English

Çfarë i kishtë thënë Nënë Tereza mbretëreshës Geraldinë?

Shkup, 9 prill, NOA - Këto ditë një nga veteranët e Mbretërisë shqiptare në mërgim, veprimtari i shquar në Nju Jork, Musli Mulosmani, na dorëzoi një artikull të gazetës "Atdheu", i cili shkruhej nga zëdhënësja e monarkisë shqiptare në mërgim, Lume Musa Juka, ku rrëfehej një takim i përzemërt i Mbretëreshës Geraldinë me Nënë Terezën, laureaten e çmimit Nobel për Paqe.

Juka shkruan se ishte një kënaqësi e madhe ta shihje Mbretëreshën Geraldinë në Nju Jork në qershorin e atij viti. "Dinjiteti, me të cilin ka jetue në mërgim, por sidomos përvujtënija, mirësia e besimi i saj në Zotin, më kanë prekë përherë. Ky besim, e ka ndihmue me kalue halle e mërzina të shumta, pa e humbë buzëqeshjen e saj t'ambël", shkruhet në këtë artikull.

Ajo tregon më pas se si në bisedim e sipër, i tregon Mbretëreshës Geraldinë, se kishte patur rastin të shihte Nënën Tereza dhe se se kishin kaluar së bashku më të më shumë se dy orë. Por në kujtimet e saj ajo shkruan se kur e përmendi këtë emër, sytë e Mbretëreshës Geraldinë shndritën me një dritë të brendshme, me interesim e me kuriozitet te veçantë dhe ka dashur të dijë përse kishin folur.

"I kallëzova, - thotë znj Juka, - dhe ajo ndigjoi çdo fjalë me vëmendje të madhe. Sa dëshirë, - tha, - kam me e pa edhe unë! E këtë dëshirë e kam tash e sa vjet. Nuk u zgjata më shumë, por me zemër iu luta Zotit, që të më ndihmonte t'ia jepja këtë gëzim.

Ishte e martë, 23 qershor, mbasdite vonë. Koha shumë e shkurtër, sepse Mbretëresha Geraldinë do t'u kthente më datën 26 qershor në Madrid.

Nënë Tereza vinte gjithnjë në Nju Jork, për t'iu lutur Zotit, vazhdimisht, për disa ditë ishte vendosur në një vend ku s'kishte as telefon. Në kuvendin e saj, murgeshat i kishte porositur që të mos i dërgonin asnjë mesazh.

Duke sjellë kujtimet e saj për atë ditë, Juka, thotë: "I shkrova me të shpejtë një letër të vogël, në të cilën i thoshja: Dëshiroj që ta njihni Mbretëreshën Geraldinë, sidomos edhe për besimin e mrekullueshëm që ajo ka në Perendinë. Jetoni në kontinente të ndryshme, por ja që gjendeni në Nju Jork në të njëjtën kohë, pra ndoshta, është e thënë që të shiheni. Letrën time mugeshat ia kishin çuar asaj dhe e lexuan. "Të mërkurën mbrëma të asaj dite më bëri me dije se na priste në mëngjesin e 25 qershorit. Sa mirënjohëse i isha ! Menjëherë telefonova Mbretëreshën Geralidinë. Kënaqësia e saj ishte e papërshkueshme.

Kur shkova ta marr të nesërmen më përqafoi duke më thënë: "Jam shumë e gëzuar që do ta takoj Nënë Terezën".

Më pas, Juka tregon sesi Abedin Mulosmani, zëdhënsi i Oborrit Mbretëror i shoqëronte në takimin mes dy grave të mëdha të kombit.

"Nuk ishte e leht me gjetë rrugën, në një lagje fort të pabukur të jugut të Bronxit. Mbretëresha Geraldinë, me habi shikonte herë majtas e herë djathtas. Nuk mundte me iu besue syve të saj dhe pyet: A është e mundur të ketë kaq varfëri në këtë vend kaq të pasur? Rrugët kësisoj dhe e shtëpi të shkatërruara?"

Juka thotë se iu përgjegj: "Nënë Tereza kudo ku shkon, kërkon me gjet plagët e vuajtjet e atij vendi dhe si një mjek i mirë, me hir të Zotit iu sjell shpresë e shërim".

Rrëfimi vazhdon:

"Mbërritëm! Një murgeshë e re dhe e bukur si pranvera na çeli derën. Tue buzëqesh na tha: Nana Tereza është duke ju pritur! dhe na drejtojë me hapa të lehtë si me kan tue fluturue.

Nana Tereza në gjunjë fillojë me u lut! U çue në këmbë, po sa na pa, e me shumë ngrohtësi na shtrëngonte duart dhe na përqafoi me shumë përzemërsi. Na futi në dhomën e vogël dhe u ul krejt pranë Mbretëreshës Geraldinë. Menjëherë filluan të bisedojnë ...

Nënë Tereza: "Unë nuk merrem me politikë, me buzëqeshjen time e dalloni. Prej ditës qysh se kur keni ikur prej Shqipërisë, i jam lutur Zotit, për Ju e për djalin tuaj".

Mbretëresha Geraldinë iu përgjigj: "Gjithmonë e kam ndier në zemër se dikush, shumë pranë Zotit është duke u lutur për ne e djalin t'im! Paskeni kenë Ju Nënë Tereza. Me gjithë zemër ju faleminderojë Zoti Ju bekoftë!".

Nënë Tereza: "Më vjen keq që nuk mundem me shkue në të gjitha vendet e botës, por më keq më vjen që nuk më lënë më shkue në vendin tem në Shqipëni....Por Zoti thotë se asgjë në këtë botë nuk është e përgjithmonë..."

Mbas një heshtje të vogël Nana Tereza vazhdoi: "Kur u bëra murgeshë, prindët e mi bashkë me motrën dhe vëllanë tim, u kthyen në Shqipëri. Babai vdiq gjatë luftës. Vëllai, Lazri Bojaxhiu, i cili tash banon në Palermo, mujti me u arratisë, nana me motërn mbetën atje. Unë tash jam nënshtetas indiane, në Indi kam kaluar gati gjithë jetën time. Qeveria indiane pati mirësinë me ndërhyrë pranë qeverisë së Tiranës, duke ju lutur Tiranës, që të më lejoshin me i vizitue. Kjo as qe e mundur. Nana ime ndërroi jetë, pak më vonë edhe motra. Vetëm Zoti ! e di çka është bërë me ato në Shqipëri. Vetëm pranë Zotit! ato duhet të jenë në paqe, të qeta, e të lumtura.

Vëllai im, e flet shqipen shumë mirë. Unë jam largue, e vogël nga familja. Më kujtohen disa fjalë, por vëllait i shkruaj shqip. Sesi e shkruej shqipen as unë nuk e dij, por vëllai im duket se më kupton shumë mirë. Po ju madhëni a e keni profeksionue shqipen?

Ndërhyra me kënaqësi: "Po ! Nana Mbretëreshë, Geraldina, e flet dhe e shkruan shumë bukur shqipen - ambël e shumë këndshëm".

Biseda me Nana Terezën u ba në anglisht, gjuha që është zgjedhë me folë në kuvendet e Misionarëve të Mëshirës.

Mbretëresha Geraldinë që fliste gjashtë gjuhë (hungarisht, anglisht, italisht, frëngjisht, shqip, spanjisht) i bënte shumë pyetje sa i përket punës së shenjtë që Nana Teraza bënte e po përhapte në vende të ndryshme të botës. Nënë Tereza, iu përgjigj pyetjeve duke dhënë edhe hollësira e duhura.

Njëra prej pyetjeve të Mbretëreshës Geralindinë ishte: "Cilat janë problemet më të mëdha të SHBA?".

Nënë Tereza iu përgjigj: "Nuk i di të gjitha, por me ç'kam parë e dëgjuar deri tani janë: vetmia, indiferenca e njerëzve, sidomos varfëria shpirtërore ... Kjo e fundit është shpesh herë edhe me tragjike sesa varfëria për bukë, e kundërta e racës sonë shqiptare që jemi shumë të varfër nga ekonomia, por jemi shumë të pasur nga shpirti", tha Nënë Tereza.

Ajo tha se ndihej nevoja të hapej një shtëpi bamirësie, edhe në Nju Jork.

Edhe se atë ditë ishte dhënë edhe leja e hapjes së saj. "Vizita juaj ka me kenë e paharrueshme, edhe për këtë gjë, është rasti i mirë sikur edhe Ju të kishit ndihmuar në themelimin e kësaj shtëpie. Tash është momenti të largohem pakëz sa t'i lutem edhe një herë Zotit!" tha Nënë Tereza.

Në fund, Lume Musa Juka në artikullin e saj tregon se "Rrallë herë kam parë fytyra të tilla të ndriçuara me një dritë dashurie e shpirtërore , sa që pashë ato dy fytyra atë ditë - të këtyre dy grave të bekueme e të mrekullueshme".

Disa minuta më vonë u ndamë nga ajo shtëpi, ku u takuam, duke ndarë të njëjtat ndjenja "Duke mos i besuar zemër se si po ndaheshim dhe po e lëndimin njëri-tjetrin. I të njëjtit mendim me ne ishte edhe zëdhënësi i Oborrit Mbretëror, i ndjeri Abedin Mulosmani.

"U larguam sikur të ishim njohur përgjithmonë. Sepse e njëjta jetë shpirtërore na frymëzonte, jetë që vjen vetëm për një besimi të plotë dhe të sinqertë. Me përvujtjen që e dallonte Nënë Terezën, na përcolli deri jashtë shtëpisë, duke na dhënë me vete bekimin e saj: "Lum ata që flasin gjuhën e zemrës. Në çfarëdo vendi ose gjendje që të jenë, rrugët e besimit të vërtetë e çojnë gjithë jetën kah i njëjti drejtim - nga Perëndia ", shkruan rreth 3 dekada më parë për gazetën "Atdheu", Lume Musa Juka.

Nga Beqir Sina, INA

KOMENTE