Tiranë, 9 prill, NOA - Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me debate të ashpra mes deputetëve mbi çështjen e investimeve të rrugëve dhe rritjes së pagave dhe pensioneve të premtuar nga qeveria.
Nga ana e tyre, deputetët socialistë kanë dalë kundër këtij premtimi duke pohuar në fjalimet e tyre se qeveria nuk i ka fondet e duhura për ta realizuar një gjë të tillë.
"Qeveria nuk ka para për të rritur pensionet dhe pagat ashtu siç premton përditë Berisha. Rrogat nuk rriten me paratë e Berishës dhe familjes të tij, por nga taksat tona ku vetëm Berisha nuk tatohet dhe nuk pranon të paguajë asnjë taksë", u shpreh deputeti socialist, Erjon Braçe nga podiumi i Kuvendit.
Nga ana tjetër, ai e ka akuzuar qeverinë Berisha se ka zhytur vendin në varfëri, papunësi dhe se vazhdon ende t'u premtojë shqiptarëve mirëqënie kur nuk ka para me se ta bëjë këtë gjë.
Sipas deputetit socialist, Erjon Braçe, qeveria Berisha e ka zhytur vendin në varfëri dhe papunësi të lartë.
"67% e shqiptarëve kanë shqetësim papunësinë, pasi ka 4 vjet që qeveria s'po bën asnjë gjë për papunësinë. E sikur të mos mjaftonte kjo, por vendoset taksa e sheshtë po rrënon më tej shqiptarët. Qëkur e keni vendosur këtë taksë të sheshtë, vetëm në një vit i keni hequr njerëzve 200 milionë dollarë", theksoi Braçe.
Por deputeti demokrat, Ferdinant Xhaferri, reagoi menjëherë pas këtyre akuzave.
Sipas tij, qeveria që akuzon Partia Socialiste ka përparësi rritjen e pagave, ndryshe nga Bashkia e Tiranës që ka përparësi rritjen e taksave.
"Ju jeni për rritje të taksave, ne për atë të rrogave. Punësimi është prioriteti ynë dhe këtë nuk e mohon dot askush. Siç nuk mund të mohohet as rritja e pagave që ka ndodhur në sektorin shtetëror", tha Xhaferri.
n.e/NOA