Abruzzo, 6 prill, NOA - Një tërmet i fuqishëm tronditi Italinë qendrore në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke shkaktuar të paktën 20 të vdekur dhe shumë të tjerë rezultojnë të humbur në rrënoja. Ndërkaq, mijëra shtëpi, kisha dhe ndërtesa të tjera, janë shembur apo u dëmtuar rëndë, njoftojnë mediat italiane.Një numër ende i pacaktuar personash njoftohet se janë plagosur dhe disa të tjerë mbeten ende nën rrënoja në qytet dhe në zonat rreth tij.Zyrtarët e sigurisë thanë se tërmeti kishte një thellësi të jashtëzakonshme, prej 28 kilometrash.Epiqendra e tërmetit mësohet se ka qenë rajoni malor i Abruzzos, në lindje të Romës dhe goditjet i dha në Aquila, një qytet i themeluar në shekullin XIII afro 100 kilometra prej Romës, si edhe fshatrat përreth tyre.Bëhet e ditur se katër fëmijë kanë humbur jetën nga rrëzimi i një ndërtese në L'Aquila, dy në një fshat të afërt dhe të paktën pesë të tjerë në një fshat tjetër."Mijëra banorë mund të kenë mbetur të pastrehë dhe mijëra shtëpi janë shembur apo dëmtuar rëndë", deklaroi Agostino Miozzo, një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes Civile.Ndërkaq, rrënojat e ndërtesave kanë bllokuar pjesën më të madhe të rrugëve të vjetra të L'Aquilas, duke varrosur nën to dhjetëra automjete të parkuara, ndërkohë që edhe ndërtime të reja nuk u kanë rezistuar lëkundjeve sizmike me fuqi 6.3 ballë sipas shkallës Rihter, tërmeti më i fuqishëm që ka goditur Italinë pas shumë vitesh.Banorët në një pjesë të madhe të Italisë qendrore kanë ndjerë lëkundjet e fuqishme sizmike dhe shumë prej tyre në panik kanë braktisur banesat për të dalë në rrugë. Ndërsa banorët e Romës, që rrallë mund të goditet nga aktivitetet sizmike, u zgjuan nga lëkundjet.Në Itali tërmetet mund të jenë tepër të rrezikshme, për shkak të vjetërsisë së ndërtesave, disa prej të cilave të pameremetuara.n.e/NOA