Tiranë, 9 Prill NOA - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, vizitoi sot Brigadën e Reagimit të Shpejtë në Zall-Herr.
I shoqëruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Maksim Malaj si dhe anëtarë të kabinetit, Presidenti Topi inspektoi Brigadën e Reagimit të Shpejtë duke kaluar trupën në revistë, pas paraqitjes së forcës nga Komandanti i Forcës së Bashkuar, Gjeneral Brigade Agim Lalaj.
 Më pas, kryetari i shtetit shqiptar pati një takim pune me Komandantët e Forcave Tokësore, Detare dhe Ajrore, dhe përshëndeti ushtarët, nënoficerët dhe oficerët e kësaj brigade duke iu shprehur mirënjohjen dhe duke i uruar për anëtarësimin e vendit tonë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Një moment emocionues dhe i veçantë i vizitës së Presidentit Topi ishte biseda telefonike e Komandantit të Përgjithshëm me majorin Ferdinand Ziu, komandanti i efektivave paqeruajtëse shqiptare në Afganistan, të cilit i shprehu përshëndetje dhe urimet në emër të të gjithë popullit shqiptar duke u interesuar njëkohësisht edhe për situatën e gjendjen e paqeruajtësve tanë.
Kryetari i shtetit i falënderoi ushtarakët tanë në Afganistan veçanërisht për kontributin e tyre të vyer në funksion të vendosjes dhe ruajtjes së paqes në atë rajon të trazuar të botës, duke i përgëzuar njëkohësisht edhe për profesionalizmin, disiplinën dhe besnikërinë e efektivave shqiptare në ushtrimin e detyrave të tyre ushtarake.
e.l/NOAÂ