Madrid, 8 prill, NOA - Ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Carme Chacon, ka konfirmuar të martën në Komisionin për Mbrojtje të Kongresit se largimi i trupave nga Kosova do të kompletohet deri në fund të verës së sivjetme.
Ajo ka përsëritur se vendimi i Spanjës është koherent dhe përgjegjës, për shkak të refuzimit të saj për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Shefja e Mbrojtjes spanjolle ka thënë se shteti i saj ka hasur në mirëkuptim të plotë nga aleatët gjatë Samitit të NATO-s në Strasburg për vendimin e tërheqjes. Ajo ka thënë se tërheqja do të bëhet në koordinim të plotë me aleatët. Arsyeja kryesore e largimit, sipas Chacon, është se NATO-ja po ndihmon në ndërtimin e institucioneve të shtetit të ri, me ç'gjë nuk pajtohet Madridi. Spanja i ka të stacionuara në Kosovë, kryesisht në Istog me 630 ushtarë.
n.e/NOA