Tiranë, 6 Prill NOA - Në kuadër të Presidencës Greke të Këshillit të Ministrave të Kulturës të vendeve të Evropës Juglindore u zhvillua takimi i Ministrave të Kulturës të këtyre vendeve.
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në fjalën e tij evidentoi rëndësinë që ka ky Këshill në rajonin e Evropës Jug Lindore në një kohë kur disa prej vendeve anëtare aspirojnë të jenë anëtare të Bashkimit Evropian. Gjithashtu Turku nënvizoi rëndësinë që ka kultura, ruajtja dhe përcjella e vlerave kulturore dhe e trashëgimisë kombëtare për Rajonin dhe integrimin e tij Evropian.
Ministri Turku bëri prezent angazhimin e MTKRS në lidhje me zbatimin e Konventave të UNESCO-s që lidhen me ruajtjen e trashëgimisë kulturore materiale dhe imateriale. Ministri i informoi të pranishmit se në muajin Dhjetor 2008, Shqipëria aderoi në Konventën e UNESCO-s "Për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike nënujore (Paris 2001)", duke kontribuar edhe më shumë në mbrojtjen e shfrytëzimin racional, shkencor e edukativ të resurseve nënujore. Në këtë kuadër, çdo bashkëpunim për kërkime nënujore shkencore dhe përgatitjen e një muzeu nënujor në një hapësirë të përshtatshme gjatë bregdetit Adriatiko-Jonian do të ishte i mirëpritur - theksoi Ministri Turku.
Në kuadër të Konventës së Diversitetit Kulturor, Ministrat pjesëmarrës u informuan mbi angazhimin e MTKRS në promovimin e kulturës së minoriteteve kombëtare dhe etnolinguistike, kryesisht duke financuar nga buxheti i shtetit aktivitete kulturore të këtyre grupeve. Një shembull domethënës është mbështetja financiare e aktiviteteve kulturore të pakicës rome, në zbatim të një strategjie që është hartuar për përmirësimin e kushteve të jetesës së këtij minoriteti.
Si pjesë aktive e shumë nismave rajonale dhe Evropiane, Shqipëria ka tashmë dy projekte të konsoliduara (Pazari i Korçës dhe Muzeu i Apolonisë), si pjesë e Procesit të Lubljanës-Financimi i Rehabilitimit të Trashëgimisë në Evropën Juglindore ku mund të thuhet që në këtë mënyrë kontribuojmë të gjithë për vizibilitetin e rajonit tonë nëpër botë.
Si rrjedhim i mbështetjes që Ministrat e Kulturës i kanë dhënë në Bukuresht të Rumanisë iniciativës shqiptare për kthimin e shkollës së restaurimit në Tiranë në një qendër rajonale të kategorisë së II-të të UNESCO-s, Ministri Ardian Turku kërkoi edhe njëherë mbështetjen e Ministrave të tjerë për këtë iniciativë, tani që kjo qendër po mbyll me sukses vitin e dytë të funksionimit të saj.
Në përfundim të fjalës së tij Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Zoti Ardjan Turku, shprehu gatishmërinë dhe sigurinë e tij për t'i dhënë jetë këtij Këshilli të iniciuar nga Shqipëria dhe projekteve që u diskutuan dhe u miratuan, duke dëshmuar qartë vullnetin e mirë politik të qeverive që ata përfaqësojnë si dhe vizionin për të ardhmen e rajonit të Evropës Jug Lindore.
Pas diskutimeve të projekteve të prezantuara nga secili vend pjesëmarrës, sugjerimeve për një Plan Veprimi më efikas, konkret dhe të realizueshëm, në fund u ra dakord mbi tekstin final të Planit të Veprimit për periudhën Prill 2009-Prill 2010, periudhë kjo që përfshin Presidencën Malazeze të Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Jug Lindore. (Bashkëlidhur Plani i Veprimit).
Të gjithë Ministrat pjesëmarrës si dhe zyrtarët e tjerë të lartë të pranishëm në takim, përfaqësues të Ministrive të Kulturës, nënshkruan dokumentin e dakordësisë për Planin e Veprimit, akt ky i vullnetit politik dhe angazhimeve ndaj nismave rajonale.
Pjesëmarrësit në takim
Në takim ishin të pranishëm Ministrat e Kulturës të Greqisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Rumanisë dhe Serbisë (Z. Antonis Samars, Z. Ardjan Turku, Branislav Micunovic, Theodor Paleologu, Nebojsha Bradic), Zëvendës Ministri i Kulturës i Bullgarisë ( Z. Ivan Tokadjiev) si dhe Zyrtarë të lartë të Ministrive së Kulturës të Turqisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Austrisë (me statutsin e observerit të përhershëm), Ambasadori i Maqedonisë në Athinë, si dhe përfaqësues të UNESCO-s dhe Këshillit të Evropës.
Takimi u përshëndet nga Ministri i Kulturës i vendit mikpritës, Antonis Samaras, i cili vlerësoi nismën e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë për krijimin e këtij Këshilli si dhe veprimtaritë e organizuara në kuadër të këtij Këshilli gjatë Presidencës Shqiptare (v.2006 - 2007), Presidencës Kroate (v. 2007 - 2008) si dhe gjatë Presidencës Greke.(2008 - 2009). Fjala përshëndetëse e Ministrit Samaras u pasua nga përshëndetjet dhe prezantimet e angazhimeve të secilit vend anëtar të Këshillit të Ministrave të Kulturës, nga ana e Ministrave pjesëmarrës.
e.l/NOA