesë fëmijë dhe se shkolla që do vijoja unë kishte shumë përparësi. Pos të tjerash, kur e mbaroje atë shkollë, të çonin për studime si rregull në Bashkimin Sovjetik, natyrisht në shkolla ushtarake të mesme e të larta (uçilishçe). Kaloi dita e parë dhe bashkë me të edhe "e keqja e madhe". Të nesërmen, u gdhimë ushtarë të rregullt veçse jo 18-19 vjeçarë por 14 vjeçarë! Nisën rreshtoret, parakalimet, kontrolli i veshjes, i pajimeve, i fjetores, pastrimi i territorit, ushqimi me gjellët e kazanit, zgjimi me orar, madje edhe vajtja në banjo me orar. Kështu kaluan dy javë deri sa më 1 shtator nisën mësimet e rregullta. U futëm në klasa dhe u njohëm me mësuesit, të gjithë civilë, njerëz të edukuar, të përgatitur dhe familjarë, burra e gra. Midis tyre dallova mësuesin e rusishtes, Haki Lundra[1] që tani banon pranë shtëpisë sime, mësuesin e biologjise, Llazarin, mësuesen e letërsisë Sadete Kasa, atë të historisë Drita Hajro. Me këtë të fundit e kam vijuar miqësinë deri ditën që ajo ndërroi jetë. Drita më donte jashtëzakonisht dhe më këshillonte si nënë e mirë. Vinte për vizitë te ne. Ëmbëlsirën e Vitit të ri e ruante për mua deri më 11 janar! Në atë shkolla nisa të mësoj anglisht. Mësuese kishim Marije Nanon, nënën e kryetarit të më mëvonshëm të Partisë Socialiste. Zonja Marija ishte kërkuese dhe metodike. Ajo vlerësonte më shumë leksikun, prandaj na detyronte të mësonim përmendësh të paktën dhjetë fjalë të reja çdo ditë. Kishim edhe instruktorët ushtarakë, po ashtu të përgatitur. Mbaj mënd atë të përgatitjes politike, që më donte shumë dhe më mbante afër, më duket se quhej Ndreçi. Komandanti i shkollës ishte Luto Haxhiu, një ushtarak shtatlartë, studjuar në Bashkimin Sovjetik, tepër korrekt dhe kërkues sidomos për sa i përket etiketës dhe paraqitjes, pastërtisë së mjedisit dhe kulturës së jetesës. Tani që nisën mësimet, u ndjeva më i sigurtë dhe më rehat, pasi kjo ishte fusha ime e pëlqyer e veprimtarisë. Pata rezultate shumë të mira. Edhe në stërvitjet ushtarake e fizike s'isha keq. Përpiqesha të ushtrohesha gjatë kohës së lirë, sidomos në veglat gjimnastikore. Ndërkaq shtati nisi të më rritet dhe dukesha pak i dobësuar. Mbase edhe nga lodhja e përditëshme. (zgjoheshim në orën 5-30, vraponim deri afër Kinostudios zhveshur nga mesi e lart edhe dimrit, pastronim në kthim me fshesa prej shqopeje territorin për rreth kapanoneve dhe në stadium, bënim një orë studim paraprak dhe pastaj 6 orë mësim, pasditë katër orë studim, dhe binim të flenim rreth orës 22). E kisha problem me gjumin e natës, pasi në një kapanon flenin 30 veta në shtrate me dy kate dhe drita rrinte ndezur shumë kohë pasi kishte rënë buria për gjumë, nga që djemtë nga fshati ishin mësuar të bënin muhabet e të silleshin kot. Gjithashtu, natën na ngrinin shpesh në alarm duke na detyruar të kapërcenim murin e jashtëm të shkollës e të vraponim drejt kodrave jashtë qytetit, për dy tre orë. Ose oficeri i rojes na ngrinte në çdo orë sa herë konstatonte se nuk i kishim vendosur teshat dhe këpucët në rregull para krevatit dhe mbi komodinat tona. Krevatin e rregullonim dhe e prishnim disa herë deri sa zëvëndëskomandantit të togës dhe oficerit të rojes i mbushej mëndja që ishte rregulluar sipas estetikës ushtarake.. Në fillim e haja me vështirësi ushqimin, që përbëhej kryesisht nga grosha, pilafi e makaronat, çaji , djathi dhe rrallë herë ndonjë ëmbëlsirë. Në verë na çonin një muaj në Karpen të Kavajës, një qëndër stërvitore e posaçme pranë bregut të detit, ku zhvillonim rreshtore dhe ushtrime të ndryshme nën rrezet përcëlluese të diellit të gushtit.  Foto e marrë në Karpen të Kavajës, plazhi ku bënim stërvitjen njëmujore në gusht, unë në rreshtin e parë i shtati nga e djathta  Laheshim në det edhe natën pas orës 21, sepse kështu e përmbante programi. Tërë ditën nuk mund të shtriheshim sado pak por duhet të qëndronim në këmbë. Ato dy-tre vjet kalova edhe momente interesante, siç ishin festat e ndryshme, kremtimi i ditëlindjeve, vizitat dhe inspektimet e lojërave ushtarake. Por nuk mund ta harroj përgatitjet për paradën e madhe ushtarake të 29 nëntorit 1959, dmth muajt e parë të shkollës. Me qënë se isha i gjatë, më futën në njërin nga kuadratet e paradës. Dy muaj rresht u stërvitëm në fushën e aviacionit ku shkonim dhe ktheheshim në këmbë me hap ushtarak e më këngë rreshtore, duke tërhequr vëmëndjen e qytetarëve. Ishte një stërvitje cfilitëse që bëhej edhe kur binte shi. Por parada doli shumë bukur. Madje radio përmëndi atë ditë edhe emrin tim, nga që isha nxënës i mirë në mësime. Pas paradës, erdha në shtëpi, nga që na kishin dhënë liridalje. Zakonisht në shtëpi vija për të fjetur ose për t'u shlodhur. Kam qenë edhe në takime të ndryshme me raste përvjetorësh të ushtrisë, gjithnjë si skëndërbegas i dalluar. Një herë mora pjesë në një stërvitje të madhe ushtarake që zhvillohej diku në rrethinat e Elbasanit. Qendronim pranë shtabit të përgjithshëm mbi një kodër dhe vrojtonim me dylbi lëvizjet e tankeve e të trupave. Ishin ditë me shi dhe ushtarët qenë cfilitur. Por gjeneralët tanë, veshur luks, gjuanin njeri tjetrin me molla të mëdha "Starking" që ne i shihnim në ëndërr. Beqir Balluku[2] rrinte në një çadër bashkë me një gjeneral sovjetik. Na dhanë një drekë të jashtëzakoneshme në një çadër të madhe ushtarake ku na përshëndeti më duket gjeneral Petrit Dume[3].  Në shkollë u njoha me Hasanin, shokun tim të vjetër edhe sot e kësaj dite, nga Shëmria e Kukësit. Ky rrinte i ndrojtur dhe s'e pëlqente fare atë jetë ushtari, jo se nuk e përballonte dot, por ishte mësuar i lirë. Unë i jepja kurajo, e ndihmoja në matematikë e fizikë. Megjithatë, pas vitit të parë, ai e braktisi shkollën, por miqësinë me mua nuk e la. Nuk do ta harroj Budjon Alimerkon, një lab nga Tragjasi, një fshat që kish nxjerë disa gjeneralë, ish bari, tepër i fortë që nuk na bënte asnjë lëshim, si zëvëndëskomandant toge që e kishin caktuar. Shokë të tjerë të ngushtë kanë qenë Bashkim Dabulla, Fitim Halilaj, Maksut Çallo, Hasan Shabani, Ymer Veseli, Ramadan Mangaj etj. Në pranverë 1961 ra një grip i fortë. Mua, me sa duket, nuk më dha temperaturë, nga që unë kisha kaluar në fëmini disa herë bronkoadenitis dhe merrja mjekime (nikotibina etj). Por, kur na kaluan të gjithëve në florografi, më hoqën mënjanë bashke me disa të tjerë dhe na shtruan në spitalin ushtarak. Atje ndenja plot katër muaj e gjysëm, pasi gjëndja u rëndua duke kaluar në infiltrat. Pata kujdesin e madh të gjithë mjekëve e infermierëve.   Dr. Sezai Agalliu, dr. Gusho ishin njerëz të përgatitur jashtë shtetit dhe shumë të përgjegjshëm. Nëna më sillte vazhdimisht ushqime plus, sidomos ëmbëlsira nga që thonin se këto më bënin mirë. Kur u ktheva në shkollë, kisha shtuar shumë kilogramë dhe isha shumë mirë me shëndet. Nisa t'i kufizoj lëvizjet por vijova rregullisht mësimet në klasën e tretë. Aty kah mbarimi i dhjetorit, vjen një shkresë nga Drejtoria e Shëndetsisë e Ministrisë së Mbrojtjes, ku thuhej se unë e disa të tjerë duhet të liroheshim pasi jeta ushtarake nuk ishte e përshtatshme për shëndetin tonë. Më erdhi sinqerisht shumë keq, por s'kisha ç'të bëja.***
Ato vite në atë shkollë ndikuan shumë për mirë në karakterin e një adoleshenti siç isha unë".
[1] Mbaj mend, se mësues Hakiu më caktonte mua si zevendës-komandant gjatë orës së rusishtes. Unë duhet të jipja komandat "Çohu!", "Gatitu!", "Shoku mësues, klasa e parë D është gati për mësim!", dhe pasi mësuesi na përshëndeste "Ju uroj shëndet!" nxënësit duhet të përgjigjeshin "Shëndet paç, shoku mësues!", " Uluni!", të gjitha në rusisht ( Vstantje! Smirno! Tovarishç prepodavatelj, pjervij kllas D gotov k uroku! Zhellaju vam zdarovja! Zdrave zhellajem tovarishç prepodavatelj! Saditjes!) [2] Ish ministër i Mbrojtjes, dënuar me pushkatim në vitin 1976 [3] Ish shef i Shtabit të Përgjithshëm , edhe ku dënuar me pushkatim në vitin 1976