Nga bashkëpunëtori ynë, Dritan Gremi
Milano, 9 Prill NOA - Këngëtarja e mirënjohur e muzikës Pop, Madonna, ka publikuar sot dhënien e një shume prej afro 700 mijë eurosh ose 500 mijë paund britanikë, si ndihmë për të dëmtuarit nga tragjedia e këtyre ditëve në rajonet e prekura nga tërmeti në Itali,
Me origjinë italiane, Luiza Veronika Çikone, e njohur me emrin e artit Madonna, tha sot se i dhuroi 700 mijë eurot, për viktimat dhe rindërtimin e qytetit të Akuilas.
"Unë jam e lumtur të ndihmoj qytetin ku kanë origjinën të parët e mi", - pohoi Madonna duke iu referuar Akuilas, ku deri tani regjistrohen afro 281 të vdekur dhe mbi një mijë të plagosur.
"Dua të ndaj dhimbjen time dhe solidarizohem me familjet që kanë humbur të dashurit dhe shtëpitë e tyre", - ka theksuar Madonna.
Familja Çikone, më saktë, gjyshërit e Madonës, kanë jetuar në fshatin Pacentro, lokalitet pranë Akuilas deri në vitin 1919. Kjo zonë, u dëmtua rëndë nga tërmeti i së hënës.
d.g/NOA