Abruzzo, 6 prill, NOA - Një familje shqiptare ndodhet e tëra nën rrënojat që shkaktoi tërmeti i sotëm në një fshat të Abruzzos në Itali.
Lajmi është bërë i ditur nga një gazetare italiane e "Corriere della Sera"-s, e cila duke raportuar direkt nga vendi i ngjarjes së rëndë, rrëfen se banorët e zonës i kanë treguar se një familje shqiptare ndodhet nën rrënoja.
Ndër të tjera, ajo bën me dije se kjo familje ka edhe një vajzë 3-vjeçare, e cila rezulton gjithashtu të ndodhet nën rrënoja në fshatin Paganica të Abruzzos.
Sipas të dhënave të gazetares italiane nga vendngjarja, i gjithë ky fshat rezulton i shkatërruar dhe banorët janë evakuuar që të gjithë prej tij.
Deri tani, të dhënat zyrtare tregojnë se nga ky fshat ka patur 2 të vdekur dhe 6 të zhdukur.
n.e/NOA