English

Lushnjë-Fier, autostrada që lidh dy epiqendrat e Myzeqesë, me rrugë të standardeve më moderne

Pohimi i kryeministrit Sali Berisha në ceremoninë sot të përurimit: "Në 3 vjet e 8 muaj ne kemi investuar 1 miliardë e 600 milionë dollarë në fshatrat e Shqipërisë, në mandatin e dytë ne do të investojmë 2 herë më shumë se në mandatin e parë për fshatin shqiptar"

Lushnjë, 9 Prill NOA - Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e përfundimit të autostradës Lushnjë-Fier. Kjo autostradë, ka një gjatësi 21.5 km. Vlera totale e vënë në dispozicion nga qeveria italiane për ndërtimin e saj është rreth 20 milionë euro.

Autostradë është realizuar nga firma e ndërtimit Maltauro & Delma. Në këtë projekt, krahas autostradës me katër korsi, janë përfshirë dhe ndërtimi i lidhjeve midis rrethrrotullimit të Lushnjes dhe kilometrit zero të aksit te ri Lushnjë-Fier, ndërtimi i tre mbikalimeve për automjetet, si dhe ndërtimi i pesë mbikalimeve për këmbësorët, të cilat janë realizuar në pjesën e parë nga rrethrrotullimi i Lushnjës deri në rrethrrotullimin e Kolonjës.Â

Në ceremoninë e inaugurimit merrnin pjesë Ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D'Elia, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, deputetë të zonës, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të kompanisë ndërtuese Maltauro & Delma, etj.

Kryeministri Berisha vlerësoi standardin e ndërtimit të kësaj autostrade, duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ajo në lidhjen e dy epiqendrave të Myzeqesë, Lushnjes dhe Fierit dhe në zhvillimin e tyre.

"Lushnja bëhet i vetmi qytet me hyrje dhe dalje autostradë me katër korsi dhe ajo e meriton plotësisht atë. Lushnja është djepi i pluralizmit, është një nga epiqendrat kryesore të zhvillimit të vendit", u shpreh Kryeministri.

Kryeministri falënderoi qeverinë italiane për financimin e këtij projekti madhor. "Ne sot le t''i shprehim mirënjohjen më të thellë kombit mik italian, qeverisë italiane për bujarinë dhe ndihmën e jashtëzakonshme dhe të gjithanshme që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë këtyre viteve të ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Autostrada që inauguruam është kontribut tërësor i qeverisë italiane dhe i taksapaguesve italianë", tha Kryeministri.

Berisha sakaq, vuri në dukje se gjatë javëve që vijnë do të nisin edhe 5 projekte të tjera të mëdha në Myzeqe. Së shpejti, fillon rruga Fier - Cakran, rruga Divjakë - Pushimi i Shoferit, rruga Lushnje - Ballagat- Peqin, rruga Kosovë - Belsh, etj.Â

Duke u ndalur në prioritetet e qeverisë për mandatin e dytë, Kryeministri tha se kjo mazhorancë nuk e kërkon votën thjesht për ato premtime që ka realizuar, por për ato çfarë do vazhdojë të bëjë më tej.Â

"Ne kërkojmë votën për projektet e mëdha që kemi përpara, ne kërkojmë votën sepse duam të urbanizojmë tërësisht Myzeqenë, sepse duam të ofrojmë infrastrukturën më moderne, shkolla, ujësjellës, kanalizime, rrugë. Ne kërkojmë votën sepse, në mandatin e dytë ne e shndërrojmë Shqipërinë në një eksportues të rëndësishëm të energjisë elektrike në Ballkan dhe më gjerë", vijoi Kryeministri.

e.l/NOA

KOMENTE