English

Shqipëria dërgon Kontigjentin e dytë Paqeruajtës në Çad

Tiranë, 7 prill NOA - Në aeroportin ushtarak të Rinasit u zhvillua ceremonia e nisjes së Kontigjentit të 2-të Paqeruajtës në Çad. Është hera e dytë që Forcat e Armatosura angazhohen në një mision paqeruajtës në Afrikë, nën flamurin e Kombeve të Bashkuara.

Kontigjenti shqiptar ka në përbërje të tij 63 trupa, përkatësisht: 9 oficerë, 25 nënoficerë dhe 29 ushtarë profesionistë, me komandant kapiten Mentor Palluçi.

Misioni do të zgjasë 6 muaj dhe do të ketë si detyra kryesore: shoqërimin e konvojave, shoqërimin e personaliteteve, ruajtjen e objekteve të veçanta dhe të sigurisë në bazë etj.

Ministri i Mbrojtjes z.Gazmend Oketa ka shprehur nderimin dhe krenarinë, që mori pjesë në këtë ceremoni të përcjelljes së kontigjentit të dytë paqeruajtës në Çad, vetëm 3 ditë pas përfundimit të Samitit të Strasburgut, samit ku Shqipëria u pranua anëtare me të drejta të plota në NATO dhe po ashtu, kur vetëm disa orë më parë në Bruksel është ngritur Flamuri Shqiptar, përkrah flamujve të tjerë të vendeve anëtare.

Duke vijuar më tej, ai ka theksuar faktin se tashmë misionarët tanë nisen si ushtarakë të Aleancës më të madhe të Atlantikut të Veriut.

Në këtë konstekst, merita më e madhe u takon pikërisht atyre, që me kontributin e tyre kanë nderuar flamurin kombëtar; kanë nderuar misionin e rëndësishëm të ushtarakut.

Ministri Oketa shprehu bindjen e thellë, se tashmë më një arsye më shumë dhe me një motiv më të fortë, kontigjentet tona kudo në botë, po kështu dhe kontigjenti i dytë i Çadit, do të vazhdojnë përmbushjen me sukses të plotë të detyrës, sikurse edhe kontigjenti paraardhës.Â

Një urim dhe falenderim të veçantë, ai përcolli edhe për familjarët e tyre.

Në fund të fjalës përshëndetëse, Ministri i Mbrojtjes i ka uruar paqeruajtësve të Çadit udhë të mbarë dhe kthim të mbarë në Atdhe.

e.l/NOA

KOMENTE