Elbasan, 29 mars NOA - Një grua në moshë të thyer gjeti vdekjen sot pasdite gjatë një aksidenti rrugor, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.
Ngjarja ndodhi në dalje të qytetit të Elbasanit, pranë fshatit Kuqan, kur Miriam Qose, 20 vjeç, lindur e banues në Elbasan, dyshohet se shtypi me makinë, 67-vjeçaren Shefikat Driza.
Policia tha se aksidenti erdhi ndërsa i riu, përshkonte segmentin rrugor me makinën tip autoveturë të markës "Benz", me targë EL 98 58 B, kurse e moshuara ishte duke kaluar rrugën.
Si pasojë e plagëve të rënda që mori nga përplasja me makinë, 67-vjeçarja, megjithë përpjekjet e mjekëve, ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin rajonal të Elbasanit.
Ndërkohë, policia nisi hetimet dhe ndaloi 20-vjeçarin Miriam Qose, të cilin e akuzon paraprakisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Dyshohet se shpejtësia e lartë e makinës, ishte shkaktare e aksidentit tragjik.
a.k/NOA