English

Erjon Veliaj i G99: Berisha të heqë menjëherë taksën e votës

Tiranë, 6 prill, NOA - G99 nisi sot peticionin qytetar për kartat e identitetit falas për të gjithë shqiptarët. Përfaqësuesit e G99 në një tendë të organizuar posaçërisht pranë Institutit Bujqësor në Kamëz mblodhën firmat e qindra studentëve të cilët iu bashkuan thirrjes për të garantuar të drejtën kushtetuese të votës për çdo qytetar shqiptar pavarësisht nga mundësitë apo kufizimet e veta financiare.

Pasi firmosi së bashku me studentët, Erion Veliaj theksoi se ky peticion është pjesë e betejës së opozitës për ti garantuar të drejtën e votës çdo qytetari.

"Kemi një javë që kemi filluar fushatën për të hequr taksën e votës sepse në thelb pagesa prej 10 eurosh për të votuar është taksë vote. Një taksë e tillë për të votuar është hequr në fund të viteve 60 në Shtetet e Bashkuara. Sot Shqipëria gdhihet si i vetmi vend në NATO ku aplikohet taksa e votës. Është e pandershme, e pajustifikueshme dhe antikushtetuese që vetëm sepse qytetarët nuk kanë mundësi për të paguar, ata të mos kenë mundësi të votojnë. Studentë janë të parët që preken nga kjo masë. Një student me 10 euro ble dy libra. Fakti që nuk i ka këto para nuk duhet ta përjashtojë nga e drejta për të votuar dhe marr pjesë në vendimmarrje."- u shpreh kreu i G99, Erjon Veliaj.

Sipas tij, çdo shqiptar, pavarësisht nëse është i pasur apo i varfër duhet të jetë njësoj aksioner në të ardhmen e vendit. Ai u shpreh i indinjuar që qeveria vazhdon të gjejë arna si rimbursimet.

"Këta studentë janë dëshmitarë që rimbursimet e librave nuk ndodhin asnjëherë, atëherë pse duhet të besojnë qeverisë në rastin e rimburismit të kartave?

Për të gjithë ata cinikë apo skeptikë që komentojnë mbi vlerën e këtyre parave që nevojiten për kartat sot jut hemi, këto para janë sa rreth 5 rindërtime të vilave qeveritare sic po ndodh me atë në Vlorë, janë sa 300 metra të rrugës Durrës-Kukës. E pra kjo qeveri së bashku me skeptikët dhe cinikët e saj le ti prodhojë këto karta pa kosto për qytetarët shqiptarë e sidomos për të rinjtë që janë aksionerët e drejtpërdrejtë të së ardhmes,"- tha Veliaj.

G99 do të vazhdojë mbledhjen e firmave në çdo fakultet dhe universitet dhe do ta dorëzojë këtë peticion në Këshillin e Ministrave.

s.v/NOA

KOMENTE