Korçë, 8 prill, NOA - U premtoi se do t'i çonte të sigurt drejt Greqisë nëse ata do ta paguanin me 3600 euro. Por nuk ka arritur ta përmbushë dot premtimin e dhënë, pasi të mashtruarit janë kapur menjëherë në kufi nga policia greke.
Të ndodhur në kushte të tilla, kur humbën edhe paratë, edhe s'mundën të shkonin dot në Greqi, dy qytetarët nga Elbasani kanë denoncuar menjëherë personin që u kishte marrë 3600 eurot.
Sipas të dhënave nga policia për agjencinë e Lajmeve NOA, fjala është për 41-vjeçarin Genci Koçi, lindur dhe banues në lagjen 9 të qytetit të Korçës.Ndalimi i tij nga policia u bë nën akuzën e mashtrimit të dy shtetasve nga qyteti i Elbasanit, duke u marrë 3600 euro, me premtimin e ndihmës për të kaluar kufirin për në shtetin grek, ku dhe janë kapur nga policia greke.
Policia ka kryer veprimet proceduriale për veprat penale të "Dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim fitimi" dhe "Mashtrimit" parashikuar nga nenet 298 e 143/2 të Kodit Penal.
n.e/NOA