English

Aleanca, motivimi ndryshe për shqiptarët

Nga Bamir Topi

Komandant i Forcave të Armatosura të Republikës

Është një emocion i veçantë, në të njëjtën kohë një privilegj që më jepet të jem midis jush vetëm pak ditë nga momenti historik i aderimit të Shqipërisë me të drejta të plota në NATO,

në Aleancën më të madhe politiko-ushtarake, në Aleancën më të madhe të paqes dhe të sigurisë në botë. Me këtë rast dëshiroj t'ju përshëndes me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura për të gjithë kontributin tuaj të vyer në këtë rrugë integrimi, në këtë arritje të madhe të Shqipërisë, të institucioneve të saj dhe të Forcave të Armatosura! Edhe njëherë ju përshëndes! Ky eveniment historik po na shoqëron me emocione të jashtëzakonshme, jo vetëm në prag të ceremonisë së aderimit në Strasburg dhe në Kel, por këto emocione po vazhdojnë ditë për ditë pas dite dhe jam i bindur që këto emocione nuk do të rreshtin kurrë. Por këto emocione padyshim do të motivojnë, do të transformohen në energji dhe në një punë të jashtëzakonshme të të gjitha institucionet e Shqipërisë të forcave të Armatosura, të misioneve tona kudo ato shërbejnë përkrah kësaj aleance të madhe. Për të ardhur në këtë ditë të madhe na është dashur një rrugë relativisht e gjatë, një rrugë besimi nga partnerët tanë por në të njëjtën kohë një rrugë të ndërmarrjes së fuqishme të reformave politike, të reformave legjislative, të reformave në ekonomi, të reformave institucionale dhe të reformave në Forcat e Armatosura. Ushtria jonë, Forcat tona të Armatosura sot konsiderohen profesioniste. Ato vijnë e reformohen vazhdimisht dhe unë jam i bindur që krahas partnerëve tanë, kjo asistencë do ta bëjë ushtrinë tonë, Forcat tona të Armatosura që të jenë forca elitare, që të jenë forca që të qëndrojnë përkrah misioneve të partnerëve, të cilat kanë traditë, kanë eksperiencë, kanë profesionalizëm, por të njëjtin profesionalizëm unë kam parë tek ju, të njëjtin motivim kam parë tek ju. Shqipëria është e vërtetë që është futur "de jure" vetëm para pak ditësh në NATO. Por ju siguroj, gjë që e dini dhe ju shumë mirë, që "de facto" ne kemi qenë anëtarë të NATO-s.

E kam parë këtë në misionet qoftë në Irak, e kam ndjerë në misionet në Bosnje, po e kam ndjerë edhe në misionin në Afganistan. Fjalët më të mira janë thënë për ushtarët tanë. Njerëz shumë besnikë, njerëz shumë të motivuar, njerëz të sakrificës, njerëz të realitetit, njerëz që nuk dinë të ndahen për asnjë moment nga detyra dhe nga metodika e shërbimit të përbashkët me forcat aleate.

Këto janë konsideratat që kanë ardhur nga partnerët tanë. Janë konsiderata që kanë ardhur nga ata komandantë, të cilët kanë një eksperiencë dhjetëra vjeçare në fushën e drejtimit ushtarak dhe ky është një element shumë i rëndësishëm që premton shumë dhe kjo është arsyeja që përveç suportit që ne kemi pasur nga partnerët tanë, nga të gjithë aleatët dhe në mënyrë të veçantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne ta meritojmë për të vazhduar misionin tonë fisnik në mbrojtje të lirisë, të paqes dhe sigurisë në botë. Ne jemi sot në këtë ditë të rëndësishme, sikurse thashë me një motivim të ri, me një angazhim të ri dhe kjo shikohet tek ju, shikohet tek përpjekja, tek disiplina dhe kjo është një gjë e madhe që është arritur, por jam i bindur që sfidat e reja do të perfeksionojnë Forcat tona të Armatosura. Unë vetëm një vit më parë e diçka më shumë, kam qenë në Irak, ka qenë në Mosul, kam qenë në Bagdad. Përveçse mirënjohjes që është e natyrshme, kishte një vlerësim të jashtëzakonshëm. Ndonëse trupat tona kanë vepruar në një zonë të vështirë, ato asnjëherë nuk janë trembur nga situatat, por përkundrazi arritën që deri në fund ta përmbushin deri në fund detyrën e tyre dhe pa dëme në njerëz. Kjo do të thotë që trupat tona kanë fituar profesionalizmin dhe kualitetin në detyrën e tyre.

Ne sot kemi trupa në Afganistan dhe një nga vendimet e rëndësishme të Samitit të Strasburgut është rritja e vëmendjes së Aleancës për situatën në Afganistan. Trupat tona që janë atje, pa dyshim që po e përmbushin dhe do të vazhdojnë të përmbushin me sukses dhe një nga premtimet e Shqipërisë, e dhënë në Aleancën e NATO-s në ditët e Samiti të Strasburgut dhe Kelit është për një vullnet të Shqipërisë për rritjen e numrit të trupave në Afganistan. Kjo është jo vetëm një dëshirë, por është një përkushtim ndaj vendimeve të NATO-s, sepse ne sot nuk veprojmë vetëm si partnerë, por veprojmë si aleatë dhe do të jemi aleatë në ditë të mira dhe në ditë të vështira. Kjo është filozofia e Aleancës dhe ne këtë do ta përmbushim me shumë sukses dhe motivacion. Pa dyshim me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm unë do të vazhdojë të qëndrojë shumë pranë trupave jo vetëm këtu, por edhe në misione dhe në një kohë të përshtatshme, natyrisht e përputhur kjo edhe me axhendën, patjetër që do të jem edhe pranë trupave tona në Afganistan shumë shpejt për t'i dëshmuar atyre që e gjithë struktura e shtetit, të gjithë pa përjashtim janë jo vetëm shpirtërisht dhe moralisht në mbështetje të misionit të rëndësishëm, por janë dhe fizikisht. Unë me këtë rast, nga ky moment shumë ceremonial, shumë festiv do të doja t'u çoja përshëndetjet më të mira të gjithë oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve të misionit tonë në Afganistan duke i siguruar që ata janë pjesë edhe "de jure" e kësaj Aleance të madhe dhe patjetër që ata do të kenë dhe shokë të rinj, kolegë të rinj që do të jenë në mision pranë tyre në ditët e ardhshme. Me këtë rast dëshiroj edhe një herë t'ju falënderoj për gjthçka që keni bërë, t'ju inkurajoj për gjithçka që do të bëni dhe jam i bindur që ushtria jonë, Forcat tona të Armatosura do të dinë të jenë të denja përkrah aleatëve tanë të mëdhenj për të dëshmuar edhe një herë jo vetëm besnikërinë, motivacionin, por dhe profesionalizmin"! Në përfundim të vizitës së tij të punës në Brigadën e Reagimit të Shpejtë, Presidenti i Republikës dhe Komandanti i Përgjithshëm, Prof. Dr. Bamir Topi drekoi së bashku me ushtarët, nënoficerët dhe oficerët e kësaj Brigade duke ndarë me ta momente dhe emocione nga ngjarja historike e anëtarësimit të vendit tonë në aleancën më të madhe ushtarake dhe politike të botës, në NATO.

KOMENTE