English

Vigjilenca, si nevojë përballë krizës që po avitet

Nga Ridvan Bode*

Ministër i Financave

Do të dëshiroja të falenderoja Fondin Monetar Ndërkombëtar, misionin në Shqipëri dhe grupin që ka ardhur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për disponimin e vazhdueshëm në bashkëpunimin tonë, ndihmat dhe këshillat që i japin qeverisë shqiptare, për adoptimin e politikave më të përshtatshme në kuadrin e krizës globale dhe të impakteve që ajo mund të ketë për ekonominë shqiptare.

Ne këto ditë diskutuam me misionin që ka ardhur, dëgjuam konsideratat e tyre dhe vlerësojmë se kriza e përgjithshme, kriza globale, sigurisht që bën një presion të vazhdueshëm mbi ekonominë e vendeve të rajoneve, në mënyra dhe në forma nga më të ndryshme. Për këtë arsye, qeveria shqiptare vijon të mbetet vigjilente për të mundësuar marrjen e masave në kohë ndaj çdo impakti që mund të ketë kjo krizë në ekonominë shqiptare.

Ajo që vërehet në periudhën tremujore të vitit të parë në vijim ka të bëjë me një stabilizim në sistemin financiar, në tregun bankar; një stabilizim po ashtu në kursin e këmbimit të monedhës shqiptare me valuta të huaja; si dhe një pozicion i pandryshueshëm i bilancit të eksporteve, vëllimi i eksporteve në fund të tremujorit të parë është në të njëjtin nivel që ndodhet me një vit më parë; ndërkohë ka një ngadalësim të ritmit të të ardhurave të buxhetit të shtetit, duke mundësuar që të vijojmë të jemi ndër vendet e pakta me rritje të të ardhurave në buxhet, në krahasim me një vit më parë, por me një ritëm më të rënë nga rreth 11% që është programi për vitin në vijim në tremujorin e parë vërehet vetëm një rritje prej 7% e të ardhurave në buxhet.

Kjo rritje e të ardhurave në buxhet është më stabël sa i takon aktivitetit ekonomik të brendshëm të vendit, pasi të ardhurat në administratën tatimore janë konform programit dhe rreth 12% më të larta në krahasim me një vit më parë.

Ndërsa në vëllimin e importeve, në të ardhurat nga importet kemi një diferencë në krahasim me programin, duke qenë gati në të njëjtin nivel me një vit më parë. Kjo i dedikohet rënies së çmimeve në tregun botëror.

Në tremujorin e parë të vitit të kaluar për shkak të çmimeve të larta që ka pasur tregu i karburanteve, i drithërave dhe i materialeve të ndërtimit, që në tremujorin e parë të këtij viti gjenden më shumë se të përgjysmuara deri në tre herë më të ulëta. Ato kanë krijuar një diferencë, e cila mendojmë se do të kapërcehet duke filluar nga muaji maj, kur krahasimi i çmimeve bëhet i njëjtë, nëse çmimet nuk do të vijojnë të kenë një rënie të mëtejshme.

Në këtë kuadër, pra qeveria po ndjek me vëmendje ekzekutimin e buxhetit. Ne jemi konform programit sa i takon shpenzimeve dhe synojmë që po ashtu në të ardhura të rikapim diferencën prej 3 miliardë lekë të mbetur të parealizuar nga tremujori i parë, siç thashë nga sektori doganor, çka përbën një impenjim shtesë për periudhën e ardhshme. Â Nga ana tjetër, do të konfirmoj se qeveria do të vijojë të mbajë kontigjenca të mëdha në buxhetin e shtetit për të përballuar rrisqe të mundshme, qoftë rriskun e të ardhurave, qoftë dhe rrisqe të tjera të mundshme që mund të vijnë nga presioni i krizës ndërkombëtare në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Ne përveç, shumës 20 miliardë lekë të reja, 2% të PBB-së që kemi në kontigjenca, mendojmë që të destinohet tërësisht për të garantuar stabilitetin në perspektivë dhe për të mënjanuar rrisqe e mundshme financiare dhe ekonomike, edhe të ardhurat që do të vijnë nga privatizimet, shuma e të cilëve përllogaritet sipas shumave të kontraktuara, rreth 260 milion euro dhe do të jemi këmbëngulës dhe të shpejtë në kontraktimin e kredisë që do të merret në tregun bankar ndërkombëtar, për ta bërë të mundur që të jetë disponibël në mes të muajit maj.

Qeveria mendon se përballë presioneve të krizës ndërkombëtare të mbajë një qëndrim proaktiv. Jo vetëm të mbajë kontigjenca të larta, të cilat shkojnë deri në rreth 5% të PBB-së, por të mund të përdorë pjesë të këtyre kontigjencave për të qenë aktivë në mbështetje të përpjekjeve për të mos u prekur nga kriza.

Mendojmë që të veprohet në dy drejtime, së pari në nxitjen e kërkesës përmes politikës tashmë të deklaruar tashmë të rritjes së pagave dhe pensioneve dhe së dyti, përmes një mbështetjeje në anën e ofertës, uljes me rreth 5 pikë përqindjeje të kontributit shoqëror, taksës së punës që paguajnë kompanitë.

Në vijimësi do të jemi ndjekje, dhe jemi në konsulta të vazhdueshme me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të dëgjuar sugjerimet dhe këshillat e tyre dhe për të mundësuar një zhvillim stabël, të qëndrueshëm të ambientit ekonomik dhe makroekonomik shqiptar, si dhe për të mos lejuar që vendi të përfshihet nga turbulenca të krizës, të cilat do të kishin një kosto të lartë për të rikuperuar situatën edhe një herë në vend.

Do të desha të falënderoja Fondin dhe i siguroj se ne do të jemi gjithmonë të hapur për të vijuar kontaktet tona të shpeshta, për të marrë konsiderata dhe për të ndjekur zhvillimet jo vetëm ën ekonominë shqiptare, por edhe në tregun rajonal dhe në atë botëror, pasi çdo ekonomi impaktohet nga këto zhvillime.

(*)Fjala e mbajtur sot, në takimin me FMN-në

KOMENTE