Tiranë, 6 Prill NOA - Gruaja në moshë të thyer, Feride Bako e cila sot mori faljen me një dekret të posaçëm presidencial, deklaron se uratën ia jep kryesocialistit Edi Rama që thotë se ishte "sebepi" i nxitjes së lirimit.
Në një prononcim ekskluziv për agjencinë e lajmeve NOA, Feride Bako tha pasditen e sotme nga mjediset e burgut të sigurisë së mesme nr 325 në Tiranë, se kërkon Edi Ramën që ta shoqërojë deri në shtëpinë e saj.
"Nuk kam kush të më dërgojë për në shtëpi, të më vijë Edi Rama dhe të më shoqërojë", thotë e moshuara.
Një nga ato pak të dënuara që ka fituar dje faljen nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, Feride Bako tregon për agjencinë e lajmeve NOA, se pret që t'i vijë kryetari i Partisë Socialiste dhe së bashku të festojnë.
"Unë tani pres që Edi Rama të vijë nesër (e Martë, shënim i NOA), dhe të më marrë këtu në burg që të dal dhe mezi po pres të shoh dhe shtëpinë që ai po ma rregullon".
Nënë Ferideja tregon se ndihet shumë e lumtur që do të dalë nga burgu, pas një vit dënimi që ka vuajtur tek Instituti i Riedukimit nr 325 tek "Ali Demi" në kryeqytet, (siç duket dhe në foton e sotme) dhe shton se është shumë e lumtur që katër vitet e tjera ia kanë falur.
Sipas të moshuarës, në banesë e presin dy nipërit e saj jetimë.
E pyetur sesi e mori vesh lajmin ajo tregon se ishte në krevatin e saj kur ka dëgjuar lajmet në televizion dhe është përmendur lirimi i saj.
Pas lajmit të gëzuar ka humbur ndjenjat, ndërsa shoqet e dhomës e kanë zgjuar duke e lagur me ujë.
e.l/NOA