English

Kryeministri i FYROM, Gruevski, nuk uron Berishën për NATO-n

Shkup, 7 Prill NOA/INA - Kryeministri i Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), Nikolla Gruevski nuk e ka uruar homologun e tij shqiptar Sali Berisha për hyrjen e Shqipërisë në NATO.

Të gjitha partitë tjera duke përfshirë këtu edhe ish presidentin tanimë Branko Cërvenkovski e kanë uruar kryeministrin shqiptar, por mbetet akoma një enigmë përse këtë nuk e bën edhe kryeministri i Maqedonisë.

Nga kabineti qeveritar nuk kanë dhënë prononcime lidhur me këtë çështje, e cila nuk është konfirmuar edhe nga Tirana zyrtare.

Zëdhënësi i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Sheval Memishi theksoi se çdo urim i duket kryeministrit Gruevski si një dështim të tij që nuk arriti të marrë ftesën për anëtarësim.

"Me siguri ai këtë e bën me të vetmin qëllim që të mos reflektojë negativisht në rejtingun e tij personal dhe të partisë së tij", ka theksuar zëdhënësi i PDSH-së.

Ndërkohë, në partinë shqiptare në pushtet nuk kanë dashur të komentojnë këtë veprim të kryeministrit dhe vonesën e shkaktuar nga ana e Shkupit për të uruar shtetin shqiptar, roli i të cilit do të jetë vendimtar për shumë vend të rajonit në sferën e zgjerimit në kuadër të Aleancës Veriatlantike.

KOMENTE