Trajneri i peshëngritëses, Hektor Shaqiri: Shënoi një tjetër sukses të pritshëm
Tiranë, 6 prill NOA - Sportistja më e mirë shqiptare e vitit, Romela Begaj, ka shënuar disa rezultate, ndër më të shkëlqyerat në historinë e sportit tonë.
Begaj arriti një sukses tjetër, në kampionatin Evropian të Peshëngritjes, i cili u zhvillua këto ditë në Rumani.
Drejtues të sportit u shprehën sot entuziastë për suksesin e radhës, për një ndër sportisten më të mira që ka aktualisht vendi ynë.
Trajneri i peshëngritëses shqiptare, Hektor Shaqiri e komentoi si një sukses të pritshëm paraqitjen e peshëngritëses, për vetë faktin se në garat e kaluara ajo ka shënuar në arenën ndërkombëtare, rezultate të ngjashme.
Romela Begaj është shpallur kampione e Evropës, në stilin e shkëputjes, (pesha 58 kg), në garën e fundit.
Ndërkohë, në dygarësh, ajo është renditur në vend të 3-të, duke u mjaftuar me medaljen e bronzit.
Në Evropianin e Peshëngritjes, që po zhvillohet në Rumani, peshëngritësja shqiptare ngriti në shkëputje 96 kilogramë, po aq sa bullgarja Navikova.
Begaj, për shkak të peshës trupore, më të vogël, është renditur e para.
Më tej, në dy garësh sportistja shqiptare është renditur e treta, duke ngritur gjithsej plot 207 kilogramë. Begaj nuk arriti të njëjtin suksesin, në stilin e shtytjes.
Ajo është renditur në vendin e katërt, me 111 kilogramë. Një vit më parë, në kampionatin e Peshëngritjes që u zhvillua në Itali, 22-vjeçarja u shpall nën-kampione e kontinentit, duke ngritur në total 212 kilogramë.
Romela Begaj është peshëngritësja e vetme që përfaqëson Shqipërinë, në kategorinë e femrave.
Edhe në "Pekin 2008" Romela Begaj shënoi rezultatin më të mirë, mes 11 sportistëve shqiptarë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike.
Begaj zuri vendin e gjashtë në botë, duke iu afruar zonës së medaljeve.
g.sh/NOA