English

Edi Rama: E drejta kushtetuese për të votuar, po kërcënohet

Tiranë, 7 Prill NOA - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë sot në Priskë ku ka zhvilluar një takim spontan me banorët e këtij fshati.

Rama ka dëgjuar prej tyre mjaft dëshmi të familjeve me numër të madh pjesëtarësh të papunë apo në pension, të cilët e kanë fare të pamundur të pajisen me letërnjoftime. Dëshmitë e banorëve të fshatit Priskë, shumë pak kilometra larg kryeqytetit, flasin qartë për koston e lartë të këtyre letërnjoftimeve, për ata që jetojnë në fshat, apo që janë të papunë.

Nga Priska, Rama ka bashkuar apelin me të gjithë banorët e saj për letërnjoftime falas për të gjithë qytetarët, në mënyrë që të mos shkelet e drejta kushtetuese e askujt për të shprehur mendimin e tij me votë.

Një nga banorët e Priskës është shprehur sot në takimin spontan me Kryetarin e PS: "Unë jam familje me 6 pjesëtarë që votojnë, me një fjalë më duhen 6 karta, i thonë 72 mijë lekë, por unë s'kam mundësi që t'i marr. Ku t'i marr ato lekë, kur edhe jam pa punë?!"

Një tjetër banor i Priskës ka bërë thirrje për Kryeministrin: "Sali Berisha të marrë masa të pajisë komplet njerëzit me karta pa lekë, falas. As 30% e votuesve nuk arrijnë të votojnë këtu në këtë fshat sepse nuk marrim dot kartat."

Banori tjetër që ka dashur të tregojë pamundësinë e tij për pajisjen me letërnjoftim ka qenë një mesoburrë: "Ka shumë si unë, papunë jam, presin thesin me miell kalamajtë, jo të paguaj unë kartat e identitetit, prandaj qeveria duhet të vërë dorë. Ne duam të na jepen kartat falas. 6 veta, si mbahen me 100 mijë lekë?! 6 veta, mbi 60 mijë bëjnë kartat, por unë çfarë do ha?!"

Duke dëgjuar dëshmitë personale të shumë banorëve të këtij fshati Edi Rama u shpreh për kërcënimin qeveritar që i vjen të drejtës kushtetuese për të votuar:

"Të gjitha dëshmitë tuaja janë dëshmi kuptimplota, që tregojnë se jo këtu, por në të gjithë Shqipërinë, varfëria dhe papunësia që janë ulur këmbëkryq në çdo familje, veçanërisht në fshat. Varfëria dhe papunësia e bëjnë të pamundur blerjen e kartës, që deri në 28 Qershor është një e drejtë. E drejta e votës nuk blihet, e drejta e votës është një e drejtë e sanksionuar në Kushtetutë nga populli sovran dhe as mund ta shesë qeveria të drejtën, ashtu siç shet një shërbim".

Edi Rama pohoi se "ne duam që zgjedhjet të jenë shprehje e vullnetit të popullit, që duhet të votojë pavarësisht se sa mundësi ka për të blerë një kartë identiteti".

Kurse theksoi se "ditën e zgjedhjeve qytetaret dhe qytetarët janë të barabartë qofshin të pasur, qofshin të varfër, qofshin në punë, qofshin të papunë", - duke shtuar se - "për ne kjo është themelore".

Këtu Rama tha se "kjo e drejtë themelore, po kërcënohet nga kjo qeveri, që e ka taksuar këtë të drejtë", - duke nënvizuar se "kjo qeveri ka vënë një taksë mbi votën, një taksë të papërballueshme. Ne do të bëjmë gjithçka që të garantojmë të drejtën e votës së gjithsecilit".

Në këtë pikë, gjatë bashkëbisedimit me banorët e Priskës, Rama apeloi që duhet të reflektojë sa më parë për të hequr taksën mbi votën.

e.l/NOAÂ

KOMENTE