Tiranë, 8 prill, NOA - Partia Socialiste ka shprehur sot publikisht shqetësimin e saj i cili  lidhet me instrumentalizimin e policisë dhe përdorimin e saj për qëllime aspak të qarta e të cilat dalin jashtë misionit e funksionit të saj kushtetues.
"Banorët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë janë bërë dëshimitarë të faktit që punonjës policie trokasin në dyert e shtetasve duke kërkuar të dhëna, e informacion lidhur me emigrantët shqiptarë.
Gjithçka bazohet në telegramin 898 të datës 17.2.09 drejtuar gjithë strukturave të policisë ku kërkohet të evidentohen të gjithë shtetasit që deri në datë 28 Qershor mbushin moshën 18 vjeç dhe që aktualisht janë emigrantë duke pyetur njëkohësisht nëse do të kthehen apo jo për të votuar", tha përfaqësuesi socialist, Ilir Gjoni, lidhur me një fakt të tillë.
Ai shtoi se nisur nga fakti që deri më sot, sipas raportimeve të Ministrit të Brendshëm, nga 730 mijë shtetas pa pasaportë vetëm rreth 99 mijë kanë aplikuar;
"Nisur nga fakti që nga 3.1 milion votues deri tani kanë aplikuar për letërnjoftime elektronike vetëm 392 mijë dhe nga konstatimi faktik që listat paraprake të shpërndara nga ministria e Brendshme janë të mbushura me dublime dhe/ose shtesa apo mungesa emrash në listë, ky veprim nga ana e strukturave të policisë të urdhëruara nga eprorët e politizuar është i pajustifikueshëm ligjërisht", theksoi ai.
Më pas, Gjoni vuri në dukje faktin se Partia Socialiste u bën thirrje të gjithë punonjësve të ndershëm të Policisë së Shtetit të mos bien pre e presioneve antiligjore të shefave politikë, por përkundrazi të respektojnë ligjet e vendit dhe statusin e paanësisë politike të trupës së policisë.
"Strukturat e PS janë në monitorim dhe dokumentim të cdo shkelje apo përpjekje për shkelje të ligjit", përfundoi Gjoni.
n.e/NOA