Durrës, 7 prill, NOA - Dëshira e një vajze nga Fieri për të udhëtuar me makinë në Durrës, por pa pasur një leje drejtimi, është shndërruar në tragjedi për një djalë të vogël që gjeti vdekjen pak orë më parë në qytetin bregdetar.
Viktima është Xhoni Recka, 12 vjeç, një fëmijë fatkeq që banonte në lagjen nr 13 të qytetit bregdetar.
Autore e dyshuar e aksidentit fatal, është Xheini R., 19 vjeçe, lindur në Fier dhe banuese në Durrës.
Policia tha sot (e Martë) për agjencinë e lajmeve NOA se ngjarja ka ndodhur në orët e vona të një dite më parë, në sektorin Hekuruldha të zonës së plazhit.
Vajza 19-vjeçare, duke lëvizur në bregdet me një veturë në pronësi të shtetasit Kastriot D., me targa DR 8161 E, ka aksidentuar 12-vjeçarin Xhoni Recka, banues në lagjen nr.13.
Fëmija është dërguar në spitalin rajonal të qytetit në gjendje të rëndë shëndetësore. Por megjithë përpjekjet e mjekëve, në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme ka ndërruar jetë.
Në lidhje me aksidentin, policia tha se materialet për veprën penale të "Shkeljes së Rregullave të Qarkullimit Rrugor" dhe "Drejtim mjeti pa dëshmi aftësie" do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
a.a/NOA