Tiranë, 8 Prill NOA - Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama ka qenë sot pranë komunitetit egjiptian që jeton në Bregun e Lumit, në periferi të kryeqytetit.
Gjatë bashkëbisedimit me këtë komunitet, duke marrë shkas nga Dita Ndërkombëtare e Romëve, një tjetër shtresë në nevojë, është shprehur se nuk duhet pritur një Ditë Ndërkombëtare për këto komunitete për t'u premtuar lehtësira punësimi dhe shkollimi, por qeveria duhet të jetë çdo ditë pranë tyre me politikat e saj sociale.
Duke dëgjuar dëshmitë e komunitetit egjiptian për pamundësinë e jetesës prej kushteve tepër të vështira ku ata ndodhen. Edi Rama dëgjoi veç të tjerave pohimet e tyre për pamundësinë e pajisjes me karta identiteti.
Rama u shpreh se është e patolerueshme që të taksohet një e drejtë kushtetuese siç është e drejta e votës, kurse shtoi se "kjo nuk duhet të ndodhë me asnjë shtresë të popullsisë".
Berisha komentoi vendimin e kryeministrit që romëve  t'u jepen kartat e identitetit falas që të votojnë.
"Por ka përveç romëve, edhe egjiptianë, të cilat po ashtu si romët janë të papunë, janë të varfër dhe nuk marrin dot kartat, por ka edhe te tjerë, që s'janë romë, s'janë egjiptianë, por janë shqiptarë dhe shqiptare të papunë, sepse papunësia dhe varfëria janë ulur këmbëkryq dhe të gjithë duhet t'i marrin kartat për të votuar në mënyrë që një e drejtë themelore e njeriut, që është në kushtetutë, qofshin gra, qofshin burra, qofshin romë, qofshin egjiptianë, në fshat e qytet e kudoqofshin, nuk mundet dot të shitet dhe nuk mundet dot të blihet", - theksoi Rama.
Ai shtoi se "është një e drejtë që duhet ta ketë secili dhe që ne do luftojmë deri në fund që të garantohet për secilin, në mënyrë që çdo njeri në këtë vend ta bëjë zgjedhjen e tij dhe të zgjedhë atë që do".
"Sepse nuk mund të presim, - vijoi ai, - që të ketë një ditë ndërkombëtare të të papunëve që të shkojë kryeministri të takojë të papunët dhe t'ju japë kartën falas, nuk mund të presim të ketë një ditë ndërkombëtare të fermerëve dhe të bujqve që hedhin prodhimin në lumë dhe s'kanë para të mbijetojnë, që kryeministri të shkojë dhe t'ju japi kartën falas, nuk mund të presim që të ketë një ditë ndërkombëtare të atyre që përditë dalin rrugët të papunësisë sepse bizneset nuk po mbijetojnë dot në kushtet e krizës, që kryeministri të shkojë në rrugë t'u japë kartën falas. Nuk mundet dot të vihet një taksë mbi të drejtën", - përfundoi Rama.
e.l/NOA