Shkup, 7 prill, NOA - Qarqe politike vlerësojnë se presidenti i ri i shtetit, duhet të bëhet i afërt me shqiptarët dhe të tregojë para së gjithash interes për problemet e hapura shqiptare në Maqedoni.
Po ashtu, është vlerësuar si një fiasko marrëveshja midis kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Fitorja dhe legjitimiteti i Ivanovit gjatë mandatit pesë vjeçar do të jetë përherë i kontestueshëm në aspektin politik, për shkak se nuk e mori pëlqimin e elektoratit shqiptar.Drejtori i Institutit për Studime Politike në Shkup, Rizvan Sulejmani, thekson se legjitimiteti i Ivanovit është i cunguar në një shoqëri multietnike siç është Maqedonia.
"Atij nuk do t'i mbetet gjë tjetër përveç se në periudhën që vjen, gjatë funksionimit të tij, do të bëjë çmos që t'u afrohet shqiptarëve. Në një mënyrë të bëhet i afërt me shqiptarët, të njihet me atë çka është kërkesa shqiptare, që ta ketë përkrahjen e shqiptarëve në ushtrimin e këtij funksioni, aq më tepër kemi parasysh se ai do të ketë një rol serioz në çështjen e emrit", theksoi Sulejmani për "Shqip media".
Sipas tij, mospërkrahja ka të bëjë me ofertën e tyre të zbrazët për shqiptarët por edhe për politikën e jashtme në planin e integrimeve në strukturat euroatlantike.
Profesori universitar prof.dr Jeton Shasivari ka deklaruar se edhe përkundër që presidenti Ivanov fitoi legjitimitetin me Kushtetutën, megjithatë sipas tij legjitimiteti i tij politik do të jetë i kontestueshëm nga shqiptarët, që nuk e votuan.
"Me mandatin e tij 5-vjeçar, legjitimiteti i tij do të jetë përherë i kontestueshëm në aspektin politik, për shkak se nuk e mori edhe pëlqimin e shumicës së elektoratit shqiptarë. Bojkoti që ndodhi nga elektorati shqiptarë për këtë kandidat flet se shqiptarët janë kundër personave që lidhur me emrin e shteti kanë mendime të shekullit të mesëm dhe të cilët kanë qëndrime rigjide për sa i përket çështjes së emrit që Maqedoninë dita - ditës e fut në izolim", u shpreh analisti Jeton ShasivariÂ
Aspekt tjetër sipas tij, është bojkoti i shqiptarëve për një fiasko të marrëveshjes midis Ahmetit dhe Gruevskit .
"Përfundimisht, shqiptarët manifestuan me vetëdije të lartë qytetare dhe politike për shkak se edhe bojkoti është për është porosi politike kryesisht e orientuar ndaj BDI - së për shkak se me këtë bojkot shqiptarët tregojnë se nuk janë të kënaqur me politikën të cilën e përfaqëson në emër të shqiptarëve BDI-ja në qeveri. Sidomos pozicioni i saj mjaft i dobët në këtë koalicion qeveritarë krejt fjalën dhe krejt pushtetin e ka VMRO-DPMNE-ja", ka theksuar Shasivari.
Sipas tij, VMRO-DPMNE po e rrumbullakëson pushtetin absolut në duart e saj, duke dominuar në Parlament, presidencë, Qeveri dhe pushtetin lokal.
"Personalisht nuk pres që kryetari i ardhshëm tu hakmerret shqiptarëve në ndonjë formë më të hapur. Mund të ketë tendenca që hakmarrjet e tija të vijnë në formën e bllokimit të proceseve të integrimeve euroatlantike përkatësisht bllokimin e shtetit në rrugën e tij për në NATO dhe në BE" , ka theksuar ligjëruesi universitar Jeton Shasivari.
NOA-INA