Tiranë, 9 Prill NOA - Paraditen e sotme në orën 11.00, bashkë me Kryeministrin Sali Berisha dhe Ministrin Sokol Olldashi, Ambasadori i Italisë Saba D'Elia do të përurojë rrugën Lushnje-Fier.
Kjo rrugë e re, është realizuar në sajë të një fondi prej 21 milionë eurosh të dhënë nga Kooperacioni për Zhvillim i Ministrisë së Jashtme Italiane.
Projekti parashikonte realizimin e një aksi rrugor sipas standardeve evropiane, duke modernizuar rrugën e vjetër pjesërisht ekzistuese (Lushnjë-Kolonje) dhe duke realizuar plotësisht një segment të ri që do të lidhet me unazën e ardhshme të Fierit.
Janë realizuar gjithashtu në këtë vepër arteriet lidhëse me rrugët e shërbimit që do të ndërtohen në të ardhmen (të quajtura rrugët dalëse paralele), urat për këmbësorët dhe për makinat bujqësore.
Me këtë projekt infrastrukturor shumë të rëndësishëm, i realizuar në bashkëpunim nga firma Maltauro & Delma, Drejtoria e punimeve Sintagma & SWS & Stipe dhe Administrata shqiptare, Kooperacioni për Zhvillim i Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane konfirmon prioritetin që i jep dimensionit të lëvizshmërisë, e konsideruar kryesore për një zhvillim të ekuilibruar të territorit të Shqipërisë.
Më në përgjithësi, angazhimi i Kooperacionit për Zhvillim e Ministrisë së Jashtme italiane në sektorin e transportit artikulohet aktualisht në realizimin e 9 projekteve, me një vlere totale prej 63 milionë euro, që mbështesin integrimin e rrjetit rrugor në nivel kombëtar dhe rajonal, në një kuadër më të gjerë të realizimit të plotë të aksit panevropian të Korridorit VIIII.
Një nga këto 9 projekte parashikon rehabilitimin e Portit të Vlorës, me një vlerë prej rreth 15 milionë euro.
Gjithmonë në fushën infrastrukturore, Kooperacioni për Zhvillim i Ministrisë së Jashtme parashikon 5 projekte në sektorin energjetik me vlerë 106 milionë euro dhe 6 projekte mbi ujësjellësit dhe sistemin e ujërave të zeza me vlerë 49 milionë euro.
Sipas analizës të Departamentit të Kryesisë së Këshillit të Ministrave shqiptare (Departamenti i Koordinimit të Donatorëve) mbi performancën e ndihmës e huaj nga viti 2000 në 2008, Italia, vetëm me ndërhyrjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, është donatori i parë dypalësh për Shqipërinë. Më pas vijojnë partnerët e tjerë të rëndësishëm perëndimorë.
Veprimi i Kooperacionit për Zhvillim i Ministrisë së Punëve të Jashtme, nga 1991, vit në të cilin në Shqipëri sapo kishte lindur demokracia, deri në ditët e sotme është konkretizuar në projekte me vlerë mbi 650 milionë euro. \Sot, Kooperacioni për Zhvillim i Ministrisë së Jashtme po realizon në të gjithë Vendin projekte me një vlerë financiare prej 350 milionë euro.
Veprimi i Kooperacionit për Zhvillim i Ministrisë së Punëve të Jashtme bashkëvepron me atë të ndihmës për zhvillim të dhënë nga shumë aktorë të tjerë të "Sistemit Italia".
Disa shembuj: Delegacioni Italian i Ekspertëve i ka dhënë Shqipërisë në dhjetë vite asistencë me vlerë prej rreth 100 milionë euro.
Kështu, Qeveria Italiane dhe Rajoni i Pulias vetëm kanë dhënë financime për projekte ndër-rajonale nga ‘92 deri më sot me vlerë prej rreth 110 milionë euro.
Aktualisht janë të pranishme në të gjithë territorin shqiptar 30 OJQ italiane me 31 projekte me vlerë 23 milionë euro.
Këtyre u shtohet aktiviteti shumë intensiv në Shqipëri i 20 rajoneve italiane, i universiteteve dhe shkollave me projekte bashkëpunimi ndër-universitare dhe bursa studimi.
e.l/NOA