Tiranë, 7 prill, NOA - Interpol Tirana bëri të ditur për agjencinë e lajmeve NOA se ditën e sotme në orën 11:30, ka kryer ekstradimin nga Milano e Italisë drejt Shqiperisë të 46- vjetarit Ahmet (Amedeo) Baçit lindur në Shkodër.
Sipas informacioneve të dhëna për NOA-n, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin nr. 122, datë 15.02.2001, e ka dënuar shtetasin Ahmet (Amedeo) Baçi, me 13 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të vjedhjes me anë të mashtrimit, parashikuar nga neni 143 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Në muajin mars 1994, Ahmet Baçi, duke qënë ortak i vetëm dhe administrator i shoqërisë "UNIVERS', me seli në Vorë, Tiranë, ka filluar aktivitetin kriminal të mashtrimit në formën e huamarrjes duke vjedhur me anë të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit pasurinë e qytetarëve të ndryshëm, duke i premtuar se paratë do ti investonte në aktivitete fitimprurëse. Ky aktivitet kriminal është kryer për një periudhë kohore prej vitit 1994-1997 dhe ka rezultuar se është vjedhur pasuria e 160 personave, e cila është vlerësuar në një shumë totale prej 2.436.361 USD. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën më datën 22.04.2008, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Ahmet (Amedeo) Baçi. s.v/NOA