Nga Jeffrey White*
Fushë Krujë, - Në vitin kur Agim Loci ishte 24 vjeç, miku i tij u përpoq të rrëmbente një vajzë. Dy vëllezërit e vajzës arritën të shmangnin këtë sulm në momentin e fundit. Por çështja nuk u ndal këtu: Familja dëshironte hakmarrje.
Por z.Loci morri një vendim tepër të pazakontë: Ai e mori mikun e tij, e lidhi, dhe e nxori në mes të fushës përpara gjithë familjes së vajzës.
"Unë u thashë, nëse ju doni ta vrisni atë, vriteni. Por më pas familja e tij do të vijë dhe do të vrasë një prej jush", kujton Loci.
"Sigurisht, askush nuk do ta vriste atë pastaj". Loci tani punon si një truproje pranë Ministrinë shqiptare të Drejtësisë. Por ai e konsideron atë ditë, 14 vjet më parë, si fillimin e një karriere të dytë të vështirë si një ndërmjetës vullnetar.
Krahas punës së tij në ministri, Loci është një prej koordinatorëve kryesorë për Komitetin Mbarëkombëtar të Pajtimit (CNR), një organizatë joqeveritare që punon për të vendosur besimin midis familjeve të përfshira në ciklet vdekjeprurëse të gjakmarrjeve, një zakon me rrënjë të thella në traditën e sanksionuar "sy për sy" të një kodi sjelljeje shumë-shekullor shqiptar.
Grindjet dhe vrasjet për hakmarrje kanë ridalë dukshëm në sipërfaqe prej fillimit të tranzicionit të këtij vendi ballkanik prej komunizmit drejt demokracisë dhe shpesh herë janë nxitur prej çështjeve të tilla themelore si konfliktet për pronësinë.
World Vision, një organizatë humanitare kristiane që vëzhgon Shqipërinë, thotë se më shumë se 5000 vetë janë vrarë nga gjakmarrja prej 1992. Rreth 1600 familje shqiptare nuk mund të dalin sot prej shtëpive të tyre sepse ato janë përfshirë nga gjakmarrje, vlerëson CNR-ja. Organizatat për të drejtat e njeriut vërejnë në veçanti impaktin që gjakmarrja është duke patur mbi fëmijët në vend: më shumë se 1000 fëmijë nuk mund të ndjekin shkollën për shkak të saj.
Diplomaci shëtitëse
Loci është një burrë i shkurtër por i fuqishëm, me vështrim ngulitës dhe me dorezën e pistoletës që duket poshtë bluzës së tij - pajisje standard për punën e tij si truproje. Disa herë në javë, ai punon në këtë zonë periferike me tregje të hapura dhe një trafik mbytës 30 minuta jashtë Tiranës.
Nga një zyrë modeste, ai koordinon vullnetarët e CNR-së kudo në Tiranën e madhe, ku më shumë se 114 familje vazhdojnë të jetojnë në izolim për shkak të gjakmarrjeve, prej të cilave vetëm në qytet.
Familjet kontaktojnë Locin me kërkesën që ai të ndërmjetësojë çështjet e tyre. Sidoqoftë, shpesh hapi i parë është vizita në familjen që kërkon hakmarrje dhe informimi i tyre se familja tjetër dëshiron falje. Ajo që vjen pas është një lloj diplomacie bazë shëtitëse, me Locin që çon dhe sjell mesazhe dhe mban të informuar familjen e ngujuar se cilat janë kërkesat e gjakmarrësve.
Shpesh, pajtimi vjen me një çmim për të paguar - kompensim që i paguhet familjes që dëshiron hakmarrje. Loci ndihmon në negociimin e kësaj shume.
Kjo mund të jetë një punë e rrezikshme. Në 2004, një vullnetar i CNR-së u vra në veri të Shqipërisë. Deri tani, Loci ka pajtuar më shumë se një duzinë gjakmarrjesh në vitet e fundit. Një dhuratë nga familjet menjëherë pas vendosjes së paqes është pagesa e tij e vetme. Por ai thotë se është duke vendosur një shembull për të tre fëmijët e tij.
"Dua t' jap fëmijëve të mi atë që babai im më dha mua: një emër të mirë", thotë ai. "dua që fëmijët e mi të kenë respekt për jetën që im atë më dha mua".
Tradita e vjetër akoma ka ndikim
Gjakmarrjet mund të duken si një anakronizëm në një vend që është ftuar për t'iu bashkuar NATO-s këtë pranverë dhe është duke e pozicionuar vetveten për të bërë një kërkesë zyrtare, potencialisht këtë vit, për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por në Shqipëri forca e traditës dhe modernizmi shfaqin një ndikim të njëjtë.
Shpesh, Loci duhet të respektojë një kod të nderuar sjelljeje megjithëse e lufton sesi ai aplikohet sot.
Ky kod, ose kanuni në shqip, daton në shekullin e 15-të dhe për shumë kohë ka shërbyer si një model për sjelljen sociale, duke qeverisur gjithçka nga ajo sesi të trajtohen të huajt dhe të rregullohen martesat sesi të paguhen taksat dhe të zgjidhen grindjet për pronësinë. Dhe ai ka nxjerrë një parim brutal: Gjaku duhet të jetë paguar me gjak.
Rregullat strikte kanë qeverisur gjithnjë këtë normë, që do të thotë, se vetëm vrasësi mund të jetë objektivi në një gjakmarrje. Megjithatë, ashtu siç aplikohet sot, anëtarët e familjes së vrasësit, përfshi gratë dhe fëmijët, janë gjithashtu objektiva, thotë Ismet Elezi, një profesor i jurisprudencës në Universitetin e Tiranës. Rezultati: Familje të tëra të mbyllura në shtëpitë e tyre, vendi i vetëm ku një vrasës nuk mund të marrë hak sipas kanunit.
Vrasjet për hakmarrje vazhdojnë akoma ta kenë origjinën e tyre në konfliktet e pronësisë. Gjykatat janë duke u marrë me 130.000 çështje të tilla, pjesa më e madhe e të cilave e ka burimin nga konfiskimi i tokave të epokës-komuniste dhe rikthimi më pas i tyre.
CNR-ja vlerëson se 30% e tyre nuk do të zgjidhen sipas dëshirave të familjeve, duke shtyrë shumë prej tyre t'i marrin këto çështje në duart e tyre.
Të tjerët thonë se gjakmarrja është rishfaqur këtu për shkak të mungesës së ligjit dhe korrupsioni që ndoqi shembjen e komunizmit çoi në institucione jo të pajisura për të trajtuar çështjet me të cilat tradicionalisht mund të merrej kanuni, duke përfshirë nxjerrjen e kriminelëve përpara drejtësisë.
"Është mungesa e drejtësisë që ka sjellë këto gjakmarrje", thotë Gjin Marku, drejtor kombëtar për komitetin e pajtimit. "Shqiptarët nuk besojnë tek drejtësia. Ata besojnë se drejtësia është e korruptuar dhe shteti është gjithashtu i korruptuar". Loci e shpreh këtë më hapur: "Nëse ju sot keni strukturën e kanunit, kjo do të thotë se shteti nuk është duke funksionuar".
Qeveria, e cila ka minimizuar përhapjen e gjakmarrjes, duket se po e merr këtë çështje më seriozisht. Ajo ndryshoi këtë vit kodin penal duke e bërë gjakmarrjen të paligjshme dhe të dënueshme me 3 vjet burg. Ajo gjithashtu ka premtuar rreth 100.000 USD për të nxitur pajtimin dhe për të ndihmuar fëmijët të cilët nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të konflikteve për të marrë shkollimin që kanë nevojë.
Megjithë raportimin e më shumë se 100 gjakmarrjeve të reja çdo vit, CNR-ja thotë se familjet janë duke zgjedhur faljen.
Komiteti zakonisht pajton 50 gjaqe në një vit; në 2008, disa duzina vullnetarësh në të gjithë vendin kanë arritur të pajtojnë deri tani 60 gjaqe. Vrasjet për gjakmarrje kanë rënë me 50% këtë vit. Loci është duke trajtuar 7 raste, tre prej të cilave, thotë ai, janë pranë pajtimit. Por shpesh kjo mund të zgjasë 1 vit ose edhe më shumë. "Kjo është irrituese, sepse merr shumë kohë", thotë Loci. "Ju gjithmonë duhet të prisni".
Shpresë e zjarrtë në një ditë të ashpër
Në të vërtetë, dita kur Loci bën një raport mbi udhëtimet e tija është e mbushur me dhimbje - ashtu siç është edhe me shpresë. Loci nuk mund të sjellë gjithmonë lajme të mira. Këtë ditë, ai viziton familjen Puci, e cila është ngujuar prej Janarit, muaj në të cilin kryetari i familjes vrau dy anëtarë të familjes Ferhati.
Vrasja ishte për të marrë hakun për vdekjen e dy djemve të tij, të vrarë në 2004 nga një anëtar i familjes Ferhati, që i shpëtoi drejtësisë duke u larguar nga vendi. Një fotografi e vogël e dy vëllezërve është varur mbi murin e bardhë në një dhomë ndenjeje të pastër, të errët pasdite vonë për shkak se grilat janë të ulura plotësisht.
Loci i thotë vëllait të tretë Puci, i cili dëshiron që emri i tij i parë të mos përmendet, se familja Ferhati nuk është e gatshme për t'u pajtuar. Është shumë shpejt prej vrasjes së Janarit. Familja duhet të presë një vit përpara se të kërkojë falje, sipas kanunit. "Ne shumë shpejt do të na mbarojnë paratë", proteston z.Puci. Ka nëntë vetë në këtë shtëpi, përfshi 5 fëmijë të moshës 5 deri në 17 vjeç.
"Dikush duhet të shkojë në punë", thotë Puci. "Nëse ata do të shkojnë në punë, ata do të vriten. Si do të përfundojë e gjitha kjo?". Biseda midis Pucit dhe Loci bëhet shumë shpejt emocionale. "Kanuni duhet të respektohet", thotë Loci, duke u këshilluar durim.
Duke qenë i durueshëm, thotë Loci duke u kthyer në Tiranë, familjet "më respektojnë. Ato e dinë se unë jam i ndershëm, që jam duke luajtur në mënyrë të pastër me të dy palët". Ai ka qenë gjithmonë i aftë ti ofronte një inkurajim të madh Haziz Aruci, kryetari i familjes këtu (Fushë Krujë). Duke u takuar me Locin në katin e dytë të kafenesë, ai i tha atij se do të falte familjen tjetër për vrasjen e nipit të tij vitin e kaluar. Ajo familje ishte ngujuar prej asaj kohe. "Ne nuk duam të hetojmë më shumë për këtë. Ne duam paqe", tha ai.
Shpejt, anëtarët e të dyja familjeve do të takohen me njëri-tjetrin në një ceremoni formale dhe do të nënshkruajnë një deklaratë të filmuar që i jep fund grindjes. "Arritja e kësaj paqeje të bën të ndihesh mirë", thotë Loci.
(*) Marrë nga "The Christian Science Monitor"