English

NATO, ose ndjenja e më të fortit, më të sigurtit, më dinjitozit

Nga Jozefina Topalli

Kryetare e Kuvendit

Unë ndihem shumë e privilegjuar që jam sot në Durrës, që jam sot në këtë takim e rrethuar me vajza të reja, me nëna, me gra të zonja, me familjare të përkushtuara, me shtyllën e familjes, me shtyllën e shoqërisë.

Në çdo takim që kam pasur me gratë, në shumë qytete e në shumë fshatra, kam takuar gra me histori të ndryshme, me angazhime të ndryshme, por me një veçori të përbashkët, me atë që Zoti na ka dhënë vetëm ne, mrekullinë e lindjes së jetës, me gjënë më të shtrenjtë, me gjënë më të bukur, që gratë sjellin në jetë fëmijën. Dhe si një nënë me dy fëmijë, unë këtu gjej lidhjen më të fortë që ekziston mes nesh, si bijë, si nënë, si grua, e sot si politikane, ashtu si secila prej jush, nuk ka gjë më të rëndësishme në këtë botë sesa fëmijët. Nuk ka gjë më të shtrenjtë në këtë jetë sesa fëmijët. Nuk ka lidhje më të fortë në botë sesa fëmijët. Si çdo nënë në këtë botë, pavarësisht nga vendi, pavarësisht nga kushtet, pavarësisht nga edukimi, situata apo momenti, çdo gjë që gruaja bën në këtë botë, para se të bëjë për veten, e bën për fëmijën, për vazhdimin e jetës, e bën për familjen. Dhe kjo do të thotë netë pa gjumë, kjo do të thotë dashuri dhe dhimbje, kjo është sakrificë, kjo është gëzim dhe vuajtje. E kush veç gruas, nënës, di t'i japë fëmijës butësinë e përkëdheljeve të pafundme, di t'i japë puthjen e natës së mirë, buzëqeshjen e kujdesshme. Kush më shumë se nëna inkurajon hapat e para te fëmijët, korrigjon gabimet e tij, mbron ecjen e fëmijës, edukon shpirtin e tij dhe e fut në jetë me mençuri e dashuri, e pastaj gjen kohë për punët e shtëpisë, punën e shtetit dhe profesionin e vet.

Natyrisht, jeta në këtë botë është përpjekje, është mund, ashtu siç është edhe ëndërr dhe zhgënjim, ajo ka ngjitjet dhe uljet e saj, e në këto dallgë të saj, ajo që mban fort timonin, ajo që nuk dorëzohet kurrë, ajo që nuk ankohet kurrë, është gruaja, është nëna. Por ajo nuk është vetëm shtylla e shtëpisë, ajo është shtylla e shoqërisë. Ajo është jo vetëm nëna e dashur, motra e kujdesshme, gjyshja e ëmbël, ajo është po aq gruaja e fortë, është gruaja e suksesshme, është krijuesja e talentuar, është mësuesja e kujdesshme, është biznesmenia e guximshme, nëna shembullore.

Si politikane, si grua, unë kam qenë e lumtur të votoj në Parlament për dyfishimin e pagave të mësuesve, ku mbi 60% janë gra, janë vajza, janë nëna. Kjo i bën ato më të forta ekonomikisht, i bën më të pavarura, mbi të gjitha i bën më dinjitoze, më të respektuara. Si grua, si politikane, e konsideroj shumë themelore që fëmijët shqiptarë që mbarojnë shkollën e mesme të mund të vazhdojnë universitetet. Dyfishimi i numrit të studentëve në universitete në vitet e fundit është realizimi i ëndrrës së nënës për fëmijën, është mundësi për të rinjtë, është sfida e rëndësishme e fëmijëve tanë për t'u përgatitur për jetën. Ndërtimi dhe rikonstruksioni jo i 60 apo 160 shkollave, por i 1600 shkollave në të gjithë Shqipërinë, ishte një detyrim për fëmijët dhe për prindërit e tyre.

Dyfishimi i buxhetit të shtetit është zhvillim për ekonominë. Dyfishimi i buxhetit të shtetit është mundësi më e madhe, dyfishimi i buxhetit do të thotë të kemi rrugë më të mira, të shkurtojmë distancat, të kursejmë kohën. Dhe kjo i shërben çdo qytetari, çdo burri, çdo gruaje, çdo të riu e të reje.

Unë ndihem mirë që sot në shtëpitë, në familjet tuaja, si asnjëherë tjetër, ka energji 24 orë. Kjo është mundësi që fëmijët të studiojnë në kushte normale, është dije, është kompjuter për nxënësit, është internet.

Nga ana tjetër, të gjithë atyre që na thanë se është e pamundur ulja e taksave dhe rritja e rrogave, ne u themi që gabuat. Mjafton që të duash dhe mundesh! Na thanë se ngritja e laboratorëve kompjuterike në çdo shkollë, në çdo cep të vendit ishte propagandë, por ajo sot është realitet. Fëmijët e vegjël, apo fëmijët më të rritur, i kam parë dhe i kam takuar para kompjuterëve në shkollat e tyre, edhe në fshatrat më të largët të Shqipërisë. Fëmijët sot, pavarësisht nëse jetojnë në Durrës apo Kukës, në Librazhd apo Tiranë, janë të barabartë në shanset e tyre. Ata sot navigojnë në oqeanin e dijes, bëjnë detyrat në kompjuter, marrin informacion në kompjuter, dëgjojnë muzikë dhe bëjnë lojërat që ato duan.

Kam ndjekur me interes, kam konstatuar me kënaqësi, se një numër i rëndësishëm i studentëve që kanë fituar bursën e ekselencës janë studente. Janë vajza të reja që me vullnetin e fortë, me disiplinë, me këmbëngulje dhe inteligjence kanë dalë më të mirat në garën e dijes, kanë fituar sfidën e shkollës, tamam si nënat e tyre, që fituan te fëmijët ëndrrat e tyre të rinisë.

Si grua, si politikane, kam pasur detyrë, dhe kam bërë mirë që kam votuar për rritjen e rrogave të infermiereve. Ato ishin lënë të diskriminuara. Sot, rroga e tyre është rritur gati 2 herë. Ato e meritojnë. Ato i bëjnë shërbim jetës. Ato janë misionare dhe shpesh me përkushtimin e tyre ato janë heroinat tona. Bashkë me infermiere të ndryshme dhe me mjeke gra unë kam vizituar shumë spitale, qendra mjekësore dhe kam kërkuar që të rritet numri i skanerave, i mamografive. Kryeministri ka miratuar një fond të veçantë për këtë. Prandaj, unë dua të shfrytëzoj edhe këtë rast për të ftuar çdo grua të bëjë kujdes për shëndetin e saj, të parandalojë sëmundjet e shekullit. Të shkojë e të bëjë mamografinë dhe pap-testin. Që t'i shërbeni më mirë fëmijës, së pari ju duhet të jeni gra e nëna të shëndetshme dhe këtu në Durrës kushtet për ta bërë këtë janë të përshtatshme. Spitali i Durrësit është një ndër spitalet më të mira të vendit. Ai është një investim i madh dhe një garanci e madhe për jetën dhe shëndetin e njeriut. Në këto 4 vjet, për shkak të gjendjes së mjerueshme që gjetëm në spitale dhe në të gjithë sektorin e shëndetësisë në përgjithësi, ne vendosëm dhe votuam dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë. Jemi të vetëdijshëm se nuk kemi arritur ende të bëjmë çdo gjë, jemi të vetëdijshëm që kemi ende shumë punë për të bërë në këtë sektor. Prandaj kemi nisur fillimin e reformës së vështirë në shëndetësi. Përfshirja e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore do të thotë rritje e cilësisë së shërbimit për qytetarët. Kjo është edhe arsyeja përse ne kemi vendosur që reforma e plotë në shëndetësi të jetë prioriteti ynë kryesor gjatë mandatit të ardhshëm, duke dëshmuar kështu se vëmendja jonë është te ju dhe te shëndeti juaj.Â

Sot, në këtë takim, dua të ndaj me ju edhe emocionet, pse jo, edhe krenarinë si qytetare e një vendi anëtar të NATO-s. Ne gratë, ne nënat, me hyrjen e Shqipërisë në NATO, në këtë aleancë të madhe të lirisë ndihemi më të forta. Ndihemi më të forta, jo thjesht për ne, sesa për fëmijët tanë, ndihemi më të sigurta dhe më dinjitoze, jo thjesht për ne, sesa për fëmijët tanë dhe për fëmijët e fëmijëve tanë. Unë dua të falënderoj të gjitha, të gjitha gratë që na kanë mbështetur dhe po vazhdojnë të na mbështesin në rrugën e vështirë të reformave. Dua të falënderoj të gjitha gratë që na mbështesin në rrugën e vështirë të ndryshimit të Shqipërisë, që na mbështesin në rrugën e ngjitjes së vendit tonë. Unë e di, se janë disa që besojnë se ne gratë mund të përballemi vetëm me një sfidë, dhe se ne nuk jemi të zonjat të jemi njëkohësisht edhe nëna të mira, edhe profesioniste të zonja. Ata përsëri gabojnë. Unë kam kaluar kryq e tërthor gjithë vendin. Kam takuar nëna të reja që i kanë dedikuar çdo gjë fëmijëve të tyre, dhe kjo është dashuri e pakushtëzuar, është hyjnore. Por, po ashtu kam parë dhe kam njohur gra që janë të vetme dhe e përballojnë jetën e rrisin fëmijët përmes sakrificave e një kurajoje që vetëm dashuria për fëmijët mund ta mbajë. Kam parë e kam njohur po ashtu zonja, artiste të talentuara, këngëtare të mira, gazetare, shkrimtare të zonja, ekonomiste të afta, infermiere të kujdesshme, mjeke të përkushtuara, gra të thjeshta por të dashura, të drejtpërdrejta, të qeshura e plot optimizëm edhe kur jeta nuk i kishte përkëdhelur ato. Unë gjej te secila prej tyre, diçka nga nëna ime, një grua që kurrë nuk ankohej, nuk e humbiste besimin, që besonte tek e drejta, që besonte te Zoti, që shihte dritë edhe aty ku kishte vetëm errësirë. Këto gra që mbajnë në gji fëmijën e tyre, këto gra që i këndojnë këngët më të ëmbla fëmijëve të tyre të vegjël, këto gra sjellin vetëm gëzime në familje, sjellin gëzim te fëmija, te shtëpia.

Ashtu siç këndon Stivi Uonder "Nëna është mësuesja më e madhe në botë, është mësuesja e dhembshurisë, e dashurisë dhe ndershmërisë. E nëse dashuria është e ëmbël si një lule, atëherë nëna ime është ajo lulja e ëmbël e dashurisë". Të jesh nënë nuk është një detyrë, nuk është as zanat, është një dhuratë e kësaj bote. Zemra e nënës është një greminë në fund të së cilës gjen gjithnjë faljen. Por gratë, aq sa dinë të falin, kërkojnë edhe që shoqëria t'i respektojë, t'u japë atë që meriton, t'u besojë. Shoqëria duhet të na besojë se ne dimë të përgjigjemi për çdo gjë. Ashtu siç fëmija pyet nënën: "Nga kam ardhur? Ku më ke gjetur?", e nëna dëgjon, qan e buzëqesh, e ndërsa e shtrëngon në gji fëmijën e saj i thotë: "Ishe një dëshirë brenda shpirtit", ashtu ne gratë i përgjigjemi me dashuri dhe përpjekje çdo gjëje që na bën të besojmë se jetën e bën më të mirë. Ne dimë të marrim vendime të forta. Ne dimë të mbrojmë të drejtën e të drejtat. Ne nuk kemi frikë nga sfidat e vështira. Ne nuk trembemi nga pengesat. Ne nuk dorëzohemi asnjëherë. Ne nuk dorëzohemi kurrë për të rendur pas asaj që besojmë. Unë ju ftoj ju zonja që jeni këtu, ftoj të gjitha zonjat e Durrësit, ftoj gratë, vajzat, bijat në të gjithë Shqipërinë që, së bashku, të vazhdojmë projektin tonë të Shqipërisë që ndryshon!Â

KOMENTE