Bruksel, 7 prill NOA - Pas anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, sot, në orën 09.45, me një ceremoni solemne u ngrit në selinë e NATO-s, në Bruksel, flamuri shqiptar, përkrah flamujve të 26 vendeve të tjera anëtare të Aleancës. Së bashku, me flamurin shqiptar, u ngrit edhe flamuri kroat, dy vendet më të reja të NATO-s.
Në këtë ceremoni, të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Jaap De Hoop Scheffer, delegacioni shqiptar kryesohej nga Kryeministri Sali Berisha.
Në përbërje të tij ishte Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha dhe ambasadori shqiptar në NATO Artur Kuko.
Ishin gjithashtu të pranishëm delegacioni kroat, i kryesuar nga Kryeministri Ivo Sanader edhe ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s.
Ceremonia ka nisur me himnin shqiptar, moment që është shoqëruar edhe me ngritjen e flamurit shqiptar. Më pas, është luajtur himni kroat, i shoqëruar gjithashtu me ngritjen e flamurit kroat.Â
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Scheffer, duke përshëndetur Kryeministrin Berisha dhe Sanader, u shpreh se "është nder shumë i madh që dy vendet tuaja zunë vendet e tyre në tryezën e Aleancës disa ditë më parë. Është kënaqësi shumë e madhe për të gjithë ambasadorët e NATO-s këtu, si dhe për mua personalisht t'ju shpreh mirëseardhjen tuaj këtu."
 "Aderimi i Shqipërisë dhe Kroacisë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Sigurisht, për këto dy anëtarë të rinj të NATO-s, për të gjithë rajonin dhe Aleancën në përgjithësi. Për Shqipërinë dhe Kroacinë, duke u bërë anëtarë i plotë i NATO-s është shpërblimi më i madh për përgatitjet që janë bërë për shumë vite, është një tregues i qartë i vizionit të atyre që për vite të tëra e kanë parë të ardhmen e tyre tek NATO", - u shpreh Scheffer.
Ai u shpreh edhe se "të dy këto vende tani do të kenë vendin e tyre në tryezën tonë, ku bëhen vendime për të formësuar sigurinë tonë euroatlantike dhe të dy këto vende tani mund të gëzojnë edhe garancitë më të mëdha të sigurisë që rrjedhin nga Traktati i Uashingtonit".
Hyrja në NATO e Shqipërisë dhe Kroacisë, vijoi Scheffer, përbën një shembull inkurajues për të gjithë vendet që ndjekin të njëjtin objektiv dhe bëjnë të njëjtin udhëtim.
Duke marrë fjalën në ceremoni, Kryeministri Berisha u shpreh se "për këtë flamur dhe për kombin që ai përfaqëson kjo është dita e lavdisë sime të madhe pas ngritjes së tij ditën e pavarësisë së Shqipërisë."
Berisha tha se procesi i anëtarësimit në NATO ka qenë motivi më i fuqishëm i veprimit të reformave të gjithanshme të mazhorancës.
"Reforma të thella kushtetuese dhe institucionale, me frymë të plotë konsensusi të paparë, - u shpreh Kryeministri - kanë ndodhur këto katër vite. Forcat tona të armatosura po shkojnë drejt një ushtrie profesioniste; kemi një buxhet mbi 2% të PBB-së dhe po aftësohen për të marrë pjesë në të gjitha misionet e NATO-s."
Emocionet e kësaj ceremonie u përcollën edhe në Tiranë, nëpërmjet një ekrani të vendosur në hyrje të selisë së Këshillit të Ministrave, duke u mundësuar qytetarëve shqiptarë ndjekjen e drejtpërdrejtë të këtij momenti historik për vendin.Â
Më 1 prill 2009, Shqipëria dhe Kroacia u bënë dy vendet më të reja të Aleancës së Atlantikut të Veriut, pas depozitimit në Departamentin e Shtetit në Washington, të Instrumentit të Aderimit. Për herë të parë, të dy vendet morën pjesë si anëtare me të drejta të plota në NATO-s, në Samitin e Aleancës më 3-4 prill, në Strasbourg-Kehl.
e.l/NOA