English

Oketa uron stafin e Ministrisë së Mbrojtjes për anëtarësimin në NATO

Tiranë 6 prill - Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa bëri një takim sot me drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantët e njësive ushtarake të Forcave të Armatosura.

Në urimin e tij, Ministri Oketa i përcolli përgëzimet më të mira stafit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm për pranimin e Shqipërisë në NATO dhe kontributin e dhënë nga Forcat tona të Armatosura në përmbushjen e këtij objektivi madhor.

Oketa theksoi se, 4 prilli ishte dhe do të mbetet një ditë historike për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë.

Hyrja në NATO, u shpreh ai, nuk shënon aspak fundin, por fillimin e një epoke të re reformash dhe vazhdimësie për Forcat e Armatosura Shqiptare.

Kjo arritje, nënvizoi z. Oketa, ka qenë një produkt i të gjitha përpjekjeve ndër vite të qytetarëve shqiptarë, të klasës politike, të Forcave të Armatosura dhe të të gjithë paraardhësve të mi që kanë drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes në vitet e demokracisë.

Në këtë takim ishte i pranishëm zv.ministri i Mbrojtjes Petrit Karabina, shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Maksim Malaj, gjeneralë, ushtarakë të tjerë të lartë dhe drejtorë të drejtorive të MM-së dhe SHP të FA-së etj.

e.l/NOA

KOMENTE