English

Krimet e vjetra, si një plagë e shoqërisë që nuk po zhduket

Nga Ina Rama

Prokurore e Përgjithshme

Â

Mbledhja e sotme e të gjithë prokurorëve të Republikës zhvillohet me qëllim zgjedhjen e anëtarit të ri të Këshillit të Prokurorisë.

Duke përfituar nga prezenca e të gjithë prokurorëve në këtë auditor dhe pavarësisht se jashtë praktikës se zakonshme do të doja të shfrytëzoja këtë rast për të paraqitur në rang kombëtar disa rezultate të arritura nga organi i akuzës në vitin që shkoi si dhe të bëj prezent në një kontekst të përgjithshëm problematikën që është konstatuar në përfundim të të gjitha analizave vjetore të kryera në çdo rreth, të cilat në këtë vit janë zhvilluar në prezencën time.

Shërbimi i prokurorisë në vitin që shkoi në ushtrim të funksioneve të tij kushtetuese dhe ligjore, ka ushtruar ndjekjen penale duke hetuar dhe përfaqësuar akuzën në gjykim në emër të shtetit shqiptar në një numër të konsiderueshëm çështjesh, dhe për kategori të ndryshme veprash penale duke përballuar një volum të lartë pune.

Treguesit sasiorë

Me gjuhën e shifrave ky volum lexohet në 22042 procedime penale në ndjekje ose 2030 procedime më tepër se ç'kanë qenë në ndjekje një vit më parë.

Në të njëjtat linja qëndron edhe raporti i procedimeve të regjistruara rishtas në vitin 2008 e cila raportohet në shifrën prej 17352 ose 1376 me shumë se në vitin 2007.

Po kështu më i lartë prezantohet edhe numri i çështjeve të cilat i janë dërguar gjykatës në këtë vit, 7033 nga 6528 në vitin 2007.

Pa dashur të hyj në detaje shifrash ajo që rezulton në mënyrë të përmbledhur në analizë të tyre është se në vitin 2008 prokurorët e shtetit, kanë përballuar një volum pune ndjeshëm më të lartë se sa vitet e mëparshme, dhe sigurisht që kjo e dhënë lexohet si një e dhënë pozitive,që tregon për rritjen e efikasitet të punës së organit të akuzës në luftën kundër kriminalitetit si edhe për një evidentim më të plote të ngjarjeve kriminale. Rritja e këtij evidentimi është bërë në një pjese të konsiderueshme nga referimet që kane bërë oficeret e shërbimeve të policisë së shtetit por, në një masë te konsiderueshme gjithashtu edhe nga kallëzimet e depozituara nga shtetasit apo nga institucionet e tjera shtetërore.

Në çdo rast referimi më i plote i ngjarjeve kriminale është një e dhënë që tregon jo vetëm për një punë më të mirë të institucioneve shtetërore dhe ndërgjegjësim të shtetasve për të zgjidhur ligjërisht shkeljet e ligjit të konstatuara por, është pa dyshim një tregues pozitiv edhe në drejtim të rritjes së besimit të publikut tek organi i akuzës.

Treguesit cilësorë

Sigurisht që treguesit sasiorë nuk janë gjithmonë ato që të lejojnë të arrish në konkluzione të sakta në rast se nuk trajtohen së bashku me treguesit cilësorë të punës.

Në këtë drejtim përsëri duhet të themi se konstatohen të dhëna statistikore pozitive.

Konstatohet një numër më i lartë i vendimeve të mosfillimeve të çështjes penale, 4631 në 2008 ndërkohë që janë 4076 në 2007, e dhënë që tregon se është bërë një punë më e mirë vlerësuese e verifikuese e materialit kallëzues me qëllim shmangien e procedimeve të panevojshme penale, konsumimin e kotë të energjive njerëzore e shpenzimeve procedurale si dhe vendosjen e personave nën ndjekje penale pa të drejtë.

Gjithashtu rezulton një numër më i vogël i çështjeve të pushuara, 4333 në vitin 2008 nga 4937 në 2007. Duke patur parasysh se kemi rreth 2030 procedime penale, të ndjekura më shume në vitin 2008 raporti mes procedimeve të pushuara në këto dy vite thellohet edhe më shumë.

Në këto kushte mundemi të analizojmë këtë tregues si një të dhënë pozitive që flet, është vlerësuar me të drejtë momenti i regjistrimit të procedimit penal dhe është ulur numri i rasteve kur këto procedime nuk mund të vazhdojnë.

Të dhënat që lidhen me përfundimet e proceseve gjyqësore rezultojnë gjithashtu pozitive. Janë marrë 184 pafajësi në vitin 2008 nga 174 në 2007 por, duke konsideruar se janë dërguar rreth 500 çështje më shumë përpara gjykatës në vitin 2008 përsëri nën një metodikë krahasuese të dhënat prezantohen më të mira se në vitin që shkoi.

Ajo që ka ndryshuar ndjeshëm në favor të cilësisë së punës është ulja e numrit të çështjeve të pushuara nga Gjykata, në 192 në vitin 2008 nga 702 në vitin 2007, e dhënë që tregon për një vlerësim më të saktë dhe profesional të bërë prej prokurorëve të rrethanave që pengojnë vazhdimin e procedimit penal.

Në mënyrë të veçantë hop cilësor ndjehet në luftën kundër veprave korruptive dhe krimit ekonomik. Për sa i takon veprave korruptive, në vitin 2008 janë regjistruar 107 procedime penale me 82 persona të marrë si të pandehur nga 58 të regjistruara në vitin 2007 me 52 te pandehur. Po kështu shifrat prezantohen pozitive edhe në goditjen e krimit ekonomik. Ne vitin 2008 janë regjistruar 1601 procedime penale për këto vepra, me 946 persona marrë si të pandehur nga 1445 në vitin 2007 me 774 të pandehur.

Sipas asaj që raportohet dhe konstatohet, urdhri i përbashkët i Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrit të Brendshme "Për ushtrimin e funksioneve të policisë gjyqësore", me gjithë problemet e pritshme përgjithësisht është zbatuar në nivele të kënaqshme duke u pasqyruar kjo situatë edhe në rezultatet e hetimeve. Me kënaqësi konstatova se nga drejtuesit e policisë së shtetit pjesëmarrës në të gjitha analizat e zhvilluara nuk u prezantua ndonjë problematikë në zbatimin e këtij urdhri që vinte për shkak të punës së prokurorëve apo mënyrës se si ata zbatojnë urdhrin.

Ajo që në të vërtetë u prezantua si shqetësim nga prokurorët ishte niveli profesional i oficerëve të policisë së shtetit që merren me hetimin si edhe qëndrueshmëria e tyre në detyrë.

Problematikat

Pa dashur të ndalem në problematikat specifike të punës në prokurori të caktuara të cilat, janë diskutuar në mënyrë të veçantë në çdo analizë, e shoh të nevojshme të ndalem dhe të tërheq vëmendjen në ato problematika që u konstatuan si përgjithësisht të hasura në të gjithë sistemin duke ritheksuar nevojën e reflektimit serioz mbi:

1. Masa e sigurimit personal arrest në burg, mbetet shqetësim zbatimi i kushteve dhe kritereve ligjore në kërkesat që paraqiten në gjykatë për caktimin e kësaj mase. Prokurori ka detyrimin ligjor të analizojë me profesionalizëm çdo rrethanë të vlefshme në hartimin e kërkesës së tij për një masë shtrënguese ndaj një individi që sipas ligjit prezumohet i pafajshëm. Ajo që konstatohet është se ndër 4628 kërkesa për caktim të masave shtrënguese 2879 janë kërkesa për arrest në burg dhe nga këto gjykata ka pranuar 2584. Me vështirësi prokurorët aplikojnë për vendosje masash alternative sigurimi personal,dhe aplikojnë për arrest në burg edhe në rastet e kryerjes së veprave penale të lehta apo kur gjendemi para individësh me rrezikshmëri jo shumë të lartë.

Një situatë shqetësuese vërehet me aplikimin e kërkesave të masave të sigurimit arrest në burg edhe kur personi ndaj te cilit zhvillohen hetimet është i mitur të cilët, në shifra të konsiderueshme i gjejmë të përfshirë në vjedhje të sasive të vogla. Në mënyrë të veçantë për kategori personash duhet të konsiderojmë kontinuitetin e procese edukuese e integruese të tyre në shoqëri dhe të mos aplikojmë masa sigurimi që i japin në mënyrë definitive një drejtim negativ jetës së të miturit.

Arresti në burg apo edhe çdo masë tjetër shtrënguese është një masë e parashikuar nga ligji për të siguruar hetimin dhe jo komoditetin e prokurorit që heton çështjen. Një arrest në burg i vendosur pa të drejtë në rastin më të mirë do të konsiderohet si paaftësi profesionale dhe në rastin më të keq si një mjet presioni që përdoret ndaj personave të përfshirë në proces, për të lejuar prokurorët të demonstrojnë të gjithë pushtetin e tyre mbi ta dhe realizimin e përfitimeve të paligjshme.

Akoma më shqetësuese është kjo situate kur çështjet përfundojnë me vendime pushimi të marra nga vetë prokurorët, dhe konstatohet që individi ka qëndruar padrejtësisht në burg. Në këto raste kemi shkelur të drejtat e individëve, kemi dëmtuar imazhin profesional të institucionit dhe përgjithësisht kemi shkaktuar një dëm financiar për shtetin duke qenë se e gjithë kjo, përkthehet me një faturë financiare pas kompensimit për burgim pa të drejtë.

2. Rritja e numrit të çështjeve të drejtuara drejt goditjes së krimit ekonomik dhe korrupsionit, fenomenet më të dëmshme që shoqërojnë shoqërinë shqiptare. Në këtë drejtim ajo që konstatohet është se roli i prokurorisë në drejtim të zhvillimit të hetimit proaktiv është i ulët dhe prokurorët gjenden shpeshherë në pritje të referimeve nga policia e shtetit apo qytetaret. Prokurorët duhet të shfaqen më aktivë në regjistrimin e çështjeve të kësaj natyre duke shfrytëzuar njohuritë që ato marrin për ndodhjen e një ngjarje kriminale nga çdo burim i shfrytëzueshëm apo edhe nga çështje të tjera që ata kanë nëpër duar.

Duke vazhduar në të njëjtën linjë duhet të veçojmë faktin që përgjithësisht konstatohen pak çështje të nisura kryesisht nga prokurori, për të gjitha kategoritë e veprave penale. Ky pasivitet është i patelorueshëm kur shpesh herë faktet janë evidente dhe nuk mund të anashkalohen sepse, nisja e procedimit kryesisht është jo vetëm e drejtë por, edhe një detyrim ligjor i organit të akuzës.

3. Rifillimi i çështjeve të vjetra në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e policisë së shtetit. Çështjet e vjetra të pazbuluara janë një plagë e shoqërisë e cila, në rast se nuk shërohet nuk do të na lejojë të ndërtojmë mekanizma të shëndetshme në funksion të prosperitetit tonë kombëtar.

Në disa prokurori konstatohet një punë e lavdërueshme në këtë drejtim por, ka prokurori të tjera të cilat nuk e kanë vlerësuar seriozisht situatën. Parimisht në këto çështje duhet mbështetur çdo iniciativë e policisë për të rifilluar hetimet për një çështje të vjetër të pezulluar, duke menaxhuar më pas në vazhdim me kujdesin e duhur, aplikimin e masave të sigurimit në rast se ato do të shfaqen të nevojshme.

4. Pavarësisht se është një e dhënë më pozitive se një vit më parë mbetet shqetesues numri i pafajesive të marra në gjykatë. Në pak prokurori këto vendimarrje shoqërohen me një analizë të detajuar të cështjes për të idividualizuar përgjegjesitë dhe gabimet me qëllim shmangien e tyre në të ardhmen. Asnjë rast pafajësie nuk mund të kalojë pa u analizuar nga prokurorët bashkë me oficerët që kanë kryer hetimet. Në funksion të kësaj ideje do të kërkohet një raportim periodik në prokurori të pergjithshme për këto raste, pas analizës së bërë për to. Kujdes i veçantë duhet bërë edhe në rastet kur gjykata bën një kualifikim të ndryshëm ligjor të faktit nga ai i bërë nga prokurori, situatë që duhet të na bëjë të vlerësojmë maksimalisht momentin e ngritjes e komunikimit të akuzës.

5. Konstatohet se nuk janë ngritur ose nuk funksionojnë mirë komisionet disiplinore nëpër prokurori. Ngritja dhe funksionimi i komisioneve disiplinore dhe shkëputja nga raportet personale e familjaritetit që krijohen mes prokuroreve dhe oficerëve të policisë gjyqësore janë elemente që do të ndihmojnë në rritjen e cilësisë së hetimit, rritjen e autoritetit kontrollues së prokuroreve ndaj punës së oficerëve dhe në konkluzion do të çojë në një mbarëvajtje më të mirë të punës.

6. Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar hetimit financiar dhe sekuestrimit me qëllim konfiskimi të aseteve të personave nën hetim. Jemi të ndërgjegjshëm se goditja në financat e një individi që i ka ngritur bizneset e tij mbi aktivitetin kriminal është shkatërrimi i suportit themeltar që e mban atë në këmbë në një shoqëri të kapitalit. Prokurorët nuk tolerohen të anashkalojnë hetimin financiar qoftë në zbatim të K.Penal qoftë në zbatim të ligjit "Për parandalimin dhe goditjen e ligjit antimafia".

Në këtë drejtim ndjehet e nevojshme që të forcohet bashkëpunimi dhe të ngrihen struktura të posaçme me policinë e shtetit për të pasur në dispozicion të hetimit financiar jo vetëm background ligjor por edhe atë policor. E gjitha kjo duhet kuptuar se puna e një prokurori nuk do të konsiderohet se është e mirë në rast se ai ka lënë jashtë hetimit penal asetet e personit ndaj të cilit ushtrohet ndjekja penale edhe atëherë kur personi është ndëshkuar me një sanksion të lartë penal nga gjykata. Hetimi financiar nuk mund të konsiderohet më si një çështje opsionale por si një detyrim ligjor i pashmangshëm.

Duke e mbyllur do të kërkoja nga ju për vitin në vazhdim më shumë profesionalizëm, më shumë përkushtim më shumë dinjitet. Është një sjellje që ja detyrojmë shoqërisë për atë çka ajo pret prej nesh dhe shtetit shqiptar për detyrat që na ka besuar.

KOMENTE