English

Berisha: Me ngritjen e flamurit në Bruksel, ëndrra jonë NATO u bë realitet

Bruksel, 7 prill, NOA - Prania e flamurit shqiptar përkrah atyre të vendeve të tjera të NATO-s përbën një kulm të realizimit të ëndrrës së vjetër të çdo shqiptari për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Këtë deklaratë kryeministri Berisha e bëri me krenari gjatë fjalës së rastit në ceremoninë e organizuar sot në Bruksel me rastin e ngritjes së flamurit shqiptar në selinë e NATO-s.

"Paraqes falënderimet e mia më të mëdha dhe nderimin më të thellë për mbështetjen që ju keni dhënë për vendin tonë mbi integrimin në NATO. Ne shqiptarët i kemi borxh NATO-s lirinë tonë të sotme", u është drejtuar ai të pranishmëve.

Berisha ka treguar sesi gjatë 4 viteve të fundit të bashkëpunimit me NATO-n, në përpjekje për të përmbyllur procesin e integrimit në strukturat e saj, pala shqiptare është njohur me dëshirën e Aleancës së Atlantikut të Veriut që Shqipëria të ecë para për të kryer reformat për ta merituar anëtarësimin e plotë në NATO.

Më pas, ai ka treguar sesi Shqipëria, nga dikur një vend me kriminalitet të lartë, tani po kthehet në një vend të sigurt.

"Shqipëria sot lufton korrupsionin duke lënë pas 95 vende. Në të shkuarën, investitorët e kishin braktisur vendin për shkak të korrupsionit dhe krimit, por tani ne jemi një vend tërheqës për investimet e huaja", tha Berisha në fjalën e tij.

Në përfundim të fjalimit, ai falënderoi personalisht edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Scheffer, i cili arriti ta përmbyllte procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.

Por ka përmendur edhe ish-drejtuesin e NATO-s, Manfred Verner, të cilin e kujtoi për projektin e nisur së bashku për anëtarësimin e Shqipërisë në vitin 1992, atëherë kur vendi ynë nuk i zotëronte kushtet për t'u bërë anëtare me të drejta të plota në NATO.

n.e/NOA

KOMENTE