English

Akuza e PS: Shteti, asnjë masë për sigurinë në shkolla

Tiranë, 9 Prill NOA - Partia Socialiste akuzoi sot shtetin dhe instancat e tij se nuk kanë krijuar mjedis të sigurt në shkolla, duke iu referuar incidenteve të ditëve të fundit në disa objekte arsimore publike në vend ku janë shënuar të plagosur nga përdorimi i armëve të ftohta.

"Kur kemi thënë se lajmet nga arsimi janë shpesh si buletin lufte, nuk kemi ekzagjeruar aspak. Para dy ditësh një adoleshent nga Lezha u plagos me armë brenda ambienteve të shkollës.

Para dy ditësh çdo familje shqiptare pa të kërcënuar sërish fëmijët e vet nga një dukuri që këto kohë është shpeshtuar frikshëm: mungesa e plotë e sigurisë ndër shkolla. 2-3 javë më parë dy adoleshentë u plagosën me thika brenda oborrit të shkollës. Para disa muajsh në Elbasan një studente u vra brenda auditorit. E këto vetëm kohët e fundit!", - ishte deklarata që bëri Ledi Shamku, kryetare e Komisionit të Edukimit në PS.

Në daljen e sotme për mediat, Shamku tha se "jam këtu sot edhe si nënë që përcjell çdo mëngjes vajzën adoleshente në shkollën publike larg syve të shtetit, si një ata nga qindra mijëra prindër të cilët kjo qeveri, pasi i detyroi ta paguajnë vetë rojën e godinës së shkollës, u ktheu kurrizin duke i lënë thuajse në dorë të fatit".

"Kam të njëjtën revoltë me çdo prind, që u ndje i fyer kur pa Zv/Ministrin e Arsimit që edhe kësaj radhe belbëzoi ca fjalë të zbehta duke kërkuar të merreshin masa", - komentoi më tej Shamku.

Kurse shtroi pyetjet: Kush u dashka t'i marrë këto masa?! Kur u dashka t'i marrë?!

Sipas Shamkut, "funksionarët e MASH-it janë kthyer në buburrecë zyrash, pa lidhje as me mësuesit, as me prindërit".

"Nëse do t'i kishin dëgjuar qoftë edhe një ditë të vetme mësues e prindër, - sugjeroi Shamku, - do të kishin mësuar se ata thonë prej kohësh që ky sistem i kalbur arsimor e ka humbur lidhjen me edukimin e i është larguar vlerave qytetare, kujdesit ndaj adoleshentëve, vëmendjes së veçantë ndaj fëmijëve që kanë probleme në familje apo në shoqëri.

e.l/NOA

KOMENTE