English

Demokratët në bashkinë e Tiranës: Taksat për qytetarët janë katërfishuar

Tiranë, 9 Prill NOA - Grupi i Këshilltarëve në Këshillin e Bashkisë Tiranë doli sot me vlerësimin se taksat e qytetarëve në Tiranë janë katërfishuara dhe hodhi akuza ndaj Edi Ramës për "pengimin e qytetarëve për të aplikuar për letërnjoftim elektronik".

Ferdinand Poni, duke folur në emër të këshilltarëve të PD tha sot në një dalje për mediat se "kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëherazi Kryetari i PS, po pengon paisjen e shtetasve me letërnjoftim pasi ai, i ka urdhëruar zyrat e gjendjes civile që të mos lëshojnë çertifikata që duhen për shtetasit pa pasaportë në rast se nuk kanë paguar taksat e tij të pastrimit e të gjelbërimit, të cilat janë disa herë fishuar".

Këtu Poni theksoi se "taksat janë katërfishuar këtë vit dhe janë 10-20 herë më të larta sesa vetë çmimi për letërnjoftimin".

Poni evidentoi se qytetarët paguajnë 4 herë më shumë për pastrimin dhe ndërkohë që pastrimi i qytetit ka dështuar.

Kurse komentoi: "Edi Rama po seleksionon nga pikëpamja partiake personat që paguajnë taksat. Kështu ndërsa nga kjo pagesë nuk përjashtohen as edhe invalidët, militantët dhe falangat e tij e kryejnë atë pa pagesën e këtyre taksave të vendosura e të rritura artificialisht".

Në emër të këshillit bashkiak, në emër të këshilltarëve të Partisë Demokratike në këtë Këshill, Poni tha se "i kërkojmë z. Rama që të heqë për këtë vit; të gjitha taksat e tarifat e tjera përveç taksës së biznesit të vogël, në mënyrë që të ndikojë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe të inkurajojë pajisjen e shtetasve me letërnjoftimet elektronike".

Sakaq, Poni tha edhe se "ne i kërkojmë z. Rama të heqë dorë në mënyrë të menjëhershme nga praktika totalisht antiligjore e lidhjes së çertifikatave dhe dhënies së tyre kushtëzuar nga pagimi i taksave lokale".

Zv/ministri i Brendshëm paralajmëroi në fund se "Qeveria ka propozuar projekt ligjin për reduktimin e taksës së biznesit në jo më shumë se 10% nga niveli kombëtar por në rastin e Tiranës mirëpërdorimi i fondeve do të sillte dukshëm uljen e taksave apo edhe heqjen e tyre në mënyrë të përkohshme".

e.l/NOA

KOMENTE