Tiranë, 8 prill, NOA - Kryeministri shqiptar Sali Berisha në Ditën Ndërkombëtare të Romëve ka bërë premtimin e radhës se kjo kategori do t'i marrë falas kartat e reja të identitetit.
Ky lajm i mirë për të gjithë romët e Shqipërisë u bë publik nga kreu i qeverisë gjatë një aktiviteti të posaçëm të zhvilluar në kuadrin e ditës botërore të Romëve, ku u shpalos edhe strategjia e qeverisë ndaj kësaj shtrese.
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, në fjalën e tij, u ka kërkuar romëve bashkëpunimin e tyre për t'u regjistruar si dhe për të aplikuar për letërnjoftimet dhe ka nënvizuar se qeveria do të mbështesë këtë shtresë mjaft të varfër.
"Duhet të aplikoni për kartat, në mënyrë që të votoni lirisht"-tha kryeministri Berisha dhe nënvizoi se qeveria që ai drejton do të bëjë regjistrimin dhe shkollimin e tyre.
Ndërkaq, pritet që kjo masë e re e qeverisë të formalizohet përmes një vendimi të posaçëm qeverie në ditët e ardhshme.
n.e/NOA