English

Pohimi i Fullanit: Këtë më pak kredi, Qeveria kujdes me shpenzimet

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 8 Prill NOA (Update) - Tregu shqiptar do të qarkullojë më pak para gjatë këtij viti, pasi aktiviteti ekonomik do të pësojë rënie.

Kurse bankat do të kreditojnë më pak, të ardhurat e emigrantëve do të vijnë në rënie, por edhe importe- eksportet do të reflektojnë situatën ndërkombëtare.

Shqetësimin e ka bërë publik sot, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

Situata duket delikate se për të stimuluar qarkullimin e parave banka vëren se nuk ka më hapësirë për stimuj fiskal. "Problemi më i madh me të cilin do të përballet ekonomia gjatë këtij viti do të jetë mungesa e likuiditetit. Ekonomia do të kreditohet më pak gjatë këtij viti, ndërkohë që kanë shteruar stimujt fiskal", - u shpreh Guvernatori.Â

Në këtë situatë institucioni më i lartë monetar i kërkon qeverisë që të bëjë kujdes me shpenzimet dhe me mbledhjen e të ardhurave.

Efektet që po jep kriza ekonomike do të bëjë të pamundur realizimin e treguesve në buxhetin e hartuar 2009.Â

"Këtij viti duhet të bëjmë kujdes me shpenzimet, nuk tolerohet asnjë rritje shpenzimi, nga ana tjetër edhe te ardhurat rrezikojnë të mblidhen në nivelin e programuar" - thotë Fullani.

Sipas tij ekonomitë e shteteve me te cilat jemi partner kanë pësuar rënie, ndaj dhe vendi do të ndjejë efektet.

Aktualisht kërkesa e Qeverisë për fonde mbetet e lartë dhe ky është edhe fakti kryesorë se përse interesat e bonove të thesarit kanë pësuar rritje.

Një ditë më parë gjatë konferencës për shtyp me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Banka e Shqipërisë hodhi idenë që qeveria të rishikojë buxhetin me tendencë të rishpërndarjes edhe një herë të fondeve duke u përqendruar më tepër tek sektorët më jetikë.

r.l/NOA

KOMENTE