Nga Michael Geller*
Â
Gjatë punës së planifikimit për UniverCity, unë promovova idenë e kufizimit të materialeve dhe ngjyrave të lejuara për të krijuar një komunitet më të koordinuar vizualisht. Kjo ide u frymëzua nga vende të tilla si ishujt grekë të Mykonos dhe Santorinit ku të gjitha ndërtesat janë të bardha dhe Jeruzalemi ku çdo ndërtesë duhet të ketë në përbërje të saj gurin karakteristik lokal.
Â
Tani kam zbuluar qytete të tjera që shquhen për shkak të përzgjedhjes së materialeve të tyre dhe, mbi të gjitha, të ngjyrave të ndërtesave.
Â
Në Jaisalmer të Indisë, të gjitha ndërtesat duken si kështjella rëre. Kjo sepse për shekuj me radhë ato janë ndërtuar prej një guri ranor lokal me ngjyrë të florinjtë. Shumë rrallë gjen ndërtesa të lyera. Nga ana tjetër, jo shumë larg prej këtu, kemi qytetin Jaipur, ku në shekullin 19 Maharaxhai Ram Singh nxori një dekret për ta lyer të gjithë qytetin me rozë - ngjyrë që asociohet me mikpritjen - për t'i dhënë mirëseardhjen princit të atëhershëm të Uellsit. Kjo traditë është ruajtur ende. Sot, thuajse të gjitha ndërtesat kanë nuancat e ndryshme të rozës. Efekti i përgjithshëm është tejet mahnitës, sidomos në muzg të ditës kur qyteti merr një ngjyrim magjik.
Â
Përgjatë bregut të Adriatikut, më lanë mbresa komunitetet e vjetra në Malin e Zi dhe në Kroaci. Këtu gjithashtu ka një gamë shumë të kufizuar të ngjyrave. Rrugët janë shpesh të shtruara me një mermer të bukur të bardhë që shkëlqen (me përjashtim të atyre vendeve ku njerëzit kanë hedhur të shpërkujdesur çamçakëzat e tyre).
Â
Me pak përjashtime, ndërtesat kanë çati me tjegulla argjile. Me kalimin e viteve, çatitë janë venitur apo çngjyrosur dhe së fundmi janë vënë tjegulla të reja.
Â
Efekti përfundimtar është një mozaik portokalli, i ilustruar më së miri në pjesën e vjetër të Dubrovnikut, kur kjo pjesë shikohet nga rrugina majë mureve mesjetare të qytetit. Muret e godinave janë zakonisht të ndërtuara prej një guri me ngjyrë të lehtë apo të suvatuara me stuko të lyer. Megjithëse mbizotërojnë ngjyrat bezhë dhe gri, tek-tuk përdoren ngjyra të ndryshme.
Â
Por përgjithësisht ato nuk janë aq të ndezura sa të bëjnë kontrast me ndërtesat pranë. Shumica e godinave kanë kanata druri dritaresh të lyera me një ngjyrë pak më të theksuar. Kjo gjë vërehet në vende me ndërtesa shumë të harmonizuara dhe komplementare. Isha kureshtar të mësoja nëse kjo lidhje logjike arkitekturore ishte arritur nga ndonjë dekret qeveritar apo nga ndonjë vetë-imponim. Në të vërtetë, është një kombinim i të dyjave.
Â
Në shumë komunitete njerëzit i përzgjedhin tjegullat e çative apo i lyejnë shtëpitë për t'u harmonizuar me fqinjët e tyre, si pjesë e një traditë të gjatë. Ata që rrallë i shmangen kësaj tradite, janë zakonisht të përçmuar nga fqinjët.
Â
Në vende të tjera, sidomos ato që ruhen nga UNESCO, rregullat e dizajnit kufizojnë zgjedhjen e ngjyrave dhe materialeve. Në këto komunitete nuk ka shumë vend për shprehje të individualitetit.
Â
Por ka një përjashtim vërtet interesant nga të gjitha këto: Shqipëria. Këtu vërtet mbeta i shtangur dhe i mrekulluar nga ajo që pashë. Vendi duket se i ka hedhur pas vitet e regjimit komunist, duke lyer ndërtesat me kombinime ngjyrash nga më të paimagjinueshmet. Ka vjollcë dhe portokalli, të gjelbër fosforeshente dhe vishnje të trëndafiltë, jeshile të ndezur dhe të kuqe. Dhe këto nuk janë shtëpi private. Një pallat tetëkatësh është lyer me një të verdhë të ndezur, me vija të gjelbra dhe kuadrate kuqe-blu sipër. Shumëkatëshet e reja janë të gjitha plot ngjyra, shpesh të lyera me pesë a gjashtë ngjyra.
Â
Në kontekstin e ndërtesave gri përreth, rrezeve shkëlqyese të diellit dhe ujërave të kaltra të Adriatikut, mendova se këto ngjyra funksionojnë për bukuri.
Â
E vetmja gjë që sipas meje nuk funksiononte ishte që banorëve të disa pallateve të vjetra iu lejohej të lyenin pjesën e ndërtesës që iu takon me çfarëdolloj boje që duan. Si përfundim, godinat gri e të rrënuara paraqiten me arna të verdha e blu, ndërsa ballkonet duket se janë lyer me çfarëdo ngjyre që është në shitje në dyqan.
Â
Kaosit i shtohet edhe fakti që shumë banorë i kanë mbyllur ballkonet e tyre me vetrata e parete. Disa janë të lyera, disa të tjera jo. Si rezultat i asaj çka pashë, mendoj se ka disa mësime të përgjithshme që mund të aplikohen në qytetin dhe rajonin tonë. Në mos për gjë tjetër, disa prej ndërtesave në Shqipëri tregojnë se banorët përfaqësues të kondominios po bëjnë gjënë e duhur duke kontrolluar pamjen e jashtme të ndërtesave, për sa i takon ngjyrës dhe dizajnit të vetratave të ballkoneve.
Â
Është e udhës të kufizosh ngjyrën dhe materialet e përdorura në komunitete ku ka një kontekst të fortë lokal, veçanërisht nëse shohim nga e ardhmja. Shumë prej qyteteve bregdetare si Budva dhe Kotorri në Malin e Zi janë mbi 1000-vjeçare. Ndërtesat në këto vende janë ngritur me stile të ndryshme arkitekturore përgjatë shekujve, por nëpërmjet përdorimit të një numri të kufizuar të ngjyrave dhe materialeve, ato kanë arritur një kohezion që rezidentëve dhe vizitorëve u duket tërheqës dhe i rehatshëm.
Â
Gjithsesi, në situata të tjera, mund të flitet për një kazus të ri për lejimin e një game më të madhe ngjyrash dhe materialesh. Shumë zona me trashëgimi kulturore kanë traditë të fortë për t'i lyer ndërtesat me ngjyra dhe kjo duhet të vazhdojë. Vende të tjera nuk kanë ndonjë kontekst apo suazë thelbësore. Ato nuk janë pranë ujit, në mes të pyllit, apo nuk kanë fare traditë dizajni të përcaktuar. Në këto raste, ndërtesat mund të përfitojnë nga interesi i shtuar që vjen nga një nivel më i lartë i diversitetit.
Â
Mendoj se kemi bërë gjënë e duhur në UniverCity duke kufizuar zgjedhjen e materialeve dhe ngjyrave. Kohë pas kohe, kjo duhet të rezultojë në një dizajn të koordinuar që plotëson mjedisin natyror. Por në komunitete të tjera, mund të jetë më mirë që banorët të lihen të përzgjedhin materiale të ndryshme dhe ngjyra më të forta, me përjashtim të rasteve kur ata jetojnë në pallate apo komplekse rezidenciale. Në këtë rast, duhet ca kontroll. Përndryshe, ndërtesat e tyre do të përfundojnë të duken si ato që janë nxjerrë për shitje në Shqipëri.
Â
* Marrë nga "CanWest News Service"; autori është arkitekt, ekspert i planifikimit dhe sipërmarrës pronash nga Vankuveri, i cili udhëton nëpër botë dhe shkruan për zbulesa të reja
Â