English

Intervista/ Shkrimtari Fatos Kongoli: Jam në periudhën e meditimit

Tiranë, 8 prill, NOA - Me Fatosin kam qenë koleg në fakultet, në degën e matematikës ku studionim bashkë katër vjet dhe, më pas, gjashtë muaj në kursin e lartë për oficerë në Elbasan. Fatosi ishte një vit më i madh pasi kishte qenë për studime edhe në Kinë, ndërsa i vëllai Rolandi, bashkëmoshatar dhe bashkëkoleg gjithashtu.

Së bashku jemi takuar edhe në përvjetorët e mbarimit të studimeve universitare, madje bashkë me të kemi organizuar edhe takimin e parë të 20 vjetorit më 1987. Herën e fundit u takuam në maj 2007, për 40-vjetorin.

Jeta na dha drejtime të ndryshme, ndonëse edhe Fatosi e nisi me arsim në fshat për ca vjet. Por, ndërsa unë vazhdova mësuesinë, ai u mor me shumë sukses me krijimtari letrare, sa sot është bërë shumë i njohur jo vetëm brenda por edhe jashtë Shqipërisë.

Kohë më parë, atë e shpallën edhe "Nobelist të Ballkanit" për letërsi. Fatosi është lauretat i shumë çmimeve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Jo vetëm tematika por edhe mjeshtëria artistike e lartë i hapën rrugën drejt mijëra e qindra mijëra lexuesve në botë.

Mjerisht, vetëm dy vjet më parë pata rastin të lexoj një roman të tij, "Lëkurën e qenit" ndërsa këtë vit edhe atë më të freskëtin "Bolero në vilën e pleqve". Stili, kultura dhe vërtetësia që e përshkon veprën e tij më kanë bërë për vete dhe kanë ngjallur një respekt të madh për të si shkrimtar.

Dy vjet më parë, më vjen një mesazh nga Polonia, nga një botues atje, që ishte njëkohësisht edhe esperantist, sikurse unë. Tomasz Chmielik më lutesh ta ndihmoja në përkthimin në Esperanto prej tij të romanit "Lëkura e qenit" që i kish pëlqyer shumë. Atë vit romani qe botuar edhe në polonisht. Unë pranova me gjithë qejf dhe puna filloi. Tomasz më dërgoi përkthimin në dy pjesë dhe unë bëra vërejtjet e duhura duke e krahasuar me origjinalin në shqip. Tani përkthimi ka mbaruar dhe së shpejti romani del edhe në gjuhën Esperanto. Me këtë rast, i mora këtë intervistë Fatos Kongolit:

Â

Cili është vizioni juaj për Esperanton?

- Kam pas dëgjuar për të në fund të viteve 1950, kur isha gjimnazist. Shtypi atë kohë shkruante shpesh për këtë projekt ambicioz që synonte lehtësimin e komunikimit ndërkombëtar dhe që kërkonte ta bënte Esperanton një gjuhë të përbotëshme. Sigurisht, vetë ideja ishte shumë interesante dhe joshëse, aq më tepër që unë i pëlqeja gjuhët e huaja. Por nuk njihja ndonjë qendër mësimi të gjuhës këtu, as njerëz që e ushtronin këtë gjuhë, kështu që njohuritë e mia u kufizuan me atë që lexoja në gazeta. Më vonë u duk sikur ky interesim në shtyp u venit, mbase entuziasmi i fillimit ishte zbehur sepse edhe dëshirat nganjehërë nuk përputhen me mundësitë praktike. Ndërsa në ditët tona kam pasur mundësi të informohem më gjerësisht dhe kam marrë vesh që Esperanto funksionon, madje brenda një organizimi botëror të fuqishëm. Aq më tepër, më bën përshtypje të fortë dhe më ngazëllon faktin që edhe romanet e mia po nisin të përkthehen e botohen edhe në këtë gjuhë, e cila shënohet deri tani e 11-ta e huaj!

Â

Po me botuesit polakë, si u njohët?

- Kam pas takuar në Tiranë një çift të shquar, zotin Andzej Stashjuk, shkrimtar i njohur, me të shoqen, Monikën. Këta ndërmjetësuan që zonja Dorote Horodinska, një polake që e kishte mësuar shqipen vetë në vendin e saj, ta përkthente romanin direkt nga shqipja. Shtëpia botuese Çarnij e nxori në dritë më 2007. Shtoj se shtypi polak i bëri romanit një jehonë të madhe.

Â

Romanet tuaja kanë pasur sukses në Lindje. Si mendoni, cili është shkaku, tematika apo niveli artistik?

- Romanet e mia fillimisht janë përkthyer në Perëndim, sidomos në Francë. Publiku perëndimor ka qenë shumë i interesuar për ne, më shumë se ai i Lindjes që i ka përjetuar vetë ngjarjet e diktaturës komuniste, ndonëse në Shqipëri kjo e fundit ka qenë veçanërisht e egër. Gazeta dhe revista me prestigj në Paris kanë shkruar gjerë e gjatë për romanet e mia. Po ashtu edhe ato të vendeve të tjera si Britania, Gjermania, Spanja, Italia, Greqia. Sigurisht kjo ka ndikuar që emri im të bëhet i njohur edhe në Lindje, dhe romanet të botohen edhe në serbisht, sllovakisht, bullgarisht apo polonisht.

Â

Ju keni studiuar një vit në Kinë, ku keni mësuar edhe kinezisht. Do ishte interesante edhe një botim në këtë gjuhë të mbi një miliard e katërqind milionë njerëzve!

- Kjo varet jo nga unë, por nga botuesit. Unë, ç'është e drejta, e kam harruar kinezishten..por do më pëlqente që të përkthehesha edhe në atë gjuhë të madhe.

Â

Mbase nëpërmjet Esperantos kinezët do e përkthejnë në gjuhën e tyre..pasi këtë gjuhë në Kinë e mësojnë shumë njerëz.

- Mund të ndodhë edhe kështu.

Â

A keni në dorë ndonjë roman të ri?

- Jam në periudhën e meditimit. Gjithnjë mund të më lindë një motivim i ri. Por nuk kam hë për hë një ide të qartë për një roman të caktuar.

Â

A keni ndërmend të shkruani posaçërisht për të rinjtë?

- Unë nuk shkruaj me tematika. Por të rinjtë me siguri do jenë pjesë e romaneve të mia.

Â

Ju banoni herë herë edhe në SHBA, te fëmijët tuaj, a vazhdoni të shkruani edhe atje? Vërej se romanin e fundit e keni shkruar diku në Belgjikë..

- Sigurisht që atje vazhdoj të shkruaj. Ne Belgjikë qendrova shumë kohë në një vilë te një miku im, atje e përfundova romanin "Bolero në vilën e pleqve". Unë e kaloj kohën me punë krijuese.

Â

Intervistoi: Bardhyl Selimi

NOA

Â

KOMENTE