English

Selenicë, në vendin e asfaltit...

Nga Selenica, Ben Andoni

Edhe shiu, kur gërryente tokën, zbulonte mineralin në këto anë. Në atë vend që zbulohej, ajo do ishte pronë e të zotit të tokës. Kjo ndodhte në Selenicë, një vend që e kujton pafundësisht larg. Erdhën turqit, pastaj frëngu, anglezët, italianët...shqiptarët dhe sërish frëngu i ri dhe banorët filluan të punonin për ta...

Kështu, banorët u futën nën hyqëm. Çelebiu, në shekullin e XVIII, i sheh mirë qyqarët, që i përjashtuan nga taksat. Që atëherë Selenica ishte afër, por edhe shumë larg. Kjo ndjesi e çuditshme, të shoqëron edhe sot kur lë Vlorën e sotme. Sërish Selenicën e kujton afër...por ajo është tepër ‘larg'. Të 30 kilometrat e kësaj rruge përshkojnë disa qendra të banuara, ku kohë më parë komunistët shtuan edhe të internuarit, që zëvendësuan të burgosurit e dikurshëm. Si për ironi, ka mbetur kujtimi i qindra e qindra gropave që të shoqëronin në një rrugë, që dukej se nuk mbaronte. Vendi, që kishte asfaltuar aq rrugë të Evropës, ishte i destinuar, që të mos shtrohej. Fshatarët mbetën po ata. Me kosha. Të zinj. Të shtypur. U pakësuan vllehët. U shtuan myslimanët. Sot, në një asfalt, që është "i ngrënë" shumë anash rrugës...drejtohesh në vend. Të duhet të pyesësh, nëse nuk ke qenë herë tjetër. Patjetër, që kështu na duhet që të bëjmë dhe ne. Banorët, që pyesim, u duket si çudi kur i pyet. Në Selenicë nuk mund të ikësh për qejf. Një xhep, që do të shkosh vetëm për punë..dhe për ndonjë hall. Një punë tregtie mbase e solli një shekull më parë edhe Ismail Qemalin, që atëherë ishte në administratën e Stambollit.

"Thonë se del asfalt dhe zjarre si currila që shpërthejnë nga toka..dhe banorët e vendit thonë se jo larg këtij vendi është një zjarr...", shkruan diku Aristoteli.

Drejt Selenicës

Kaq u mjaftoi banorëve, që të shtojnë në historinë e tyre edhe emrin e tij pas Strabonit, Ami Bou, Çelebiut..etj. Sërish sot, nga Babica vazhdohet drejt Sherishtës dhe pak më pas, merret një kthesë majtas, që të afron me Peshkëpinë. Një urë e stërmadhe e Eurotermës, me përmasa bashkëkohore, të rrëfen se gjërat po ndryshojnë, kurse një rrugë paralele të afron me Lubonjën. Pastaj është Fusha e Armenit, në komunën me të njëjtin emër dhe shkohet në një fshat, që quhet Pisar. Përballë dhe përtej duket Llakatundi me disa pallate të zhveshura. 35 minuta më pas e gjejmë veten në zyrën, ku nënkryetarja e Bashkisë Shazie Xhaferraj, e laureuar në dy fakultete Agronomi dhe Biokimi. Është e para që na rrëfen për qytetin. Nëna e tre fëmijëve, shumë e edukuar, ka një kalendar, ku tregohet një rrugë Rome e asfaltuar me bitumin e Selenicës. Vazhdimi i saj dihet: Të 7000 banorët e saj jetojnë falë emigracionit dhe serës. Të 90 bizneset e vogla janë të pakta që të mbajnë 1400 familjet e qytetit. "Bizneset janë dyqane që bëjnë shitje me shumicë e pakicë, restorante dhe kemi dhe një fabrikë...që prodhon prodhime inerte dhe si edhe pak bujqësi".Kaq.

Intermexo

Baldaçi, një nga eksploratorët e njohur të Shqipërisë, na ndihmon me një vëzhgim të tijin: Objekti kryesor i ekskursionit të parë ishte Selenica. Prandaj e lamë rrugën e Beratit, shkojmë drejt Mallakastrës dhe Sinjës, kthehemi në juglindje dhe arrijmë në Selenicë. Ky fshat është i varfër me kasolle të banuara kryesisht nga vllehët e Myzeqesë, pjesa më madhe e të cilëve jetojnë në minierë. Dyqind metra larg grupit kryesor të kasolleve ngrihet ndërtesa solide dhe pasur e Drejtorisë së Shoqërisë.

Selenica të gjithë famën e saj e ka nga bitumi që nxirret nga toka dhe grumbullohet vazhdimisht në depozita të mëdha rreth fshatit.

Selenica shtrihet në shpatin jugor të malit të Treblovës, që e ka bazën e tij në luginën e Vjosës duke sunduar largësitë që e kanë kurrizin e tyre qendror në Malet e Çudesit dhe të Grivës. Në territorin e saj është një pjesë e mirë e vendburimeve bituminoze dhe e historianëve më të shquar të Lashtësisë, si Straboni, Vitruvi, Aristoteli, Plini, Eliani, Dian Kaso, Plutarku, pa përjashtuar edhe disa studiues të kohëve tona që janë marrë me Shqipërinë...

Vllehët

Njësoj, ajo, që të lidh me Selenicën është popullsia vllehe dhe bitumi. Këtë dimë të parën, por ajo do na mbetet deri në fund. Ilia, një intelektual 45 vjeçar i qytetit, që e takojmë pas kryetares- vlleh dhe nga një prej fiseve më të vjetra të Selenicës, Bombaj-sikletoset kur flitet për këtë argument. "Na kanë parë pak në mënyrë fyese dhe na lidhnin me emërtimin çobanë, që do të thotë ruajtës bagëtish, por e vërteta është ndryshe. Ndërtimet e kalasë dhe urat me harqe..dhe në zbukurimet me filigran kudo është dora e vllehëve". Në fakt, për shqiptarët, përzierja me ta duket se ka ndikuar për mirë. Jo më kot, që këtu kryqëzoheshin shumë karvane. Karvanet në Selanik dhe në Berat niseshin nga Selenica. Një tjetër zgjatej në drejtim të Italisë. Në këtë të fundit, shkonte dhe leshi, djathi, mishi. Ilia, na flet para një shtëpie të ngritur mirë, ku ka ngritur një jetë të qetë dhe të pastër. Është i sjellshëm dhe i kulturuar. Selenica, në sytë e tij, ka shumë prej vllehve. Por, si kryetar i këshillit Bashkiak mundohet të bëjë ekuilibrin. E respekton për vlerat e tij komunitetin mysliman dhe pastaj rrëfen për Kishën e madhe të Shën Thanasit dhe atë të vogël të Shën Sotirës.

Për qytetin

Të gjitha këto e kanë bërë Selenicës, që kur e kundron me sy të lirë, të japë ndjenjën e një qyteti intim. Pak banesat e kohës së socializmit të ndërthurur me shtëpitë private me kopshtet e pastra, të tregojnë më mirë për banorët dhe jetën e tyre. Duket se pas punës në minierë dhe bujqësisë, nuk kanë ditur të ngjallin ndonjë kureshtje për qytetin. Ca më shumë ata të pas '90. Ka qenë kaq e mënjanuar, saqë vetëm falë deputetit të zonës Reis Malile, u arrit të shtrohet me asfalt në 1970. Kurse qeveria e Berishës do të mbulonte gropat dhe do ta shtronte me asfalt vetëm në fund të viteve '00. Ani, kjo ka bërë që banorët e qytetit të ikin njësoj por me zorrët e patrazuara, kur largohen, ndërsa punonjësit ditorë me një hall më pak drejt Vlorës. Më fatlumët duken ata që punojnë në minierë. Këta janë të 100 njerëzit, që tash presin dhe rikonstruksionin e firmës frënge të shfrytëzimit të saj.

Tregtia-arsimi

B. A., 48 vjeçar, një nga punëtorët e dalë në pension, më flet me pezm. Nuk e do emrin, ndërsa ka një mllef me të gjithë. Ka punuar shumë në minierë, por tash jeton vetëm falë dy djemve, që ka jashtë. Dhe, kaq. E përforcon, C.G., por që është i veshur me keq se ai dhe ruan një qetësi gati post-mortum. Gjerb rakinë, dhe madje na ofron dhe ne. Me sytë e tij jemi në një vend katastrofë. Si për ironi, jemi përballë një Pallati kulture, që nuk funksionon dhe tej vinë zërat e disa adoleshentëve që luajnë bilardo...nën sytë e një bukurosheje turke seksi, që rri në mur, prej kushedi sa kohësh. Një vlleh, që e administron këtë, më rrëfen se qyteti është gati i vdekur. Dhe, në fakt nuk do shumë të kuptosh. Selenica është fshat-qytet. I ngjan shumë Memaliajt, edhe pse gruaja më jep tashmë një shifër tjetër prej 200 biznesesh. Të gjitha duken të pamjaftueshme për të zgjidhur përfundimisht papunësinë në qytet. "Ne trajtojmë me ndihmë ekonomike gati 170 familje, që janë 800 banorë. Sa për taksat, deri në këtë moment, jemi te 50% pasi shumë nga këto biznese janë në prag falimenti. Ka konkurrencë dhe është krijuar një psikozë se do ti paguajmë në fund të vitit. Zakonisht arrijmë 60-70 % të arkëtimit". Në qytet ka dy shkolla, që mbajnë gjithsej mbi 800 nxënës dhe një staf mësuesish mbi 40. Ka një qendër mjekësore dhe një mjek i përgjithshëm dhe shumë infermierë,... por lindja nuk bëhet...

Investimet-Si e keni gjetur..

Ekipi i ri i Bashkisë duket se është përshtatur mirë me qytetin dhe gruaja më ka rrëfyer se në çfarë gjendje e kanë gjetur. "Kemi bërë 14 investime. Kemi bërë sistemime të parkimeve, të rrugëve dhe ndërtim trotuare. Kemi bërë rrugë dytësore të veshur me asfalto beton. Po të vinit para 2005 do të gjenit një qytet të rrënuar ku në qendër do të ishte një hendek. Kemi bërë rikonstruksion të ujësjellësit dhe u rregullua rruga drejt varrezave, që ka qenë gangrenë. Niveli i energjisë megjithëse është ndërmarrje me vete është e mirë të gjithë e paguajnë veç rasteve sporadike...Uji, drita dhe telefoni paguhet." Vetëm se ujë ka vetëm katër orë në ditë dhe kaq nuk më duket shumë. Gruaja më shton se kanë bërë dhe oponencë me Drejtorinë e Rrugëve për rrugën e ngushtuar, që të sjell në qytet. Por, hiç. Ilia, sërish, tani si kryetar i Këshillit, ma përforcon se gjërat kanë ndryshuar, falë një ekipi të ri të Bashkisë dhe një koncepti ndryshe. Është duke bërë Fakultetin e tretë në Juridik dhe tepër i pasionuar, pas historisë dhe gjeografisë së zonës. Nga goja e tij ka vetëm mirësi për Selenicën, banorët...jetën. Njësoj dhe nga gruaja.

Tragjedia dhe miniera

I shikojmë, por ende nuk më ka ikur shija e keqe prej një të papuni, që kam takuar pak orë më parë. Ai ma ka bërë më zi se zi qytetin, ndërsa kam kaluar nga një gjendje e zbardhur tek një tjetër pak më reale. Të gjitha, në këtë vend, takohen te miniera. Ajo është përdorur rregullisht. Madje, në kohën kur shfrytëzohej nga Italia, të kishte dhe hekurúdhën e parë me dekovil. Transportohej sera, zhavorri deri në skelë dhe pastaj me anë të detit dhe pastaj ku ishin tregjet e tyre. Ata ishin të parët që reformuan punën sepse deri atëherë punohej me kosha dhe punëtorët i mbanin ato në shpinë. Në fakt, Selenica erdhi në vëmendje, kur më 24 shkurt ndodhi një tragjedi e paralajmëruar 2007. Minatorët kërkoni kushte dhe më shumë paga nga ato 200,000 lekë të vjetra, që merrnin. "Toka ka sekretet e veta ashtu si njeriu dhe po rrëmove shumë- prit reagimin. Nëse sillesh keq me tokën..p.sh. ato xhepat e gazit, ujit..nga një pakujdesi në mineral..ose nga një ndezje cigare mund të sjellë Kiametin. Jo se kujtoj me nostalgji, por më parë në të gjithë minierat kishte një kujdes teknik më të mirë". Ilia bëhet pak nostalgjik. Epilogu ishte i dhimbshëm. Vdiqën 12 njerëz nga Selenica dhe Romsi, nga Koculi dhe nga Resuli. Shteti u erdhi menjëherë në ndihmë. Në ditët tona miniera është duke u rikonstruktuar, ndërsa si zakonisht ata që nuk punojnë në të ankohen. Ata që punojnë heshtin dhe aprovojnë. Ilia, që më ka bërë një guidë të mirë, më thotë se ka mbaruar edhe një vëllim me tregime. Dhe, aty ka minierë. Një i moshuar me tetë fëmijë...dhe tragjedia e tij. Këtu është fundi. Me gruan, jam ndarë mirë pak më parë. Njësoj dhe me Ilian. Me burrat jam përshëndetur thjeshtë. Janë mbledhur qetazi në shtëpi. Një ditë i është shtuar qerthullit të tyre.

Pak më tej Qafës së Koçiut e pak më tutje në jug të shtegut, që shkon drejt Selenicës e lamë të ashtuquajturën rrugë shtetërore të Tepelenës për arsyen e thjeshtë së pari e ndërtuar sipas modës turke, bën një xhiro të gjatë dhe të panevojshme, duke kaluar anash disa kodrave që neve nuk na interesonin dhe së dyti e braktisur prej kohësh në fatin e vet ishte bërë plot gropa, gunga dhe ferra saqë nuk mund të ndiqnin kuajt...Unë doja të shuaja kureshtjen sesi shpenzohen paratë e popullit, i cili paguan haraçe të tranda vjetore pikërisht për rrugët,nën të cilat është e mbuluar djersa dhe gjaku i popullit për të majmur turmën e nëpunësve të lartë që janë shkaktarët e vetëm të vuajtjeve të dhimbshme që ka Perandoria Osmane, shkruan Baldaçi.

Selenica ka filluar të jetojë. Tashmë i duhet edhe pak më tepër vëmendje. Por që të bëhet kjo, do shumë punë. Zyrtarët janë optimistë, ndërsa populli do ti shikojë ndryshimet përballë. Ka mirësi vetëm në Selenicë. Shumë. Kudo. Njerëzit që kanë jetuar me minierën janë të sjellshëm. Me këtë kujtim largohemi. Ikim. Humbim në fushën, që sërish rruga i bie pak si anash... Shiu po përgatitet të bjerë, por nuk zbulon më asgjë. Vjeshtë 2008.

Materiali i konsultuar me Gjeografinë Fizike të Shqipërisë. Fjalorin Enciklopedik shqiptar. Udhëtimet e Çelebiut. Antonio Baldaçin dhe librin e autorit Ilia K.Bombaj "Miniera e Selenicës"

Për Selenicën

Zona kodrinore e Selenicës, si gjithë zonat kodrinore që bëjnë pjesë në Ultësirën tonë bregdetare, ka një klimë të lagësht dhe të butë. Temperatura mesatare vjetore në Selenicë është 16ºCelsius, mesatarja e janarit është rreth 8º, kurse ajo e gushtit- muaji më i nxehtë 24.3º gradë. Sasia mesatare e reshjeve luhatet nga 970 mm në Selenicë. Rreth 75% e shumës vjetore të reshjeve bien në gjysmën e ftohtë të vitit. Muaji më i lagësht është dhjetori, ndërsa më i thati korriku (raporti ndërmjet tyre luhatet nga 6:1 për Selenicën)

Bitumi i Selenicës

Bitumi i Selenicës ka qenë i njohur dhe është shfrytëzuar që para erës sonë. "Aristoteli, Straboni etj., kanë shkruar për Selenicën dhe për bitumin e saj, që eksportohej në vende të ndryshme të pellgut të Mesdheut".

Në vitin 1835, këtë minierë e kanë shfrytëzuar shoqëritë e huaja turke, ndërsa në vitin 1875 ato angleze dhe franceze dhe që nga viti 1918, shoqëritë italiane. Nxjerrja më intensive është bërë prej shoqërisë konçesionare italiane SimSa, e cila deri në vitin 1944 ka marrë 420 mijë ton bitum të pastër nga kjo minierë. Në vitin 1944 miniera kaloi në pronësi të shtetit, duke u shfrytëzuar deri në vitin 1990. Prej vitit '97 miniera është administruar nga shoqëria private franceze " SELENICE BITUMI"."

Çfarë është asfalti

Asfalti është një bitum natyror i zi, i ngurtë ose gjysmë i ngurtë. Ai formohet si rrjedhim i shndërrimeve natyrore, gjatë të cilave largohen komponentët flurorë dhe bëhet oksidimi dhe polimerizimi i naftës. Në vendin tonë gjendet burimi i asfaltit të Selenicës, një nga më të vjetrit. Atje, asfalti gjendet në trajtën e trupave thjerrëzorë në përmasa të ndryshme brenda shtresave argjilorë dhe ranorë të pliocenit....Si gjendet

Në shtresën e tokës ndodhet sipas shtresës. Është një mineral me shkëlqim të dukshëm dhe shoqërohet me zhavorr, që është po me ngjyrë të zezë dhe përdoret si lëndë djegëse. Rëra hiqet me vete se dallohet dhe shkon në repartin e shkrirjes dhe aty bëhet shkrirja dhe lëngëzohet. Nëpërmjet sistemit të derdhjes dhe ulluqeve derdhet në forma të rrumbullta si djathi dhe që aty si kallëpe shkon atje ku kërkohet. Tregu e kërkonte në shumë vende se gjen shumë përdorim. Ajo është përdorur për izolimin e banesave, anijeve etj.

Çelebiu: Si e pashë Selenicën

...Që këndej, pas dy orësh kaluam me anije lumin e Gjirokastrës në katundin e Mëkatit dhe hymë në territorin e Vlorës. Në këtë vend është një mal me zift. Këtu punojnë shumë punëtorë, të cilat kanë hapur me qindra shpella, nga të cilat nxjerrin zift në copa të mëdha si arka dhe këto copa minerali administratori ua shet tregtarëve frëngj, të cilët vinë dhe e blejnë menjëherë. Shfrytëzimi i këtij minerali bëhet me koncesion dhe i dhuron thesarit të shtetit shtatë barrë akçe.

Punëtorët e kësaj miniere, të cilët vinë këtu nga njëzetë katunde myslimanësh përreth , si shpërblim për punën e tyre janë përjashtuar nga të gjitha taksat shtetërore. Por veç këtyre në këtë minierë punojnë duke qenë të lidhur me pranga edhe të gjithë kriminelët e dënuar me burgim të përjetshëm.

Me mijëra tregtare sigurojnë jetën familjare me tregtimin e këtij minerali. Pranë këtij mali me mineral u diktua një tjetër mal i pasur për të cilin administratori i raportoi Portës Mbretërore. Porta menjëherë e dha me koncesion kundrejt një shume prej 10 barrë akçe.

Këto male janë çudia e të madhit Zot. Sipër ato janë të mbuluara me gjelbërim ndërsa në brendësi të tyre janë mbushur me serë të zezë.

Pasi e shëtitëm këtë mrekulli të Zotit, u hipëm kuajve dhe kaluam Ujët e Bardhë, i cili bashkohet me ujët e Gjirokastrës. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë larg këtij lumi, në një skaj fushe të pasur me vreshta e kopshte, ndodhet katundi i Mekatit me një xhami që bie në sy...

Bashkëlidhur: Foto nga Selenica

KOMENTE