English

Flamuri i çlirimit

Nga Sali Berisha

Kryeministër

Â

Në këtë moment solemn, të ngritjes së flamurit të NATO-s, si një vend anëtar i saj, dëshiroj t'ju përshëndes përzemërsisht dhe t'ju uroj edhe njëherë: Gëzuar këtë arritje historike, gëzuar anëtarësimin në NATO!

Sot, ne ngritëm në Tiranë, në Shqipëri, flamurin e NATO-s , Aleancës më të fuqishme politike dhe ushtarake që kohërat kanë njohur, flamurin e lirisë.

E themeluar 60 vite më parë në Uashington nga Presidenti Truman, me qëllimin e madh të mbrojtjes së vlerave të lirisë që vendet themeluese ndanin, të shndërrimit të armiqve të djeshëm në miq dhe aleate, Aleanca e Atlantikut të Veriut vjen sot, në këtë 60 vjetor, me flamurin e saj më madhështor, më të lavdishëm se kurrë në tërë ekzistencën e saj. Aleanca, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, u shndërrua në faktorin përcaktues të frenimit të ekspansionit të çmendur sovjetik në Evropë, të parandalimit të sovjetizimit të Evropës.

Aleanca, me vlerat, me garancinë që i dha lirisë bëri të mundur që sistemi i vlerave të ngadhënjejë në mbarë botën e lirë. Aleanca e Atlantikut të Veriut u shndërrua në faktorin më përcaktues të shembjes së murit të Berlinit dhe të çlirimit të mbi 400 milionë qytetarëve të Evropës dhe Azisë Qendrore, që lëngonin nën shtypjen e egër të regjimeve totalitare.

Në këtë kontekst, ne, qytetarët shqiptarë, por edhe të të gjitha diktaturave të tjera ish komuniste, i detyrojmë shembjen e sistemit, çlirimin nga barbaritë e tij, Aleancës së Atlantikut të Veriut. Por, në dallim nga mbarë popujt e tjerë, për ne, flamuri i NATO-s, krahas flamurit kombëtar, është flamuri i shenjtë i shqiptarëve. Ky ishte flamuri, i cili, 10 vite më parë, çliroi së bashku me flamurin kombëtar, 2 milionë shqiptarët që po përjetonin barbaritë, mizoritë më të egra në Kosovë. Me çlirimin e Kosovës, flamuri i NATO-s është flamuri krahas flamurit kombëtar, është flamuri i dinjitetit tonë, është flamuri që i bëri të lirë shqiptarët, u dha atyre të drejtën, mundësinë të këndojnë këngën e lirisë, të ndërtojnë të lirë të ardhmen e tyre, në trojet shekullore mijëvjeçare ku jetonin.

Ndaj në këtë ditë, të angazhohemi se qeveria e këtij vendi, institucionet, shoqëria shqiptare, shqiptarët kudo që janë do të konsolidojnë me vendosmëri vlerat e mëdha që Aleanca ka mbrojtur, parimet e mëdha mbi të cilat Aleanca është ngritur e ndërtuar. Le të angazhohemi se për t'iu përgjigjur kërkesave të saj, do të votojmë çdo ligj, do të marrim çdo vendim, do të programojmë çdo reformë dhe ne, shqiptarët, gjithnjë do të ndodhemi në lartësitë e flamurit tonë kombëtar, në lartësitë e flamurit të NATO-s, flamurit të lirisë.

Do ta mbyll fjalën time duke u shprehur mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre vendeve dhe institucioneve që, me bujarinë e tyre, bënë të mundur që dje, në Bruksel, të valëvitej krenar flamuri kombëtar i Shqipërisë, sot, në Tiranë të ngrihet e të valëvitet krenar flamuri i Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Një mirënjohje më të thellë, më të veçantë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kombit të madh amerikan, Presidentit të Shteteve të Bashkuara, mbështetja e të cilëve në përpjekjet tona ka qenë përcaktuese për arritjen e këtij suksesi.

Nga ky shesh, të përshëndesim ushtarakët tanë, në Afganistan, në Bosnje, në Çad, kudo që janë, misionarë të paqes, të integrimit, ambasadorë të shkëlqyer dhe dinjitozë, të përfaqësimit të kombit tonë, të përshëndesim edhe një herë Forcat tona të Armatosura për reformat e thella dhe aftësinë e tyre, institucionet ligjvënëse, të zbatimit të ligjit për vendosmërinë që treguan në shembjen e murit të krimit të organizuar, administratën e vendit për reformat e gjithanshme që ndërmori, me të cilët bëri të mundur shembjen e murit të korrupsionit, si dhe të gjithë ata qytetarë, zyrtarë, politikanë të të gjithë spektrit politik që, me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë, bashkëpunuan në reformat e mëdha që bënë të mundur anëtarësimin e vendit tonë në NATO.

(*) Fjala e mbajtur sot në ceremoninë e ngritjes së flamurit të NATO-s, në Shqipëri

KOMENTE