English

Berisha në Bruksel, bën thirrje për integrimin e Maqedonisë

Bruksel, 7 Prill NOA Update - Në përfundim të ceremonisë së ngritjes së flamurit në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Bruksel, Kryeministri Berisha dhe ai kroat Ivo Sanader dhanë një konferencë për shtyp për përfaqësuesit e medias shqiptare, kroate dhe të shtypit ndërkombëtar, në një nga sallat për shtyp në selinë e NATO-s.

Kryeministri Berisha, në fjalën e tij pohoi se "ne morëm pjesë në këtë ceremoni solemne, historike e të papërsëritshme, të ngritjes së flamujve tanë, krahas flamujve të vendeve më të lira e të fuqishme të planetit, anëtare të NATO-s".

"Unë shfrytëzoj këtë rast, - vijoi Kryeministri, - për t'i përcjellë urimet më të përzemërta popullit mik kroat, mikut tim Ivo Sanader, Presidentit Mesiç, qeverisë dhe autoriteteve kroate, me të cilët ne ndajmë gëzimin, solemnitetin, madhështinë historike të kësaj dite, me të cilët ne ndajmë ndjenja dhe lidhje të thella miqësore kombëtare, ndajmë projektet tona të përbashkëta për një të ardhme më të lirë, më të mirë dhe të sigurt në NATO dhe Bashkimin Evropian".

"Dua të theksoj, - vijoi kryeministri, - se unë i jam mirënjohës qeverisë kroate, popullit mik kroat, sepse bashkëpunimi me Kartën Adriatik 3, të themeluar në Tiranë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u shndërrua në një mekanizëm që solli suksesin e sotëm, që ne festuam".

Berisha tha edhe se "anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën kurorëzimin më të shkëlqyer të të gjitha përpjekjeve të vendit tonë për të zënë hapësirën që i takon në gjirin e kombeve të qytetëruara".

Më tej, Berisha iu përgjigj disa pyetjeve të gazetarëve: Ju e quajtët festa e lirisë, por për vende të tjera, të cilat kanë vuajtur si Shqipëria, si Kosova, Bosnje-Hercegovina etj., cili do të jetë kontributi juaj që ato t'i bashkohen kësaj Aleance?

Kryeministri dha këtë përgjigje: "Anëtarësimi i dy vendeve tona sot është një ogur shumë i mbarë për Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi dhe për të gjithë rajonin. Ne do të jemi avokatët më të mirë  të tyre, sikundër do t'i japim çdo ndihmë të mundshme që procesi i integrimit të tyre drejt NATO-s të eci me hapat e merituara".

Pasiqë përmendi Kartën Adriatik 3, Berisha u pyet edhe se "çfarë do të bëni për të përmbushur boshllëkun e vendit të tretë që mungon sot, që është Maqedonia?".

Berisha korrigjoi fillimisht se Karta Adriatik 3 në të vërtetë është Adriatik 5, pasi janë shtuar Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.

Për sa i përket problemit të emrit dhe diskutimit që ekziston midis dy vendeve, Maqedonisë dhe Greqisë, Berisha tha se "ne shpresojmë që ky problem të zgjidhet në interesin më të mirë të të dy vendeve dhe të mbarë rajonit".

Këtu, kryeministri vlerësoi se "Maqedonia e ka vendin të sigurt në Aleancën e Atlantikut të Veriut, pritet vetëm zgjidhja e problemit që ka me Greqinë".

Meqenëse përfaqësimi i Shqipërisë në NATO do të zgjerohet, gazetarët kërkuan nga Berisha shpjegime si do të përzgjidhet stafi që do të punojë tashmë në NATO?

Kryeministri pranoi këtu, se kalimi i Shqipërisë si vend anëtar kërkon që përfaqësitë e tyre të plotësohen me të gjithë ekspertët e funksionarët zyrtare, si dhe me të gjithë teknologjinë më të fundit që meriton kjo anëtarësi.

Kurse premtoi: "Shqipëria nuk do të kursejë asgjë për t'i dhënë mbështetjen përfaqësisë së saj këtu, që të përmbushë të gjithë detyrimet që rrjedhin nga përfaqësimi i Shqipërisë si anëtare e plotë në NATO".

e.l/NOA

KOMENTE