Tiranë, 6 prill, NOA - Ka dalë me sukses nga spitali vajza e cila pak ditë më parë kreu operacionin e transplantim të veshkës në mjediset e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza".
Ajo figuron në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe së bashku me familjen ka uruar gjithë stafin mjekësor për kujdesin e treguar.
Operacioni u krye në datën 26 mars dhe kjo ishte hera e parë që në Shqipëri realizohej një transplant veshkash nga mjekët vendas.
Ai u krye nën mbikëqyrjen e mjekëve italianë, të cilët dhanë ndihmesën e tyre në këtë operacion të vështirë, i cili u krye për herë të parë në spitalet shqiptare.
Deri dje, të gjithë pacientët që kishin nevojë të kryenin një transplant veshkash, detyroheshin të shkonin në Turqi apo në vendet fqinjë, por tani e tutje kjo do të jetë e mundur edhe në spitalet tona, duke përbërë kështu një arritje në fushën e mjekësisë për vendin tonë.
Pacientja ishte vajza 20 vjeçare, Matilda Gode, e cila kishte për dhuruese të organit të veshkës, nënën e saj.
n.e/NOA