Abruzzo, 8 prill, NOA - Numri i të vdekurve si pasojë e tërmetit që lëkundi rajonin e Abruzzos 2 ditë më parë ka arritur mëngjesin e sotëm në 250.
Sipas të dhënave të medieve italiane, shumë banorë të rajonit të Abruzzos së prekur nga tërmeti, kaluan një tjetër natë të ftohtë nëpër çadra dhe makina, ndërsa numri i të vdekurve si pasojë e tërmetit shtohet nga ora në orë.
Mediat e përshkruajnë si të madh dhe dëshpërues ankthin e njerëzve që presin nmos forcat e ndihmës së shpejtë nxjerrin ndonjë nga trupat e familjarëve të tyre të mbetur nën rrënoja.
Rreth 20 kampe me çadra janë ngritur për të strehuar më shumë se 14 mijë vetë në këtë zonë malore, ndërsa ushqimi po sigurohet përmes kuzhinave të lëvizshme.
Disa hotele ndërkaq po japin strehim falas për personat që kanë mbetur pa shtëpi si dhe ekipet e shpëtimit.
Kryeministri Silvio Berluskoni tha se përpjekjet e shpëtimit do të vazhdojnë edhe gjatë dy ditëve të ardhshme.
Dita e djeshme shënoi raste të rralla të gjetjes së të mbijetuarve nga tërmeti siç ishin një vajzë 20-vjeçare dhe një grua 98-vjeçare.
Ndërkaq, lëkundjet e tërmetit janë ndjerë sërish në ditën e djeshme në rajonin e Abruzzos duke shkaktuar një tension të ri tek qytetarët e kësaj zone.
n.e/NOA