Tiranë, 8 prill NOA - Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar sot deklarimin fajtorë dhe dënimin e pesë të pandehurve të akuzuar për trafik të klandestinëve nga vendi ynë në drejtim të Greqisë.
Prokurori i çështjes kërkoi dënimin me 11 vjet burg dhe 7 milion lekë gjobë për të pandehurit Pëllumb Guri dhe Irfan Dalipaj, për Bardhi Prodën dhe Nino Tushen, 10 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë, ndërsa për Resul Çelën, 10 vjet dhe 7 milion lekë gjobë. Pesë të pandehurit janë vënë në pranga më datën 21 korrik të vitit të kaluar në sajë të operacionit të koduar "Butrinti".
Nga hetimet e kryera nga prokuroria dyshohet se të pandehurit grumbullonin klandestinë në Tiranë, Lushnjë, Sarandë, Korçë e Vlorë, të cilët paguanin shumat që varionin nga 1 000-1 500 euro për të kaluar kufirin drejt Greqisë.
e.l/NOA